0.3 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Mirësitë e veprave të mira në Ditën e Kiametit

Më të lexuarat

Athua, ata që kanë bërë vepra të mira, nesër, në Ditën e Kiametit, në atë llahtari dhe tmerr të vërtetë, do të jenë të dalluar? Veprat e tyre dhe fjalët e punët e mira do t’i bëjnë ata të privilegjuar apo jo?

Përgjigja, sigurisht se po, besimtarët që kanë bërë vepra të mira do të jenë të nderuar dhe ngritur mbi të tjerët. Respektivisht, do të gëzojnë mirësi të shumta, ndër të cilat:

1. Siguria në ditën e trishtimit të madh

Dita e Kiametit ruan tmerrin dhe frikën më të madhe që mund të përjetohet, e prej të cilës kursehen vetëm ata që kanë bërë vepra të mira. Zemra e tyre do të jenë të qeta. Thotë Allahu i Madhëruar:
“E atyre të cilëve u priu e mbara nga ana Jonë, do të jenë larg tij (Xhehenemit). 102. Ata nuk do ta dëgjojnë as zhurmën e tij, dhe ata do të jenë përgjithmonë të kënaqur me atë që e dëshirojnë vetë. 103. Ata nuk do t’i shqetësojë ajo frika e madhe (e fryerjes së surit), dhe do t’i presin engjëjt (duke i uruar): “Kjo është dita juaj që ju premtohej”.” (el-Enbija, 101-103)
Ka thënë Ibni Kethiri [Allahu e mëshiroftë]: Këta janë njerëzit që iu priu lumturia prej Allahut të Madhëruar ndërsa në dynja lanë veprat e mira (që u bënë shkak për këtë shpëtim të tyre, ngase është rregull se kush bën mirë gjen të mirën):
“Atyre që bëjnë vepra të mira, u takon e mira (Xheneti) edhe më tepër (e shohin All-llahun)…“(Junus, 26)
“A mund të jetë shpërblimi i veprës së mirë diç tjetër, pos të së mirës!“ (err-Rrahman, 60)
Ashtu siç bënë punë të mira në dynja, kështu i shpërbleu Allahu i Madhëruar dhe i shpëtoi nga ndëshkimi i zjarrit të Xhehennemit.
E sheh, veprat e mira janë shkak për sigurinë tënde në momentet më të vështira.

2. Përforcimi në Sirat

Në Ditën e Llogarisë, Sirati do të vendoset mbi Xhehenem për të kaluar drejt Xhenetit, por, athua vallë ç’rëndësi do të kenë veprat e mira në ato çaste tepër të rënda?
Thotë Allahu i Madhëruar:
“ (Përkujto) Ditën kur i sheh besimtarët dhe besimtaret që drita e tyre flakëron para tyre dhe në të djathtë të tyre. (U thuhet) Myzhde e juaj sot janë xhennetet nën të cilat rrjedhin lumenj, aty do të jeni përgjithmonë. E ajo është fitore e madhe.“ (el-Hadid, 12)
Çudi me këto vepra të mira si shndrisin në fytyrat e tyre. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam], siç shënon Imam Muslimi, ka thënë: “…veprat e tyre i përshpejtojnë ata…”
Pra, njerëzit ecin shpejt ose ngadalë në Sirat varësisht nga veprat që kanë bërë.
Paramendo çfarë mjeti përforcues do të jenë veprat e mira në kohën kur këmbët nuk të mbajnë dot! O Zot, na përforco në Sirat!

3. Rëndimi i peshores

Peshorja në Ditën e Llogarisë i ka dy krah, në njërin vendosen të mirat ndërsa në tjetrin të këqijat, kështu që vlerësimi përfundimtar merret nga krahu që peshon më shumë. Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Atë ditë peshimi (masa) është i drejtë. Atij që i rëndohen peshojat, ata janë të shpëtuar.“ (el-A’rafë, 8)
Lum për vepërmirin atë ditë kur veprat e tij të mira do t’ia shkruajnë fatin e përgjithmonshëm, por, më thuaj si do të jetë gjendja e atij që nuk ka të mira! Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Kujt i vijnë lehtë peshojat, ata e humbën vetveten, ngase i refuzuan argumentet Tona me të padrejtë.“(el-A’rafë, 9)

4. Marrja e librit nga ana e djathtë

Në Ditën e Kiametit do të bëhet shpërndarja e fletushkave të veprave për tu bindur njeriu për atë që ka bërë (Kur’ani: et-Tekvir, 10). Shpërndarja ka dhe një aspekt teknik që paraprakisht aludon të mirën ose të kundërtën e saj. Një grup i marrin në të djathtë ndërsa tjerët në të majtë, e çfarë nënkupton kjo simbolikë, le të mësojmë nga Kur’ani:
“Kujt t’i jepet libri i vet nga e djathta e tij, ai do të thotë: “O ju, qe, lexojeni librin tim!“ (el-Hakkah, 19)
Ky e mori librin në anën e djathtë ngase ka qenë prej atyre që kanë punuar vepra të mira në dynja, siç thotë Allahu i Madhëruar në vazhdim të kontekstit të kësaj ngjarjeje:
“(E thuhet) Hani e pini shijshëm, ngase në ditët e kaluara ju e përgatitët këtë.“(el-Hakkah, 24)
Shiko, Allahu i Madhëruar i shpëtoi në këto momente pë shkak të angazhimit dhe orvatjes së tyre për të bërë vepra të mria në kohën sa jetonin në dynja.

5. Hyrja në Xhennet

Xhenneti është vatra e përgatitur vetëm për ata që kanë bërë vepra të mira. Allahu i Madhëruar ka thënë:
“E ky është xhenneti që u është dhënë për atë që keni punuar.“ (ez-Zuhruf, 72)
“Me përjashtim të atij që pendohet dhe beson e bën vepra të mira, të tillët do të hyjnë në xhennet dhe atyre nuk u bëhet kurrfarë e padrejtë.“(Merjem, 60)
“E, përgëzoi ata që besuan dhe bënë vepra të mira se ata do të jenë në xhennete në të cilët rrjedhin lumenj. …“(el-Bekare, 25)
Kur besimtari ta ndiej me tërë shpirtin e tij se të mriat janë shkak që ai të hyjë në Xhennet, atëherë ai do të intensifikojë përpjekjet për shtuar të mira në mënyrë që ta arrijë këtë mirësi të madhe, këtë shpëtim të madh. Allahu i Madhëruar ka thënë:
“…Kush i bindet All-llahut, (urdhërave të Tij) dhe të dërguarit të Tij, atë e dërgon në xhennete nën të cilin burojnë lumenj. Aty do të jenë përgjithmonë. E ky është shpëtim i madh.“(en-Nisa, 13)
“Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, ata kanë xhennete nën të cilët burojnë lumenj, e ai është suksesi më i madh.“ (el-Buruxh, 11)

6. Shikimi në Allahun e Madhëruar

Xhenneti nuk është fundi i mirësive. Në të ka dhe një tjetër mirësi, e cila, absolutisht është më e madhja. Ka thënë Pejgamberi [alejhis salatu ve selam]:
“Kur banorët e Xhennetit të kenë hyrë në Xhennet, tha (Pejgamberi [alejhis salatu ves selam]) thotë Allahu i Madhëruar: Dëshironi gjë tjetër tua jap! Thonë: A nuk na ke zbardhë fytyrat, a nuk na ka futur në Xhennet dhe na ke shpëtuar nga zjarri?! Tha: Atëherë hiqet perdja dhe shikojnë në Allahun ndërsa nuk iu është dhënë mirësi më e madhe se kjo!” (Muslimi)
Pasha Allahun! Këto momente kur besimtarët shikojnë në Allahun e Madhëruar janë momentet më të mira të mundshme, momente që meritojnë të garohet për to ditë e natë!
O vepërmirë! Këto janë disa prej dobive që nesër, në Ditën e Kiametit, do t’i disponosh për shkak të veprave të mira, andaj nxito dhe përpiqu të ngadhënjesh me kë[to mirësi të Zotit tënd!
“E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën.“ (el-Mutaffifinë, 26)

Burimi: www.denana.com
Përshtati në shqip: Sedat ISLAMI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit