Kardinalët që të martën hyjnë në mbledhjen e fshehtë, do të ecin së bashku në Kapelën Sistinë, por do të jenë të ndarë për formacionet konkurruese dhe blloqet e pushtetit, të cilat do të përcaktojnë papën e ardhshëm.
Ndarja kryesore përball kardinalët romakë që punojnë në Vatikan dhe reformatorët – kardinalët që duan nga papa i ri të trajtojë korrupsionin në Vatikan, joefikasitetin dhe hezitimin për të ndarë pushtetin dhe informacionet me peshkopët në mbarë botën.
Por, megjithatë, fraksionet nuk kanë të bëjnë me ndarje gjeografike dhe është thënë se preferenca kryesore e romakëve është një brazilian, ndërsa e reformatorëve një italian.
Me këtë hyrje nis një shkrim, të hënën, në të përditshmen amerikane “New York Times”.
Në të thuhet se kjo mbledhje e fshehtë është më e paparashikueshme dhe më drithëruese se e kaluara, sepse tabloja e kishës ka ndryshuar në tetë vjetët e fundit.
Papa i ardhshëm, shkruan gazeta, duhet të bashkojë një kishë gjithnjë e më të globalizuar dhe të paralizuar nga skandalet dhe keqmenaxhimet. Në mesin e kardinalëve, nuk ka asnjë pasardhës të qartë të Benedicti XVI, i cili muajin e kaluar ka tronditur kishën me dorëheqjen e tij.
Me zhurmën që kanë shkaktuar skandalet në Vatikan, romakët janë të vetëdijshëm se mund të dështojnë nëse mbështesin një njeri të tyre, andaj kanë thënë se qëndrojnë pas kardinalit brazilian, Odilo Pedro Scherer, kryepeshkop i San Paolos. Zgjedhja e tij do t’i jepte Kishës Katolike papën e parë nga Amerika Latine.
Në anën tjetër, reformatorët, të udhëhequr nga amerikanët dhe disa evropianë me ndikim, thuhet se janë bashkuar rreth kardinalit italian, Angelo Scola, kryepeshkop i Milanos. Si italian, ai është i njohur me kulturën që dominonon burokracinë e Vatikanit, por nuk është pjesë e saj.
Megjithatë, vijon artikulli, shumë kardinalë janë të etur për një papë jashtë Italisë dhe akoma më mirë jashtë Evropës, për të cilin shpresojnë se do të aktivizojë 1.2 miliard katolikët e botës.
Por, kushdo që të jetë ai, do të duhet të bindë klerikët se prirja e tij si ungjilltar dhe administrator mund të largojë kishën nga skandalet e abuzimit seksual të fëmijëve dhe korrupsioni.
Gazeta kujton se mbledhja e fshehtë e tetë vjetëve më parë ka paraqitur një skenar më të thjeshtë. Atëherë ka qenë një kandidat dominues, kardinali Joseph Ratzinger, kryesues për kohë të gjatë i Zyrës për Doktrinë të Vatikanit dhe bashkëpunëtor i ngushtë i papës së mëparshëm, John Paulit II. Ai është zgjedhur në ditën e dytë të mbledhjes së fshehtë dhe ka marrë emrin Papa Benedicti XVI.
“New York Times” po ashtu kujton se fituesi duhet të ketë 77 vota nga 115 kardinalët zgjedhës. Kardinalët në bllokun romak, të cilët punojnë në burokracinë e Vatikanit, janë vetëm 38 dhe nuk vijnë vetëm nga Italia, por edhe shtete të tjera.
Sipas ekspertëve, edhe ata janë të ndarë në fraksione rivale – në mes të atyre që janë besnikë ndaj sekretarit të shtetit, kardinalit Tarcisio Bertone, dhe atyre që mbështesin kreun e Kolegjit të Kardinalëve, kardinalin Angelo Sodano. Ky i fundit është mbi 80 vjeç dhe nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e fshehtë.
Nëse as romakët, as reformatorët nuk kanë vota të mjaftueshme për të zgjedhur favoritët e tyre, atëherë janë kandidatët e kompromisit, shkruan gazeta.
Një emër i përmendur, madje edhe para dorëheqjes së Benedictit, ka qenë ai i kardinalit kanadez, Marc Ouellet. Ai është një konservator doktrinal, i cili ka ligjëruar për filozofinë në Kolumbi dhe mund të ketë mbështetjen e disa kardinalëve të Amerikës Latine. Kardinali Ouellet ka punuar disa vjet në Vatikan dhe ka udhëhequr departamentin e peshkopëve qysh në vitin 2010. Dhe, ai mund të shihet si kandidat i pranueshëm edhe për romakët, edhe për reformatorët.
Një tjetër kandidat që ka tërhequr shumë vëmendje është kardinali hungarez, Peter Erdo, 60 vjeç, i cili pavarësisht moshës relativisht të re, është zgjedhur dy herë president i Konferencës së peshkopëve evropianë. Ai, po ashtu, ka kultivuar lidhje të ngushta me klerikët afrikanë.
Edhe pse Ouellet dhe Erdo janë të pëlqyer nga kolegët e tyre, askush nuk mund të thotë me siguri se kush do të jetë i zgjedhuri në mbledhjen e fshehtë, shkruan “New York Times”./rel