4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Islami mbi dashurinë dhe respektin ndaj prindërve

Më të lexuarat

Nga Mustafa Terniqi

Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Famëlartë: “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” El-Isra.

Këto dy ajete kuranore nuk kanë nevojë më për shpjegim, mjafton që Zoti i Plotfuqishëm e ka renditur respektin ndaj prindërve si detyrë menjëherë pas adhurimit të Tij, duke lënë kështu pas shumë prej veprave të tjera madhore të Islamit. Madje në një hadith profetik tregohet se një njeri shkoi te Profeti (alejhis-salatu ues-selam) dhe i mori leje të shkonte në luftë për hir të Allahut, ndërsa Profeti (alejhis-salatu ues-selam) pasi mori vesh që ai i kishte të dy prindët gjallë i tha: “Shko bëje xhihadin tek ata të dy.” (Buhariu dhe Muslimi.) Dmth shko dhe përpiqu të fitosh kënaqësinë e të dy prindërve të tu duke ju shërbyer atyre në mënyrën më të mirë. Në një version tjetër tregohet, se kur Profeti (alejhis-salatu ues-selam) mësoi se ai kish lënë të dy prindërit e tij duke qarë i tha: “Kthehu dhe bëji ata të qeshin ashtu sikurse i ke bërë të qajnë.”

Në një hadith profetik tregohet se dikush pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Cili njeri meriton më shumë shoqërinë dhe kujdesin tim? Profeti (alejhis-salatu ues-selam) tha: “Nëna jote.” Pasi e përsëriti këtë tri herë tha: “Pastaj babai yt, pastaj ata që janë më të afërm.” Buhariu dhe Muslimi.

Në një hadith tjetër që e transmeton Muslimi, Profeti (alejhis-salatu ues-selam thotë: “Është i poshtëruar, është i poshtëruar, është i poshtëruar, ai i cili arrin moshën madhore e të dy prindërve të tij, ose të njërit prej tyre dyve dhe nuk futet në Xhenet!” Kjo fjalë profetike është e qartë dhe tregon se Xheneti qëndron pikërisht te respekti dhe nderimi që duhet t’ia kushtojmë prindërve tanë, sidomos nënës, e cila është munduar çdo herë dhe në çdo moment të mbrojë, të gëzojë, rehatojë dhe të lumturojë fëmijët e saj. Për këtë Allahu në Kuran thotë: “Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu!” Lukman 14. Në këtë ajet kuranor Allahu na kujton mundimet e nënës për fëmijën e saj. Kohën e shtatzanisë për nëntë muaj me radhë, lindjen e cila është mundim më vete dhe durimin e përkushtimin e nënës për ta mbajtur sa më mirë fëmijën e saj deri kur ai rritet dhe forcohet.

Sa herë ka ndjenjur pa gjumë në mënyrë që t’i fleje qetë dhe rehat? Sa herë është merakosur dhe sikletosur prej teje dhe ajo të ka qetësuar? Sa herë e ke shqetësuar dhe ajo të ka mëshiruar? Një nënë përkushtohet aq shumë për fëmijët e saj, sa është në gjendje të mbajë bashkë duke u dhënë rehati dhe dashuri 5 fëmijëve njëherësh, ndoshta dhe më shumë, ndërkohë dhjetë fëmijë të saj ndoshta nuk munden ta bëjnë dot të lumtur një nënë. Prindi nuk meriton të respektohet e të kujtohesh për të një herë në vit, ose një herë në muaj apo një herë në javë, por çdo ditë. Madje disa prej dijetarëve të hershëm islamë, në komentin e ajetit të lartpërmendur shpjegojnë se hakun prindërve mund t’ia japësh veç atëherë kur kujtohesh për ta dhe i falënderon pesë herë në ditë, ashtu sikurse e adhuron Allahun e Madhëruar pesë herë në ditë.

Feja islame na ka mësuar se prindi është shumë i shtrenjtë për ne, dhe se kur fitojmë kënaqësinë e tyre kemi fituar kënaqësinë e Krijuesit tonë, Allahut të Lartësuar. Nga ana tjetër feja na mëson se prindi duhet të gëzojë respektin maksimal dhe të bëjmë kujdes e mos t’ua thyejmë atyre zemrën e as t’i ofendojmë qoftë dhe me mënyra të tërthorta. Në një hadith profetik Pejgamberi (alejshis-salatu ues-selam) thotë: “Nga gjynahet më të mëdha është atëherë kur njeriu arrin të mallkojë dy prindërit e tij.” E pyetën: O i Dërguari i Allahut! E si mund t’i mallkojë njeriu dy prindërit e tij?- Profeti (alejhis-salatu ues-selam) iu përgjigj: “Njeriu e shan babain e një tjetri dhe ai ia kthen në të njëjtën mënyrë. Po ashtu ia shan edhe nënën, dhe ai ia kthen në të njëjtën mënyrë.” (Buhariu dhe Muslimi.)

Edhe sikur prindërit të jenë gabimtarë në aspekte të ndryshme ata duhen duruar dhe respektuar. Madje edhe sikur të urdhërojnë për diçka që Allahu e urren ai nuk i bindet atyre, mirëpo këtë ia tregon me butësi dhe tolerancë, dhe të mundohet sa më shumë të mos ia thyejë atyre zemrën. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri!” Lukman 14.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit