Gjatë studimit tim 5-vjeçar “Rich Habits” kam njohur 233 milionerë, me një pasuri neto mesatare 4.3 milionë dollarë dhe kam mësuar të njoh historinë e tyre në fillim, sistemet e tyre të vlerave, rrugëtimin e karrierës dhe mënyrën e afrimit drejt parasë.
Një nga karakteristikat kryesore që të gjithë e kishin të përbashkët ishte perspektiva pozitive për jetën. Pjesa më e madhe e milionerëve në studim e përshkruajnë veten optimistë dhe me bindje të thellë se gjithçka është e mundur.
Dhe duke parë suksesin e tyre u befasova se zakonet e tyre janë të zbatueshme për shumë njerëz që duan të krijojnë pasurinë e tyre.
Ja disa rezultate interesante që mësova nga kërkimi im.
1. Milionerët kanë nevojë për kohë
Kam zbuluar se milionerët ndaheshin në katër kategori kur bëhet fjalë për qasjen e tyre ndaj parasë: Kursimtar-Investitor; Themelues të kompanive të mëdha; Virtuozë dhe Sipërmarrës. Më shumë se tre e katërta, 80% e pjesëmarrësve në studim ishin 50 vjeç ose më shumë dhe e kanë krijuar pasurinë gjatë kohës. Kursimtarëve-Investitorëve u janë dashur mesatarisht 32 vite për t’u bërë milionerë; për Themeluesit e kompanive të mëdha, 22 vjet; për Virtuozët 21 vjet dhe për Sipërmarrësit, 12 vjet.
2. Milionerëve u pëlqen ajo që bëjnë
Pjesa më e madhe e milionerëve, 86%, deklaroi se u pëlqente ajo që bënin për të jetuar. Rreth 6 nga 10 thanë se kanë ndjekur atë që e cilësuan si një ëndërr apo një pasion për punën e tyre. Vlera mesatare neto e sipërmarrësve që e kanë shndërruar atë pasion në një ide biznesi të suksesshme është 7.4 milionë dollarë.
3. Milionerët mësojnë vazhdimisht
Në përgjithësi, pjesa më e madhe e milionerëve shprehën synimin për të mos reshtur së mësuari, për t’u rritur dhe për t’u përmirësuar. Thuajse 9 nga 10, ose 88%, thanë se lexojnë çdo ditë për të rritur e për të thelluar njohuritë në punën dhe sektorin e tyre. Më shumë se tre të katërtat, 85%, thanë se lexonin minimumi dy libra në muaj, 63% thanë se u pëlqen të dëgjojnë libra audio apo podcast ndërkohë që shkojnë në punë, bëjnë ushtrime apo punë në shtëpi.
4 . Milionerët u japin përparësi shëndetit
Shumë prej milionerëve shprehën interesin për aktivitetet sportive. Më shumë se gjysma, 63%, deklaroi se kishin bërë aktivitete sportive dhe se vazhdojnë të praktikojnë sport në kompeticione për të rritur. Më shumë se tre të katërtat, 76%, deklaruan se bëjnë ushtrime fizike të paktën 30 minuta në ditë, katër ditë në javë. Jogging dhe xhirot me biçikletë ishin të përhapura ndër gjithë pjesëmarrësit në studim. 93% deklaroi se fle të paktën 7 orë gjatë natës.
5. Milionerët investojnë në komunitetet e tyre dhe u japin këshilla të tjerëvë
Filantropia është një objektiv i madh për shumë milionerë. Thuajse tre të katërtat, 72% tha se bëjnë punë vullnetare për pesë orë ose më shumë në muaj në organizatat lokale jofitimprurëse. 27% e tyre bënin pjesë në bordin drejtues të organizatave bamirëse lokale, në komunitet, duke i ndihmuar ata të drejtonin organizatat e tyre.
Një tjetër mënyrë e përfshirjes së milionerëve në komunitet është nëpërmjet pjesëmarrjes në procesin elektoral. 83% e tyre deklaroi se kanë votuar rregullisht në zgjedhjet e përgjithshme apo ato lokale. Pjesa më e madhe e milionerëve thanë se ishin të interesuar për të bërë mentorin tek të tjerët, duke u frymëzuar nga njerëzit që i kanë mbështetur në krijimin e pasurisë dhe objektivave të tyre të karrierës.
6. Milionerëve u pëlqen të planifikojnë përpara
Milionerët në studim shprehën të gjithë përkushtimin ndaj punës. Rreth tre e katërta, 73% e milionerëve deklaruan se punonin mesatarisht 58 orë në javë. 44% deklaruan se çoheshin të paktën tre orë përpara ditës së punës. Sapo dita fillon, ajo shpesh është e organizuar. Më shumë se tre të katërtat, 81%, thanë se mbajnë një axhendë të gjërave që duhet të bëjnë. Rreth një e katërta, 24% e milionerëve që e kanë krijuar vetë pasurinë (self-made millionaires) thanë se mbanin edhe një listë të gjërave që nuk duhet të bënin për t’i ndihmuar të shmangnin humbjen e kohës dhe për t’u përqendruar te gjërat që kanë më shumë rëndësi për ta.
7. Milionerët ndërtojnë ekipe solide
Pjesa më e madhe e milionerëve në studim deklaroi se krijimi i një komuniteti me persona pozitivë dhe të orientuar tek
objektivat ishte pjesë e rëndësishme e suksesit të tyre. 8 nga 10 deklaruan se kishin punësuar një ekip me njerëz inteligjentë dhe të përkushtuar, të cilëve u kanë besuar për t’i ndihmuar në realizimin e vizionit, duke përfshirë edhe avokatë, tregtarë, profesionistë në marketing dhe këshillues financiarë.
8. Milionerët janë të kujdesshëm me paratë
Thuajse gjysma, 49%, e self-made millionaires ishin kursimtarë- investitorë të cilët kanë kursyer 20% apo më shumë të pasurisë që nga dita e parë kur kanë nisur të punojnë. Të gjithë milionerët e intervistuar kanë një lloj forme kursimesh për kohën kur do të dalin në pension. Pjesa më e madhe e milionerëve kanë më shumë se një burim të ardhurash. Thuajse dy e treta, 65%, ka tre burime të ardhurash; 45%, 4 burime të ardhurash; 29%, 5 burime të ardhurash.
9. Milionerët përqafojnë ndryshimin
Thuajse dy të tretat, 63% e milionerëve në studim deklaruan se kanë ndërmarrë rreziqe të mirëstudiuara ndërkohë që krijonin pasurinë e tyre. 27% deklaruan se kanë dështuar të paktën një herë në biznes. Megjithatë nuk e kanë lënë që kjo gjë t’i shkrurajojë. Më shumë se tre të katërtat, 80%, deklaruan se po punonin intensivisht për një objektiv të rëndësishëm në çdo moment.
/ *Tom Corley, Grow
Tom Corley është Certified Public Accountant dhe konsulent financiar i certifikuar, i cili zotëron një master në fushën e fiskalizimit. Ai është autor i librit shumë të shitur dhe vlerësuar “Rich Kids: How to Raise Our Children to Be Happy and Successful in Life” dhe ”Rich Habits: The Daily Success Habits of Wealthy Individuals.”