Në pritje te debatit në Parlamentin qipriot për planin e shpëtimit të bankave dhe kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian, bursat europiane dhe ato aziatike kanë nisur ditën me rënie. Bursa e Londrës shënoi rënie me 1për qind, ndërsa ato në Francë dhe Itali janë nën 2 për qind. Më herët bursa e Japonisë Nikei ra me 2.7 për qind ndërsa ajo e Hong-Kongut dhe Australisë pësuan rënie me 2 për qind. Euro humbi terren ndaj dollarit. Monedha e përbashkët u këmbyer me 1.2 dollarë, duke shënuar nivelin më të ulët të këtyre tre muajve.
Pakti prej 10 miliardë eurosh, për të cilin është renë dakort me Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar u kërkon klientëve të bankave të paguajë vetëm një here, një taksë çka detyroi ata te tërheqin shuma te mëdha prej bankomateve. Kjo është hera e parë që Eurozona me 17 anëtarë sanksionon, cenimin e kursimeve të njerëzve, për të financuar një plan shpëtimi.
Plani nuk është finalizuar ende, por lajmi ndikoi jo pak të depozituesit, të cilët u vunë në radhë tek bankomatet për te tërhequr kursimet e tyre. Partia e presidentit të Qipros, “Grumbullimi Demokratik” ka 20 deputetë në Parlamentin me 56 anëtarë dhe asaj do t’i duhet edhe mbështetja e partive të tjera për të miratuar dhe finalizuar marrëveshjen. Zëdhënësi i një prej partive në koalicionin qeverisës tha se për të votuar paktin, kërkohen garanci se Qipro do të përballojë problemet me të cilat përballët.
Udhëheqësi i opozitës Jorgo Lilikas deklaroi se presidenti i Qipros, Nikos Anastasiades “ka tradhtuar votën popullore”. Megjithatë, presidenti paralajmëroi se Qipro duhet te zgjedhe te stabilizoje financat ose te dëshmoj kolapsin e sistemit financiar. Nikos Anastasiades e cilësoi krizën qe ka përfshirë vendin e tij me te renden prej pushtimit te Turqisë ne vitin 1974.
Shumë banka dhe biznese ruse kanë depozita të konsiderueshme në Qipro dhe pikërisht për këtë, presidenti Vladimir Putin e cilësoi këtë takse të pandershme, aspak profesionale dhe te rrezikshme. /Telegrafi/