-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

4 muaj në birucën pa dyshek e pa dritare. Historia e Fatimes në burgjet e komunizmit

Më të lexuarat

Regjimi komunist ishte po aq i ashpër me vajzat dhe gratë sa ç’ishte dhe me burrat.

Historia e Fatime Degës, e dënuar në vitin 1951 deri në 1957, kur ishte vetëm 14-15 vjeç, sjell një tablo tronditëse për torturat që përdoreshin ndaj vajzave e grave në hetuesi. Këto tortura ishin fizike dhe psikologjike, si mbyllja në një qeli bosh pa dritare, pa dyshek dhe me ushqim të keq, siç bënë me Fatimen, apo lënia varur me kokëposhtë për ditë të tëra, siç kanë bërë me Bianka Balliçin.

Ajo, e varur, pinte urinën e saj që i shkonte në kokë dhe kur vajti në burg, i ra lëkura e kokës bashkë me flokët… Historia e tmerrshme e treguar prej saj, ka ndodhur në burgun e grave, në Tiranë.

Rrëfimi i Fatime Degës:

“Qelia ishte bosh, 4 muaj e gjysëm ndenja aty. Nuk kishte as dritare, asgjë. Vetëm në një qoshe ishte një vrimë e vogël, po nuk dukej asgjë, ishte errësirë. Ajo ishte për ajrosje, më thanë më vonë, po nuk dukej asgjë. Nuk dihej kur ishte ditë apo natë e as sa ishte ora. Drita rrinte ndez natë e ditë në qeli.

Aty kam ndejt 4 muaj e gjysëm pa një dyshek, pa asgjë. Flija me rrobat e trupit, vija gjunjët poshtë trupit dhe mblidhesha kruspull e ashtu flija.

Ata hynin kur ishte orari i bukës dhe sillnin atë tasin me supë, po supa ishte me krimba. Të burgosurit e hanin, të burgosurit aristokratë, ajo nana ime që kishte jetuar në Grac të Austrisë e hante, u kërcisnin krimbat në gojë, po unë s’e haja. Nuk e hëngra asnjëherë.

4 muaj e gjysëm, mbijetova ashtu, sa që mora një ngjyrë tjetër, kisha maru krejt. Nuk e di ça ngjyre kisha marrë, a isha zbardh krejt a nuk e di, se atyre u bëri përshtypje, se vinin kontroll oficerët.

Haja vetëm pak bukë thatë. Edhe atë pak fare, se bukët që sillnin ata i kisha vënë stivë te dera.

Unë isha si njeri i vdekur në kambë dhe më hoqën që aty, më çuan në një birucë tjetër. Ajo ishte shumë e vogël, po kishte një dritare.

Kur dola në gjyq, mbaj mend isha vetëm me një polic afër, pa lidhur duart.

Kush shikonte në rrugë bënin pu pu pu, gratë kapnin faqet me duar, se ai ishte një tmerr, nuk kishin parë një fëmijë i mbarum tu shku në gjyq.

Më çuan në burg. Dy dhoma lart ishin për të burgosurat politike, 2 dhoma poshtë për ordineret. Mbaj mend mirë se ishte nxehtë, korrik ose gusht, dhe kur jam ngjitur lart atje ishin dyshekë të shtruar anash.

Më vunë në mes të dhomës, u ula tek ai dysheku im dhe fillova të qaja me dënesë.

Marta Doda me të bijën ishin në atë qeli. Ajo po bënte grep, e bija po bënte uratën, po ajo e ndërpret i thotë; shko merre atë vajzën e sille këtu tek ne. Dhe ajo erdhi më mori e më futi në mes tyre dhe me ato të dyja nejta gjithë kohën që isha atje.

Çdo ditë, për 3 vite rrjesh vetëm kam qarë se doja nanën.

Kam punu në burg në artizanat, qepja kopsa. Që të të falej një ditë burg duhej të bëje tre norma në ditë, po unë s’i bëja dot dhe atëherë të gjitha ato gratë që punoshin aty bënin normën dhe ma jepnin mua se u vinte keq.

Në fund të oborrit, vinin kazana me ujë që të laheshim. Atje lahej Bianka Balliçi, e shkreta ajo, sa keq më vjen o Zot për të. Nga Balliçët e Elbasanit, e kishte marrë nga Italia e solli këtu dhe e futën në burg si spiune e anglo-amerikanëve. Çfarë është bërë këtu, nuk është bërë në asnjë vend.

Biankën e kanë mbajtur të varur me këmbët përpjetë e kokën poshtë, urinonte dhe pinte urinën e vet dhe ajo që ngelej i shkonte në kokë. Kur ka ardh në burgun e grave i ra lëkura e kokës me gjithë flokë poshtë dhe i ngeli vetëm rrashti i kokës. Se si ka ngel gjallë, nuk e di… Gjithë ajo Biankë, alamet gruaje, e kishte trupin me gropa nga torturat. E kam parë vetë me sytë e mi.

Aty pashë dhe Musinenë. I vinte vetëm e ëma aty. Kur i vdiq e ëma, nuk i erdhi njeri.

Ishte dhe Drita Kosturi, e fejuara e Qemal Stafës. Dhe ajo ka hequr keq shumë. Kur e kanë arrestuar, e kanë futur në izolim me burrat, që s’ka bërë vaki ndonjëherë.

Unë si duket paskam jetuar vetëm që t’i tregoj këto gjëra. E tmerrshme… e tmershme! Dhe isha nga familje komunistash. E di si më duket, sikur më kanë ndodh dhe një herë… nuk harrohen… e tmerrshme…” /kujto.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit