1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

400 vende pune në “Berzën e Punësimit”

Më të lexuarat

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) e përkrahur nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) për të pestën herë me radhë realizojnë “Brezën e Punësimit 2013”, ku priten të punësohen rreth 400 persona, në sektorë të ndryshëm.

Më shumë se 30 kompani të ndryshme nga të gjitha regjionet e Kosovës, kanë qenë të hapur për punëkërkuesit, të cilët kanë aplikuar direkt gjatë berzës. Numri i të rinjve në kërkim të një vendi të punës ishte i madh, duke pritur në radhë me shpresë se do të gjenin ndonjë vend pune në një nga ato biznese.
Besmira Hoti, nga Prishtina, kishte aplikuar në Universitetin “Universum”, në departamentin e marketingut. “Kam aplikuar në Universitetin Universum në departamentin e marketingut dhe shpresoj që të pranohem, jam e kualifikuar për këtë drejtim”, ka thënë Hoti, shkruan Zëri.
Një tjetër i ri, Gëzim Makovci, i entuziazmuar për këtë rast që u është dhënë, ka treguar se ka aplikuar në kompaninë “Silanco” dhe “Albi Mall”, si agjent i shitjes, duke thënë se është optimist se do të pranohet.
Ndërkaq, kompanitë e shumta që ishin të pranishme dhe që kishin hapur vende të lira të punës, një ndër to ishte edhe kompania “Silanco”, e cila kishte hapur 14 vende pune, në sektorë të ndryshëm, si në marketing, shofer, inxhinier e tjerë.
Faton Fazliu, përfaqësues nga “Silanco”, ka thënë se të gjithë aplikuesit duhen të jenë të kualifikuar për pozitat e kërkuara. Përfaqësues të kësaj të fundit, bëjnë të ditur se menjëherë në fillim të hapjes zyrtare të “Brezës së Punësimit 2013”, kanë aplikuar 50 aplikues.
Përfaqësues të AKB-së si dhe përfaqësues MPMS-së, e vlerësuan lart këtë organizim si mundësi shumë e mirë për të rinjtë e Kosovës. Agim Shahini, nga AKB, tha se “Breza e punësimit në edicionin e pestë, ka një mision të shenjtë, për të gjetur vende të reja pune në këtë kohë të krizës, e cila i ka prekur të gjitha vendet regjionale, ku edhe Kosova nuk i ka shpëtuar kësaj krize”.
Sipas tij, slogani “Eja Regjistrohu”, “eja Informohu”, “Punësohu”, është slogan tradicional duke shëtitur nga qyteti në qytet nga kompania në kompani, si dhe nga punëkërkuesi në punëdhënës, ka qëllim që të dihen edhe statistikat e të punësuarve dhe të papunëve.
Ai ka thënë se ky projekt po shënohet vetëm në Prishtinë duke thënë se janë të pranishëm përfaqësues nga të gjithë kompanitë dhe të gjitha regjionet e Kosovës, e nga ana tjetër ka premtuar se do të mbahet edhe në pjesët tjera të Kosovës.
“Ky projekt po shkon drejt rritjes së kapacitetit të vet, këtë vit po mbahet me një kohë tjetër dhe format tjetër, ka pasur shumë kompani nga shumë vende të Kosovës, ku kanë ofruar punë nga sektorë të ndryshëm”, ka thënë Shahini. Sipas tij, shumë punëkërkues janë në gjendje të rëndë ekonomike dhe në kushte të tjera do t’u duhej që të shkojnë deri të kompanitë e ndryshme për të aplikuar për punë, e mira e kësaj “Breze të punësimit”, ka qene se të gjithë punëkërkuesit kanë mundur që të aplikojnë menjëherë, që aty.
Ai ka thënë se duhet sa më pak importe nga jashtë, që vlera e prodhimeve vendore të jetë në nivelin e kënaqshëm dhe të kenë mundësi më shumë për eksporte dhe nga kjo do të kenë edhe punësime të reja.
Ndërkaq, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ka thënë se “kjo gjë dëshmon se Kosova ka kapacitet dhe se unë nuk lodhem asnjëherë duke biseduar me faktorët si me ndërkombëtarët ashtu me vendoret se Kosova ka kapacitet por duhet vetëm organizimi, për një gjë të tillë është vetëm një hap për të zhvilluar shoqërinë moderne”.
Ndër të tjerash ai ka premtuar se Qeveria do të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin e bizneseve, duke iu drejtuar punëdhënësve, ka thënë: “Ne si Qeveri do të jemi në dispozicion tuajin duke krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e bizneseve, e ndërsa juve ju mbetet që t’i ndihmoni punëkërkuesit që vërtetë janë në gjendje të rendë”.
Gjithashtu ai i ka vlerësuar 400 vendet e punës të hapur për punëkërkuesit në nivelin e lartë, duke premtuar se kjo nuk do të jetë shifra e fundit, ngase pas organizimeve tjera të këtilla, do të punësohen edhe shumë të tjerë, ka thënë ai. /Ind/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit