Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Jalina Porter në një deklaratë lidhur me djegien e tokave palestineze në Bregun Perëndimor nga kolonët e paligjshëm izraelitë tha se janë thellë të shqetësuar nga kjo situatë dhe se është e rëndësishme që Izraeli të distancohet nga hapat e njëanshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Kemi shqetësime të thella nga këto lloj lajmesh. Do të vazhdojmë të themi se është kritike distancimi i Izraelit nga hapat e njëanshëm të cilat do të rrisin tensionet dhe do të na largojnë edhe më shumë ne nga paqja”, tha Porter lidhur me djegien e fermave palestineze në Bregun Perëndimor nga kolonët izraelitë.
Kolonët hebrenj u kanë vënë zjarrin tokave dhe ullishteve në fshatin Burin i cili ndodhet në jug të qytetit Nablus në Bregun Perëndimor.
Në Bregun Perëndimor që Izraeli e ka pushtuar në vitin 1967, ndodhen më shumë se 250 vendbanime të paligjshme hebreje. Mbi 450 mijë kolonë që jetojnë në këto vende e vështirësojnë edhe më shumë jetën për palestinezët të cilët jetojnë nën pushtim në Bregun Perëndimor.
Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebreje që ndodhen në territoret palestineze nën pushtim konsiderohen të paligjshme.