20.3 C
Pristina
Wednesday, May 1, 2024

Pasqyrë e përgjithshme rreth shkencës së Fikhut

Më të lexuarat

  1. Përkufizimi i FikhutNë kuptimin gjuhësor “Fikh” do të thotë – “njohje”,“kuptim”. Me këtë domethënie është përdorur edhe në ajetin ku Musai alejhi selam i bën lutje Allahut të Lartësuar:

    “Dhe zgjidhma nyjën nga gjuha (ma largo mangësinë e të shprehurit). Që ata ta kuptojnë fjalën time.” (Ta Ha, 27-28)

    Ndërsa në kuptimin terminologjik, shkenca e fikhut ka disa përkufizime dhe ndër to zgjedhim:
    a) Njohja e dispozitave të Sheriatit që lidhen me veprat (e njeriut) dhe me argumentet e tyre të hollësishme (të zbërthyera);
    b) Shkencë që merret me dispozitat praktike të sheriatit të nxjerra nga argumentet e hollësishme.


    1.1. Sqarim i përkufizimit

    Me fjalën “njohja” është për qëllim dija e sigurt dhe ajo dominuese mbi të dyshimtën (jo njohuria paragjykuese ose dija e pambështetur supozuese).
    Ndërsa me pjesën “dispozitat e sheriatit” janë për qëllim dispozitat e përfituara nga sheriati, si p.sh. njohja se një praktikë e caktuar është vaxhib ose haram. Këtu përjashtohen njohuritë e përfituara nga logjika dhe njohuritë e përfituara nga përvoja.
    Ndërsa me fjalinë “që lidhen me veprat (e njeriut)” janë për qëllim ato gjëra që nuk lidhen në mënyrë direkte me bindjen dhe besimin (akiden), si kryerja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi, etj.. Pra, në përkufizimin e fikhut përjashtohen ato gjëra që lidhen me besimin, si teuhidi (njësimi) i Allahut dhe njohja e Emrave dhe Atributeve të Tij. Pra këto nuk përfshihen në “fikh”, sipas kuptimit terminologjik të tij.
    Dhe me pjesën “me argumentet e tyre të hollësishme” janë për qëllim argumentet të zbërthyera, të imtësuara, nga të cilat nxirren dispozitat e fikhut. Kështu që përjashtohet nga ky përkufizim shkenca e Usuli Fikhut, për shkak se ajo studion argumentet e përgjithshme të fikhut.


    2. Ndarja e Fikhut

    Më lartë qartësuam se Fikhu është shkenca e cila studion ligjet praktike islame, të cilat burojnë nga shpallja që i ka zbritur Muhamedit salallahu alejhi ue selem.
    Dijetarët, kur shkruajnë rreth kësaj shkence në librat e tyre, dallojnë në mënyrën se si e bëjnë ndarjen e tematikave që shtjellohen aty. Më e përgjithshmja është që ndarja të bëhet në dy pjesë:

    1. Kismu Ibadat – Pjesa e ceremonive fetare (adhurimeve)1,
    2. Kismu Muamelat – Pjesa rreth rregullave ndërnjerëzore (kodi i së drejtës qytetare)2
    .

    3. Burimet e Fikhut (legjislacionit islam)

    Me burimet e fikhut kemi për qëllim argumentet në të cilat mbështetet sheriati dhe nga të cilat nxirren dispozitat islame. Ato janë:

    1. Kurani
    2. Suneti
    3. Ixhmaja (pajtimi i muxhtehidëve të një kohe nga populli i Muhamedit salallahu alejhi ue selem) për një çështje legjitime
    4. Kijasi (Analogjia).

    4. Dispozitat obliguese (El ahkamut- teklifije)

    Dispozitat apo ligjet të cilat nxirren nga argumentet e sheriatit, të gjitha, nuk e kanë të njëjtën gradë të obligueshmërisë apo ndalesës, por ato dallojnë varësisht prej fuqisë dhe formës së argumentit se si ka ardhur rreth çështjes së caktuar. Prandaj dijetarët e Usulit i kanë ndarë ato në disa lloje:

    1. Vaxhib (obligim)

    Kërkesa e Ligjdhënësit për veprim në mënyrë të prerë, mosvepruesi i saj ndëshkohet, prandaj ai që e ekzekuton shpërblehet, ndërsa ai që e lë ndëshkohet.
    Me fjalë të tjera, vaxhibi është ajo që është e urdhëruar të kryhet, për përmbushjen e së cilës pason shpërblimi, ndërsa për mospërmbushje pason dënimi.

    2. Haram (ndalesë)

    Kjo është e kundërta e obligimit (vaxhibit). Është kërkesa e Ligjdhënësit për mosveprim në mënyrë të prerë dhe ai që e vepron atë ndëshkohet.
    Pra, haram është ajo që është e ndaluar të veprohet dhe për çka pason dënimi.

    3. Mesnun, mendub (e rekomanduar)

    Kërkesa e Ligjdhënësit për veprim, por jo në mënyrë të prerë dhe mosvepruesi nuk ndëshkohet. Me fjalë të tjera, ajo për të cilën ai që e bën shpërblehet, ndërsa ai që e lë nuk ndëshkohet.

    4. Mekruh (e urryer, e neveritur)

    Kjo është e kundërta e rekomandimit. Kërkesa e Ligjdhënësit për mosveprim por në mënyrë jo të prerë. Vepruesi i saj nuk ndëshkohet, por qortohet.

    5. Mubah (e lejuar)

    Kjo është kur bërja dhe lënia e një vepre është e njëjtë.


    4.1. Ndarja e dispozitave obliguese te dijetarët hanefi
    Ndarja e dispozitave obliguese në këto pesë kategori ose l
    loje është ndarje e shumicës së dijetarëve, kurse usulistët hanefi ndarjen e këtyre dispozitave e bëjnë në shtatë lloje. Ata veprat obligative (vaxibin) e ndajnë në dy lloje: farz dhe vaxhib.
    1. Farz: Ajo që e ka kërkuar Ligjdhënësi të veprohet në mënyrë të prerë, me argument të vërtetuar, të prerë dhe të veçantë, si namazi, zekati, haxhi, etj..
    2. Vaxhib: Ajo që Ligjdhënësi e ka kërkuar të veprohet në mënyrë të prerë, por argumenti nuk është i prerë dhe i drejtpërdrejtë3. Si p.sh. sadakatu fitri, leximi i Fatihasë në namaz, etj..

    Kurse te dijetarët e tjerë (xhumhuri) edhe farzi, edhe vaxhibi është i njëjtë, prandaj ata i përdorin këto dy terma si sinonime, duke mos bërë dallim ndërmjet tyre.

    Ulematë hanefi gjithashtu edhe mekruhun e ndajnë në dy lloje:

    1. Mekruh tahrimen: Është i njëjtë sikurse harami4; ajo që ka kërkuar Ligjdhënësi të mos veprohet në mënyrë të prerë, por me argument jo të prerë5. Për këtë mund të sjellim shembullin ku dijetarët hanefi thonë se veshja e rrobave të mëndafshit për mashkullin është mekruh tahrimen, ose mbajtja e stolive të arit për meshkuj, etj..

    2. Mekruh tenzihen: Ajo që ka kërkuar Ligjdhënësi të mos veprohet në mënyrë jo të prerë. Siç është agjërimi i ditës xhuma duke mos ia bashkangjitur një ditë para ose një ditë pas.

    Ashtu si sqaruam më lart, ndarja e dispozitave obliguese që e bëjnë dijetarët hanefi është kështu:
    1. Farzi.
    2. Vaxhibi.
    3. Mesnuni.
    4. Mubahu.
    5. Mekruhu tahrimen.
    6. Mekruhu tenzihen.
    7. Harami.

    4.2. Ndarja e farzit

    Ato vendime të cilat janë obligative, pa marrë parasysh a janë vaxhibe apo farze, ato ndahen në dy kategori:
    a) Fard ajn (obligim individual), bërja e së cilës kërkohet nga çdo mukel-lef (i përgjegjshëm moralisht), i moshërritur dhe psiqikisht i shëndoshë. Shumica e këtyre vendimeve sheriatike hyjnë në këtë kategori. Si p.sh. falja e namazit për secilin, agjërimi, haxhi, etj..

    b) Fard kifaje (obligim kolektiv), ekzekutimi i së cilës kërkohet nga shoqëria e përgjegjshme islame dhe jo prej secilit individ specifikisht; siç është falja e namazit të xhenazes, të mësuarit e degëve të ndryshme të diturisë së dobishme, të urdhëruarit në të mirë dhe ndalimi nga e keqja si dhe çështje të tjera të ngjashme.


    5. Sqarimi i disa termave të Fikhut

    Mukelef: Quhet personi i cili ngarkohet me zbatimin e dispozitave të sheriatit. Pra, ai që arrin moshën e pjekurisë dhe është i mençur.
    Fekih (shumës Fukaha): Personi i cili është ekspert në jurisprudencën islame, fikh.
    Fetva: Opinioni juridik i një fekihu apo i një grupi në lidhje me ndonjë çështje të sheriatit.
    Medh`heb: Drejtim apo shkollë e mendimit; përmbledhja e përgjithshme e vendimeve juridike të një dijetari të madh (imami), gjithashtu edhe nxënësit e tij dhe të gjithë dijetarët të cilët i përmbahen metodës së tij.
    Mesele (shumës Mesa`il): Temë, çështje apo problematikë e fikhut.
    Mufti: Dijetari që jep fetva.
    Ixhtihad: Përpjekja e fekihut me të gjitha mundësitë për të gjetur dispozitën e Allahut rreth një çështjeje të caktuar nga burimet e sheriatit (Kurani, Suneti, Ixhmaja, etj.).
    Muxhtehid: Dijetari i cili është i kualifikuar për të nxjerrë vendime me anë të ixhtihadit.
    Ixhma: Dakordimi (pajtimi, unifikimi) i muxhtehidëve të një kohe, nga umeti i Muhamedit salallahu alejhi ue selem, për një çështje të sheriatit.
    Mufesir: Komentator i Kuranit.
    Muhadith: Dijetar i shkencave të hadithit.
    Mukal-lid: Muslimani i rëndomtë i cili pason ndonjë dijetar ose medh`heb pa e kërkuar argumentin.
    Kijas: Krahasimi i një çështjeje që për dispozitën e saj sheriatike nuk ka argument me një çështje tjetër për dispozitën e së cilës ekziston argumenti. Ky krahasim bëhet pasi të dyja çështjet janë të njëjta dhe kanë motiv të përbashkët.
    Taklid: Të ndjekurit e ndonjë opinioni, dijetari apo medh’hebi pa hulumtuar argumentin në të cilin mbështetet.
    Ulema (njëjës Alim): Dijetarë.

Alaudin Abazi
27.7.2007

1 Në këtë pjesë hyn:
-Kapitulli i pastërtisë.
-Namazi.                      -Betimet dhe zotimet.
-Agjërimi.                     -Dispozitat e xhamisë.
-Zekati.                        -Xhihadi.
-Haxhi dhe Umreja.       -Ushqimet dhe pijet
-Rregullat e gjuetisë dhe të therjes. Për më gjerësisht shih: “Historia e Fikhut”, Eshkar, 25-28.
2 Në këtë pjesë hyn:
-Martesa dhe divorci.
-Kodi penal.
-E drejta procedurale.
-Shitblerja dhe kontrata të tjera.
-Trashëgimia dhe testamenti, etj.. Për më gjerësisht shih: “Historia e Fikhut”, Eshkar, 27-30.
3 Sikurse argumenti për ndonjë vaxhib të jetë me hadith ahad (hadithi i saktë që transmetohet vetëm me një rrugë të transmetimit)
4 Prandaj Imam Ebu Jusufi dhe Imam Muhamedi (dy nxënësit e Ebu Hanifes) këtë lloj të mekruhut ia bashjkangjesin haramit dhe nuk e konsiderojnë normë në vete.
Dhe me këtë: “…me argument jo të prerë”, bëjnë dallimin ndërmjet këtij mekruhu dhe haramit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit