3.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

3 histori përndritëse nga Kur’ani

Më të lexuarat

Nga miliona incidente që kanë ndodhur përgjatë historisë njerëzore, Allahu ka zgjedhur disa prej tyre për t’i përcjellë në Kur’an. Sigurisht që këto histori janë speciale.

T’i hedhim një sy disa prej këtyre historive dhe mësimeve që mund të nxjerrim prej tyre.

Historia e Parë

“Po për atë i cili, kur kaloi pranë një qyteti të rrënuar përtokë, tha: “Si mund ta kthejë në jetë Allahu këtë qytet tani që ai është i vdekur?!” (Kur’ani 2:259)

Allahu iu përgjigj këtij personi duke e kaluar në gjendje të vdekur për 100 vjet për ta ngjallur sërish. Pasi u ringjall, ky njeri mendoi se kishte kaluar vetëm një ditë ose më pak se një ditë, por Allahu e informoi se kishte kaluar një shekull.

“Dhe Allahu e vdiq atë për njëqind vjet e pastaj e ringjalli dhe e pyeti: “Sa kohë ke ndenjur këtu?” – Ai u përgjigj: “Një ditë ose gjysmë dite”. – “Jo” – i tha Allahu, “por ke ndenjur njëqind vjet. Shiko ushqimin dhe pijen tënde që nuk janë prishur! Shikoje gomarin tënd (si do ta ringjallim) që të të bëjmë ty dëshmi mrekullie për njerëzit; vështroji eshtrat se si i bashkojmë e pastaj i veshim me mish!” Kur atij iu bë e qartë, ai tha: “Tashmë e di se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!” (Kur’ani 2:259)

Historia na tregon realitetin e ringjalljes. Njësoj siç ky burrë u ringjall pasi kishte kaluar kaq shumë kohë, edhe ne do të ringjallemi pas vdekjes tonë.

Historia e Dytë

Ishte një vend i quajtur Saba të cilin Allahu e kishte bekuar me ujë të bollshëm. Mbretërit e lashtë të Sabës ndërtuan një digë të madhe për të mbledhur ujin për vaditje, prandaj shumë shpejt vendi lulëzoi me të gjitha llojet e frutave dhe pemëve më të bukura.

Por të hutuar pas gjithë kësaj begatie, ata e harruan Allahun dhe filluan të adhuronin diellin, prandaj Allahu i ndëshkoi duke tërhequr begatitë e tij. Minjtë brejtën digën dhe hapën vrima në të. Diga shpërtheu dhe njerëzit bashkë me tokën pjellore e pësuan keq.

“Vendbanimi i Sebës ishte një shenjë e qartë për banorët e tij: dy kopshte në të djathtë dhe në të majtë të lumit. (Ne u thamë atyre): “Hani nga ato që ju ka dhënë Zoti juaj dhe falënderojeni Atë. I mrekullueshëm është vendi juaj dhe Falës i madh është Zoti juaj!” Por ata nuk ua vunë veshin (fjalëve Tona), prandaj Ne lëshuam mbi ta ujërat e digës dhe dy kopshtet e tyre ua zëvendësuam me kopshte të tjera, me fruta të idhëta marine dhe pak lotusa. Ne i dënuam kështu si pasojë e mosbesimit dhe e mosmirënjohjes së tyre. Vallë, a dënojmë Ne tjetërkënd, përveç mosmirënjohësve?” (Kur’ani 34: 15-17)

Historia është një mësim për kohën e prosperitetit dhe lehtësimit, kur është shumë e lehtë të harrosh se të gjitha mirësitë janë prej Allahut dhe se Ai mund t’i marrë ato në çdo çast me vullnetin e tij. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm gjithmonë për këtë dhe të falendërojmë Allahun, siç Ai thotë: “(Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë”. (Kur’ani 14: 7)

Historia e Tretë

Zejd ibn Harith, skllavi i çliruar nga Profeti a.s të cilin ai më pas e adoptoi si djalin e tij, u martua me Zejneb bin Jahsh. Martesa e tyre nuk ishte shumë e lumtur dhe Zejdi donte të ndahej, por Profeti a.s e këshilloi të mos e bënte ketë.

Allahu i shpalli Profetit se duhet t’i lejonte të divorcoheshin. Pastaj Allahu e martoi Zejnebin me Profetin a.s

“Ti (o Muhamed) i the atij, që Allahu dhe ti vetë i keni bërë mirësi: “Mbaje gruan tënde dhe frikësoju Allahut!” Në të vërtetë, ti po fsheh në vetvete atë që Allahu do ta nxjerrë në shesh dhe ti po u frikësohesh njerëzve, kur më e drejtë është t’i frikësohesh Allahut. E, pasi Zejdi bashkëjetoi me gruan e vet dhe u nda prej saj, Ne ta dhamë ty për bashkëshorte, në mënyrë që besimtarët të mos ngurrojnë, që të martohen me gratë e të birësuarve të tyre, pasi ata ta kenë plotësuar dëshirën e tyre dhe të jenë ndarë. Urdhri i Allahut do të përmbushet detyrimisht.” (Kur’ani 34:37)

Si Zejnebi edhe Zejdi ishin mes sahabëve (bashkëkohësve) më të nderuar apo me gradat më të larta të Profetit a.s. Zejdi është sahabi i vetëm i përmendur me emër në Kur’an. Ai ishte shumë i dashur për Profetin a.s, dhe pasi ndërroi jetë, edhe djali i tij, Usama. Ai u vra ndërsa udhëhiqte forca muslimane në betejën e Muatuas.

Zejnebi ishte një nga nënat e besimtarëve. Ajo shkëlqente me mirësinë e saj, veçanërisht në kryerjen e bamirësive.

Pavarësisht cilësive të tyre të shkëlqyera, këta dy sahabë nuk arritën të ndërtonin një martesë të suksesshme. Ata kishin mosmarrëveshje dhe hidhërim të tillë me njëri-tjetrin derisa u detyruan të ndaheshin.

Kjo histori na mëson se kur dy persona ndahen, kjo s’do të thotë domosdoshmërish se njëri prej tyre, apo të dy, janë njerëz të këqij që kanë probleme karakteriale. Thjesht do të thotë se nuk përputheshin me njëri-tjetrin.

Nuk duhet të arrijmë në konkluzione negative, por duhet të mendojmë gjithmonë më të mirën, duke ia lënë Allahut gjykimin.

Burimi: aboutislam.net.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit