Qindra besimtarë myslimanë nga Shqipëria udhëtojnë në vendet e shenjta, në Mekë dhe Medine për të kryer ritualin e Haxhit.
Rreth 450 haxhilerë nga Shqipëria, një numër më i lartë se vitet e tjera kanë mbërritur tashmë në vendet e shenjta, në Mekë dhe Medine për të kryer kushtin e pestë të shtyllave të Islamit, obligimin e Haxhit.
Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, besimtarë të shumtë dhe familjarë e të afërm të haxhilerëve të këtij viti, kishin dalë për të përcjellë e për të uruar vëllezërit dhe motrat e tyre, që po niseshin për “Udhëtimin e jetës“, kryerjen e një obligimi të madh, obligimin e Haxhit.
Çmimi në total për kryerjen e Haxhit për besimtarët myslimanë nga Shqipëria këtë vit ishte caktuar 3.000 euro.
Për Radio “Zëri i Turqisë”, përpara rrugëtimit të tyre në Qabenë e madhërishme ne realizuam disa intervista me besimtarë të ndryshëm, të cilët shprehen emocione dhe lutjet e tyre që Zoti ti’a pranojë haxhin e tyre. Sikurse theksuan se Haxhi është një mundësi jete paqësore dhe harmonie për të fituar bekimet e Zotit dhe xhennetin. Njëkohësisht u shprehën se tubimi i miliona myslimanëve nga mbarë bota në një ditë të caktuar, në ritualet të caktuara, mbetet një ndër dëshmitë më të mrekullueshme të forcës së besimit në jetën e njeriut.
Haxhilerët që u intervistuan ishin: Shpëtim Ceka, Sadetin Sokoli, Ardiana Rraboshta, Merita Hafizi, Osman Vataksi, Qamil Sylja dhe myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari.
Përshëndetja tradicionale me haxhilerët, mbetet një traditë e bukur e muslimanëve shqiptarë e trashëguar prej shekujsh.
***
–Raporti për liritë fetare në Shqipëri
Departamenti amerikan i Shtetit nxori javën e kaluar raportin e tij vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë. Raporti përfshinë të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore dhe dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.
Në këtë raport analizohet në kapituj të veçantë edhe liria e besimit në Shqipëri.
Raporti vë në pah se kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e besimit. Ajo përcakton se nuk ka një fe zyrtare, thotë se shteti është neutral në çështjet e besimit, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin në baza fetare.
Megjithëse raporti flet me nota pozitive për harmoninë fetare në Shqipëri dhe qëndrimin e qeverisë ndaj besimeve të ndryshme, ai vë në dukje se është shënuar pak përparim lidhur me kthimin e pronave të institucioneve fetare. Qeveria ka trajtuar kërkesat e grupeve (komuniteteve) tradicionale fetare lidhur me kthimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist, megjithatë shumë raste mbeten ende të pazgjidhura.
Qeveria, thuhet në raport, ka legalizuar 137 xhami, krahasuar me 6 syresh një vit më parë. Shumica e tyre ishin ndërtuar pa leje gjatë viteve të 90-ta. Kryeministri ka shpallur një projekt sprovë që përfshinë 10 shkolla me synimin për nxitjen e tolerancës fetare në shkollat e mesme si mjet për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Por, ai ka theksuar se nisma e tij, nuk do të ndikojë mbi sistemin arsimor sekular të vendit.
Raporti thekson se Këshilli Ndërfetar që duhej të vepronte si një forum i udhëheqësve të komuniteteve fetare ku do të diskutoheshin shqetësimet e përbashkëta, nuk është mbledhur sikurse një vit me herët. Papa Françesku priti në Romë kreun e rendit Bektashi të Shqipërisë, që është pritja e parë e një udhëheqësi fetar tek Papa.
Raporti thekson se zyrtarët e ambasadës amerikane kanë vazhdar të nxisin zgjidhjen e çështjes së pronave, kanë zgjeruar projektet për kultivimin e diversitetit fetar dhe kanë punuar me komunitetet fetare dhe organizatat joqeveritare, për të shkurajuar ekstremizmin e dhunshëm të lidhur me besimin si dhe për të nxitur tolerancën fetare.
Raporti vë në pah se disa politikanë kanë vazhduar të kritikojnë Arqipeshkopin e Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë për lidhjet me qeverinë greke.
Më 12 nëntor, Myftiu i madh Skender Bruçaj, udhëheqës i Bashkësisë Islame, mirëpriti ekipin izraelit të futbollit që po luante me Shqipërinë, duke vënë theksin tek toleranca dhe harmonia fetare ne vend, thuhet më tëj në raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit.
***
–Eurostat, Tendencë rënie por ende i lartë numri i azilkërkuesve shqiptarë në BE
Shqipëria vazhdon të ketë numër të lartë të kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria renditet në vendin e 6-të ndër 31 shtetet për të cilët është hartuar raporti. Megjithatë ndryshe nga viti i shkuar, ka një tendencë në rënie me rreth 1 mijë persona të azilkërkimeve.
Kështu sa i përket tre mujorit të parë të vitit 2017, janë 5440 shqiptarë që kanë thyer rregullat e lëvizjes së lirë duke kërkuar të mos largohen nga vendi pritës në krahasim të 6500 kërkesave të së njëjtës periudhë të vitit të shkuar.
Në tre mujorin e fundit të vitit 2016 janë në total 6970 aplikime për azil nga shqiptarët në një prej vendeve të BE-së.
Sa i përket Shqipërisë, në një vit janë 34 245 kërkesa për azil dhe më pas renditet Guinea, Bangladeshi etj.
Duket se nisur nga numri i lartë i kërkesave të shqiptarëve që thyejnë rregullat e lëvizjes së lirë, policia shqiptare ka shtuar masat e kontrollit në pikat kufitare, duke u kërkuar plotësimin e të gjitha pikave të kërkuara prej ligjit.
Tashmë ftesa e pritësit, ose prenotimi i hotelit, të ardhurat financiare, por dhe biletat e kthimit janë të dhënat kryesore që duhen dorëzuar.
***
-50% e shqiptarëve duan demokraci, 31 % duan sistem autoritar.
Sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, 31% e shqiptarëve preferojnë më shumë një sistem autoritar qeverisjeje sesa demokracinë.
Gjetjet janë bërë publike në vrojtimin “Jeta në Tranzicion”, që BERZH bën mbi të gjitha ekonomitë në zhvillim.
Sipas raportit, pjesa e shqiptarëve që duan qeverisje autoritare është tre herë më e lartë sesa ajo e qytetarëve të Europës Perëndimore. Madje, ajo është më e lartë edhe sesa mesatarja e ish-vendeve komuniste të ngjashme me Shqipërinë, ku treguesi raportohet 28%.
Sipas vrojtimit, vetëm 50% e shqiptarëve preferojnë një sistem demokratik qeverisjeje, ndërsa pjesa tjetër shprehen neutralë. Të dhënat tregojnë madje se mbështetja për demokracinë në Shqipëri është ulur ndjeshëm në 6 vitet e fundit, nga 57% që ishte në vitin 2010, në 50% aktualisht.
Vrojtimi paraqet një panoramë të ngjashme edhe për preferencat mbi sistemin ekonomik. Sipas BERZH, një e treta e shqiptarëve dëshirojnë të kenë një ekonomi plani të centralizuar, si ajo e regjimit komunist. Kjo shifër është 13 pikë përqindje më e lartë sesa mesatarja e vendeve të Europës Perëndimore, por në raport me vendet e tjera në tranzicion ajo është lehtësisht më e ulët.
Gjetjet e vrojtimit janë rezultat i intervistave direkte. Sipas BERZH, hartuesit e sondazhit kanë pyetur 1500 veta për secilin nga 29 vendet e përfshira në vrojtim.
Përfundimi kryesor është se në vendet ish-komuniste të lindjes, nostalgjia për të shkuarën, të paktën sipas BERZH, është jo e vogël.
***
-Aktori i njohur turk Oktay Kaynarca në Tiranë
AKM Media Group organizoi në Tiranë konferencën me të ftuar special aktorin turk, Oktay Kaynarca, i njohur në Shqipëri për rolin e tij, si “Sulejman Çakër” në serialin “Lugina e Ujqërve”.
Në këtë takim social ishin të pranishëm Presidenti i Kompanisë AKM Media, Fet’hi Kaya,Zv. Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Bas, Koordinatori e Agjencisë turke për Zhvillim dhe Koordinim TIKA, Necip Özay Özütok, drejtori i institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Demirbash etj..
Në fjalën e mbajtur Oktay Kaynarca u shpreh: “Është hera e parë që vij në Shqipëri, me aq sa kam parë deri tani, është vend i bukur. Ky takim për mua është surprizë, duke parë këtë sallë të mbushur plot me të rinj, them se me pret shumë punë në të ardhmen. Shqipëria nuk është një vend i panjohur për mua, pasi në Turqi jetojnë shumë shqiptarë. Në të kaluarën kujtonim se kur thua turk – je shqiptar, dhe kur thua shqiptar -je turk. Shqipëria dhe Turqia janë dy vende mike, dhe duke vlerësuar që këto dy popuj janë miq, kjo miqësi duhet përdorur në të gjitha fushat. Fakti që telenovelat pëlqehen, do të thotë se ndjenjat janë të njëjta” – tha aktori Oktay Kaynarca.
Duke folur për planet në të ardhmen, ai rrëfeu se është duke realizuar një telenovelë shumë herë më të mirë se i mëparshmi, një telenovelë që ndryshe nga “Lugina e Ujqërve”, që tërhoqi vëmendjen e meshkujve, kjo telenovelë do të tërheqë vëmendjen e femrave.
Aktori i njohur, ju përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve të pranishëm për jetën dhe karrierën e tij. “Unë kam studiuar për Artet e Bukura, kam punuar edhe në filma, jo vetëm në telenovela…”, u shpreh ai. Në përfundim të konferencës, Oktay Kaynarca bëri foto me të rinjtë e pranishëm, studentë, dhe me gazetarë.
Oktay Kaynarca, një nga emrat më të rëndësishëm të kinemasë dhe televizionit turk, vizitoi institutin “Yunus Emre” në Tiranë. Kaynarca gjatë bisedës me personelin dhe kursantët e institutit u shpreh për këtë qendër turke se: “Këto qendra kanë një detyrë të pashoq dhe janë shumë të rëndësishme për botën turke…”.
-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –