1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

9 lutje profetike për ankthin dhe stresin

Më të lexuarat

Më poshtë do të lexoni disa lutje që mund t’i bëni kur përjetoni stres dhe ankth. Ato janë një mënyrë për të davaritur frikën, për të kërkuar falje tek Allahu, por gjithashtu edhe ndihmën, mbështetjen dhe udhëzimin e tij. Këto janë fjalët e Profetit a.s, prandaj kushdo që i bën këto lutje në gjendje nevoje, Allahu do t’i përgjigjet lutjes së tij të sinqertë. Qofshin ato të dobishme për të gjithë ne, sepse në jetën e besimtarit ka gjithmonë nevojë për mbrojtje, udhëzim dhe mëshirë nga Allahut.

Ata që i kthehen Allahut sinqerisht duke u përgjëruar për ndihmën e tij, duhet të dinë që në të vërtetë Allahu është pranë shërbëtorit të tij, sepse:

“Kur Allahu dëshiron ta pastrojë dhe lartësojë dikë, e sprovon atë me vështirësi”.

Një këshillë e përgjithshme nga Profeti Muhamed a.s kur jeni të stresuar ose vuani nga ankthi:

“Nëse dikush kërkon vazhdimisht falje, Allahu do t’i mundësojë një rrugëdalje për çdo problem, dhe lehtësim për çdo ankth, dhe do ta furnizojë andej nga nuk e imagjinon.”

Kur jeni të stresuar, të brengosur ose përballeni me vështirësi:

Ibn Abasi raporton se Profeti a.s, në kohë pikëllimi dhe brengosjeje bënte këtë lutje:
“Nuk ka zot përpos Allahut, Të Gjithëfuqishmit, Të Butit, nuk ka zot përpos Allahut, Zotit të Fronit të Lartë, nuk ka zot përpos Allahut, Sunduesit të qiejve, tokës dhe fronit të nderuar.” (Buhariu dhe Muslimi)

Enesi thotë se kur Profeti a.s përballej me ndonjë vështirësi serioze, ai thoshte gjithmonë lutjen:
“O I Gjallë, o I Përjetshëm, kërkoj strehim në mbrojtjen Tënde.” (Tirmidhiu)

Ebu Hurejre transmeton se kurdo që Profeti a.s përballej me ndonjë situatë të vështirë, ngrinte kokën nga qielli dhe lutej: “Lavdia i takon Allahut, Të Gjithëfuqishmit.”
Ndërsa kur përgjërohej fort dhe me këmbëngulje, ai thoshte:

“O i Gjalli që s’vdes kurrë, O i Përjetshëm.” (Tirmidhiu)

Ebu Bekri transmeton se Profeti a.s ka thënë:
“Duaja e ankthit dhe stresit është: ‘O Allahu, shpresoj në mëshirën tënde, prandaj mos më lër të mbështetem në veten time as kur përplas qepallat e syve. Drejtoji të gjitha çështjet e mia. Nuk ka zot përveç Teje.”’ (Ebu Daudi)

Esma, vajza e Amaisit, përcjell se Profeti a.s e ka pyetur:
“Do të të them disa fjalë që mund t’i thuash në kohë të vështira dhe të trishtuara? Ato janë: “Allah, Allah, Ti je Zoti im. Nuk të shoqëroj askënd në adhurim!”

Sipas një tjetër transmetimi, këto fjalë duhen thënë 7 herë.

Sad ibn Uekasi përcjell se Profeti a.s ka thënë:
“Lutja e bërë nga Profeti Junus a.s në barkun e balenës ishte: “Nuk ka Zot tjetër përveç Teje. Ti je më i larti, Ai që s’njeh dobësi. Vërtet unë isha nga të padrejtët.”

Nëse një musliman thotë këtë dua, lutja e tij do të pranohet.

Në një transmetim tjetër lexojmë: “Unë di disa fjalë përmes të cilave Allahu të largon dëshpërimin. Janë fjalët me të cilat u lut Junusi, vëllai im.” (Tirmidhiu)

Ibn Mesudi përcjell se Profeti a.s ka thënë:
“Nëse ndonjë nga shërbëtorët e Allahut, i goditur nga pikëllimi ose dëshpërimi, bën këtë lutje, atëherë ajo do të pranohet.

‘O Allah, unë jam shërbëtori yt, i biri i shërbëtorit tënd dhe i shërbëtores tënde. Balli im është në dorën tënde. Urdhrat e tua mbizotërojnë mbi mua dhe vendimet e tua për mua janë të drejta. Unë të drejtohem me çdonjërin prej emrave të bukur me të cilët ke përshkruar veten, që ke shpalosur në librin tënd, ose që ua ke mësuar krijesave të tua, ose që ke zgjedhur t’i ruash pranë vetes si pjesë të dijes së fshehtë, që ta bësh Kur’anin kënaqësinë e zemrës time, dritën e kraharorit tim, dhe qetësimin e pikëllimit, dëshpërimit dhe vuajtjeve të mia.’”

Kjo lutje nuk do të mbetet pa përgjigje. Allahu do t’ia largojë vuajtjet atij që bën këtë lutje dhe do t’ia zëvendësojë ato me lumturi. (Ahmedi dhe Ibn Hibani)

Enesi përcjell se Profeti a.s shpesh lutej duke thënë:
“O Allah, nuk ka lehtësim përveç asaj që ti e cakton si lehtësim. Vetëm Ti mund t’i lehtësosh vështirësitë.” (Fiku Suneh, Vëllimi 4, F.131)

Në kohë të vështira Profeti a.s thoshte:
“Askush nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, të Madhërishmit, të Gjithëmëshirshmit. Askush nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, Zotit të Fronit të Fuqishëm. Askush nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, Zotit të Qiejve dhe Zotit të Fronit të Lartësuar.” (Buhariu, Vëllimi 9, F.526)

Mos harroni që sëmundja shlyen veprat e këqija dhe fshin mëkatet.

Ebu Hurejra përcjell se Profeti a.s ka thënë:

“Kur Allahu dëshiron ta pastrojë dhe lartësojë dikë, Ai e përball atë me vështirësi”.

Ai a.s gjithashtu ka thënë:

“Për çdo fatkeqësi, sëmundje, ankth, pikëllim, lëndim, ose vuajtje që muslimani përjeton, madje edhe për dhimbjen e shkaktuar nga shpimi i një gjembi, Allahu e pastron atë nga mëkatet.”

Ibn Mesudi thotë: “Vizitova Të Dërguarin e Allahut ndërsa ishte me temperaturë dhe i thashë: ‘O I Dërguari i Allahut, ke temperaturë të lartë’. Ai m’u përgjigj: ‘Unë përjetoj temperaturë sa dy persona nga ju.’ E pyeta, ‘Mos ndoshta sepse edhe shpërblimi yt është dyfish?’ Ai u përgjigj: ‘Po, është e vërtetë. Për çdo lëndim që muslimani përjeton, qoftë edhe shpimin e një gjembi, Allahu i fshin mëkatet që bien prej tij njësoj si gjethet nga pemët.”

Ebu Hurejre thotë: “Njëherë Profeti a.s tha: ‘Shembulli i besimtarit është si i një bime të freskët dhe të butë që era e përkul në drejtimin nga fryn. Por kur era ndalet, bima drejtohet sërish. (Ngjashëm, edhe besimtari sprovohet me vuajtje për të forcuar zemrën dhe besimin e tij, dhe ai tregohet i durueshëm dhe i palëkundur.) Ndërsa njeriu i keq është si një pemë pishe, që mbetet e ngurtë dhe e ngrirë, derisa Allahu e thyen kurdo që të dëshirojë.” (Fiku Suneh, Vëllimi 4, F.1)

Burimi: islam.ru/en

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit