3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

41 vjeçarja nga Prishtina lind fëmijën e 16-të

Më të lexuarat

Në 25 vitet e martesës së saj, Bahrie Gashi ka pasur 19 shtatzëni, prej të cilave tri kanë dështuar dhe 16 kanë qenë të suksesshme.

Ditë më parë, 41 vjeçarja nga Prishtina e solli në jetë fëmijën e saj të fundit në kushte shtëpie.

Një ditë më pas, ajo është dërguar në spital ku po vazhdon të qëndrojë, me foshnjën e cila raportohet të jetë në gjendje stabile.

Ajo thotë se shtatzënia e saj ka qenë e paplanifikuar dhe se lindja ka ndodhur aq shpejt sa nuk ka pasur kohë për të shkuar në spital.

“Katër i kam lindë në spital të tjerat në shtëpi më ndihmën e Zotit dhe të vjehrrës. Vjehrra më ka ndihmu… më mirë në spital se është kujdesi më i mirë dhe pritja më e mirë”, thotë tash kur pas lindjes po e rimerr veten.

Ajo thotë se shkalla e lartë e tensionit ka qenë arsyeja pse ajo kreu lindjen në shtëpi, larg kujdesit mjekësor.

“Planifikimi ka qenë vetëm tre po qe Zoti deshti kështu. Për kushte financiare nuk janë për me u livdu, veç burri punon ndihmë nga shteti nuk marr, asistencë sociale nuk kam, popullata na ndihmon ngapak”, thotë ajo.

Bahria thotë se fëmijët e saj nuk e kanë pritur mirë lajmin që shtëpisë po i shtohet edhe një fëmijë, jo për shkak të numrit të tyre të madh, por për shkak të kushteve të rënda ekonomike në familje.

Ajo thotë se vetë nuk ka mundësi të punojë për shkak të obligimeve që ka ndaj fëmijëve.  Prandaj e gjithë familja me fëmijë, prindërit dhe gjyshen jetojnë me një pagë. Së fundmi, ajo është bërë edhe gjyshe.

“Me u ba gjyshe është një dhuratë e madhe e masandej me u ba nanë pasi që je ba gjyshe është shumë prekëse, por ndodhi”, thotë ajo.

Bahria tregon se fëmija i lindur ditë më parë është i fundit pasi që ajo thotë se do ta shtojë kujdesin që të mos mbesë më shtatzënë.

“Me këtë e pata në plan me e ndal, mendova me hy në operacion cezarian dhe me i lidh tubat ose me heq mitrën, por deshti Zoti e linda normal e boll mo”, tha ajo.

Bahria kujton se kur është martuar urimet që i ka marrë kanë qenë “U bëftë një mahallë prej juve” .

“Kjo ka qenë zakon gjithmonë edhe është, e uroj edhe unë dikënd”, tha Bahria.

Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë Xhevdet Gojnovci tregoi për KALLXO.com se në çfarë gjendje është pranuar fëmija në Klinikë pasi që ka lindur në kushte shtëpie.

“Ka lindë lind në kushte shtëpiake me datën 28 ndërsa është pranuar me datën 29 tetor pas mesnate në ora 00:40 minuta dhe është sjellë nga familjarët. Meqenëse ka lindë në kushte shtëpiake është pranuar dhe është vërejtë se kërthiza është punuar në kushte josterile, është lidhur me një penj, doktorët e kanë bërë përpunimin e kërthizës, ka qenë në hipotermi. Temperatura trupore ka qenë 33.3 gradë celsius që normalisht është 36.5, është vendosë në inkubatorë dhe në një aparat që i jep oksigjen me presion”, tha Gojnovci.

Fëmija është në gjendje stabile dhe po vazhdon trajtimin në Klinikën e Neonatologjisë ndërkohë që mjekët apelojnë që të mos bëhen lindjet në shtëpi që rreziku është i madh edhe për nënën edhe për fëmijën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit