-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Një jetë kushtuar çështjes kombëtare, një vdekje duke qenë agjërueshëm: Tregimi për Rashid Goranin, që ndezi topin për ta lajmëruar iftarin e parë në liri

Më të lexuarat

I rritur në një ambient që po kalonte nëpër kalvarin e zullumit dhe represioneve të sistemit komunist, tek Rashidi po ngjizej ndjenja e kundërshtimit me çdo formë të këtyre padrejtësive.

Familja Gorani ishte vatra ku ai po brumosej me ndjenja të forta të atdhedashurisë dhe fetarisë, e të cilat do ta shoqëronin në të gjithë jetëpërshkrimin e tij me plot kontribute dhe sfida.

Babai i Rashidit(Daudi) ishte zejtar i njohur në qytetin e Pejës, në dyqanin e të cilit punoheshin gërshërë, brisqe, njëkohësisht revole dhe pushkë. Nga zgjuarësia dhe angazhimi i madh, Daudi arriti që ta konstruktonte një top, nga buçima e të cilit sinjalizohej iftari në qytetin e Pejës me nahi (lexo: rrethinë).

Ishte traditë e kësaj familje me nam në qytetin perëndimor, që për vite me radhë, përmes gjuatjes së gjyles së topit, të paralajmërohej se mund të filloj ngrënia e ushqimit nga muslimanët e kësaj pjese, gjatë muajit të shenjtë.

Në kohën kur Kosova ishte pushtuar nga italianët – diku rreth vitit 1942 – këta të fundit të ndikuar nga serbët dhe malazezët, kishin fuqizuar një vendim që përfundimisht të ndalohej ky “ritual”.

Kjo ndalesë ka bërë që familja e Daudit, “armën” e Ramazanit, ta fshehnin në bunarin e shtëpisë, si vend dhe mundësi për të mos humbur nga kujtesa fizike dhe as shpirtërore, vepra dhe mjeti me të cilën u shërbehej besimtarëve muslimanë aso kohe.

Por, si ndodhi që Rashidi, i cili shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoj në qytetin e Haxhi Zekës, ngjyrat e një nacionalizmi të shendoshë, t’i gravonte çdo ditë e më shumë në vizionin dhe në ëndërrat e tij, ka treguar i biri i tij.

Besim Gorani, duke rrëfyer për të atin thotë se ndikim thelbësor tek babai, pas familjes, në ngjalljen e ndjenjës së dashurisë për shqiptarët dhe shqiptarizmën, ka pasur mësuesi i tij, Ramë Geca – një atdhedashës dhe punëtor i palodhur i arsimit shqip.

“Babai ka qenë pjesë e shoqatës ‘Bashkimi Shqiptar’, organizatë e pastër nacionaliste, por në asnjë rast e ndikuar nga komunizmi i Enver Hoxhës, e cila ideal të saj e kishte bashkimin e trojeve shqiptare”, sqaron ai.

Besimi ka treguar se drejtues i organizatës së lartcekur, ka qenë vlonjati Skënder Skenderaj (kushëri i këngëtarit Alban Skenderaj), së bashku me disa anëtarë tjerë, e që secili prej tyre sipas tij, falte namazin dhe kryente obligimet fetare me përpikëri.

“Nëse kthehemi në rrafshin lokal, anëtarë të këtij formacioni ishin përveç babait edhe Hajrullah Gorani (i ati i publicistit dhe politikanit Dukagjin Gorani) – djali i xhaxhait të Rashidit, Muharrem Sylqa dhe Shemsedin Agusholli, të cilët u dekonspiruan në vitin 1948, për të kaluar në arrati për një vit, dhe për tu arrestuar në vitin 1949”, ka thënë ai.

Në burg tashmë kishte rënë edhe mësuesi Ramë Geca, që po e inspironte Rashidin dhe një pjesë të nxënësve të tij më ndjenja të kundërshtimit të komunizmit jugosllav, i cili po i privonte shqiptarët dhunshëm nga e drejta e tyre për të jetuar bashkë dhe të lirë.

Geca ishte dënuar me 3 vite burg, derisa Rashidi dhe Hajrullahu u dënuam me 8 respektivisht 6 vjet.
Kur u vë prapa grilave, Rashidi ishte ende i mitur, dhe kjo bëri që ai të vuaj vetëm tri vite burg, për tu liruar më pas dhe vazhduar pjesën tjetër të jetës i survejuar dhe i burgosur përsëri kohë pas kohe.

Besim Gorani, tregon se nga kujtimet që i ka rrëfyer babai i tij, ka qenë se sa herë që Marshalli Tito e vizitonte një qytet në afërsi të Kosovë, Rashidi arrestohej dhe mbahej në burg në periudha një mujore.

Gjatë kohës që ai qëndronte në “hapsane”, u burgosën edhe patriotë dhe aktivistë të shquar të çështjes kombëtare, si Sylë Mehmeti(Nikçi), Hafëz Jakubi, Nezir Hoti – xhaxhai i Ukshin Hotit, me të cilët i vazhdoj t’i kultivoj raportet deri në frymën e fundit të tij.

“Të gjithë këta kanë bërë namaz dhe kanë agjëruar, pavarësisht torturave që i kanë përjetuar”, ka theksuar ai.

Sipas tij, “baba ka agjëruar edhe në burg, duke mos e prishë një ditë të vetme, por poashtu e ka falur namazin”.

“Pasi doli në liri, ai nga frika se mos ka gabuar në ndonjë rast gjatë agjërimit të Ramazanave që i kishte kaluar në burg, ai ka agjëruar për dy vite rresht”, ka theksuar Besimi.

“Nga historia e treguar e di që atë e kanë lidhur me pranga, dhe kanë tentuar që t’i japin ujë, që ta prishë agjërimin, por nuk ka pranuar, derisa ka ardhur një moment dhe pastaj nuk kanë insistuar t’ia ndryshojnë bindjen”, ka shtuar ai.

Pas lirimit të tij në vitin 1953, për shkak të karakteristikave të “këqija” në raport me atë sistem, Rashidi për një kohë të caktuar iu kishte marrë e drejta për të punuar dhe shkolluar.
Madje, pavarësisht dashurisë së tij për të vazhduar më tutje studimet, mungesa e mjeteve financiare ia pamundësoi këtë gjë.

Tragjike ishte se gjatë kohës që ai ishte në burg, babai i tij Daudi kishte ndërruar jetë, gjë që e vështirësonte jetën dhe kujdesin për familjen.

Aktiviteti i tij kombëtar vetëm se intesifikohej, dhe kështu në vitin 1968, ai në dasmën e Suad Goranit, kishte ngritur flamurin kombëtar, ndonëse kjo gjë penalizohej me burg.

Rashidi vazhdonte me tempo të njëjtë, duke qenë ndër organizatorët kryesor të demonstratave të vitit 1968, ku në atë protestë nuk kishte munguar flamuri me shqiponjën dykrenare, që ishte një kushtrim i ri dhe rirreshtim i shqiptarëve përballë shtypjes jugosllave.

Ai morri pjesë edhe në protestat e vitit 81, u bë më pas pjesëmarrës dhe ndihmoj në formimin e strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Momenti kur krisi pushka e lirisë, atë e gjëjmë aktiv në këtë lëvizje, duke e ndihmuar Ushtrinë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK).

Trimëria e tij ishte e pashoqe, dhe nuk mungonte as në rastet kur atij i rrezikohej seriozisht jeta.

Rashid Gorani, në mesin e flakëve që kishin rënë mbi Drenicë, ishte pjesëmarrës në varrimin dhe në rivarrimin e familjes së Adem Jasharit.

Më pas ai morri pjesë në varrimin e të masakruarëve në fshatin Izbicë, për të vazhduar më pas me pjesëmarrjen në varrimin e dëshmorëve të parë në Gllogjan.

Ai kishte ushtruar detyrën e kryetarit të Këshillit të Ndërmjetës të Ngatërresave, organ që merrej, gjatë viteve të 90-ta, më shërimin e hasmërive, që ishin plagë e madhe në mes shqiptarëve.

Gorani shërbeu si kryetar i Shtabit të Emergjencave, e formuar si logjistikë e UÇK-së.

Ai, sipas të birit të tij, ishte rrahur shpesh herë nga pushteti i asaj kohë, vetëm pse e ndihmonte arsimin shqip në të gjitha nivelet.

Por, ishte 9 dhjetori i vitit 1999, koha kur agjëruesi dhe besimtari i devotshëm, që nuk la namaz dhe Ramazan që t’i ikte, vendosi ta jetësonte traditën familjare, e ajo ishte sinjalizimi i hyrjes së iftarit përmes buçimës së topit.

Topi, tashmë i kondensuar dhe i dëmtuar rëndë, po dërgohej në një pjesë periferike të qytetit, ajo që njihet si tabje, për ta sinjalizuar iftarin e parë në liri.

Duke qenë agjërueshëm, me abdes, në ditë xhumaje, Rashidi i cili kaloj nëpër kazamatet dhe torturat serbo – jugosllave, e përgatit topin për ta dhënë lajmin e parë se erdhi iftari i parë në liri.

Por buçima e topit të vjetër me shumë se 50 vite, bëhet shkaktar që ai të ndërron jetë tragjikisht.

Familjarët tregojnë se në xhepin e tij kishin gjetur dy hurme, më të cilat Rashidi 68 vjeçar duhej ta çelte iftarin.
Ai shkoi te Zoti i Gjithësisë duke qenë agjërues, dhe duke e përmbyllur një cikël jetësor që e bën atë një figurë markante dhe jo rrallë të përsëritshme në historinë e popullit tonë.

Besimi, duke mos e fshehur krenarinë që është edukuar në duart e një prindi të tillë, ka thënë se personaliteti i të atit është ndërtuar nga binomi komb dhe fe, dhe se sipas tij, feja islame ka ndikuar që ai të jetë një shqiptar i mirë dhe vetmohues.

“Unë mendoj se nuk duhet ta paragjykojmë fenë islame, se kinse ajo po i largoka njerëzit nga ndjenjat kombëtare dhe atdhedashuria. Mendoj se është e kundërta, ku për këtë e kam dëshmi figurën e babait tim”, ka shtuar ai./www.30ditet.com/.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit