-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Ushqimet për të “shpëtuar” nga myku Candida në trup

Më të lexuarat

Candida albicans është një tip myku që është i pranishëm tek të gjithë. Nëse gjendet në sasi të vogla është e parrezikshme, por, kur shtohet në mënyrë drastike kjo mund të ketë pasoja për shëndetin.

Në një trup të shëndetshëm Candida albicans mbahet nën kontroll nga ato të ashtuquajturat bakterie të mira. Mjekët theksojnë se përdorimi jo i duhur i antibiotikëve mund të jetë një nga shkaqet që asgjësojnë bakteriet e mira, duke lejuar shtimin e mykut. Candida shtohet kur konsumojmë shumë sheqer, karbohidrate, ushqime që përmbajnë maja, si uthulla, buka etj.

Kur sistemi ynë imunitar punon si duhet sasia e Candida-s në trup mbahet e ekuilibruar. Kur sistemi ynë imunitar nuk funksionon si duhet, ose ekzistojnë faktorë të tjerë si konsumimi i lartë i sheqerit dhe karbohidrateve, Candida mund të shtohet përtej normales duke dhënë simptomat e mëposhtme:

  • – Dhembje të shpeshta stomaku dhe probleme me tretjen
  • – Probleme me lëkurën (infeksione lëkure, ekzemë, psorasis, akne)
  • – Vështirësi në përqendrim dhe konfuzion
  • – Ndjenjë e vazhdueshme lodhjeje
  • – Ankth
  • – Luhatje humori
  • – Zemërim dhe Nervozizëm
  • – Dhimbje koke
  • – Dhimbje mesi
  • – Shtim i dëshirës për të konsumuar sheqerna, ëmbëlsira ose bukë
  • – Irritime të lëkurës etj

Infeksioni Candida është i vështirë për t’u diagnostikuar pasi kërpudhat janë të pranishme tek të gjithë ne.

Janë testet laboratorike dhe vizitat tek mjeku ato që diagnostikojnë këtë problem. Ka raste që Candida mund të jetë si pasojë e një problemi më serioz në trup si diabeti, infeksione të tjera si ato seksualisht të transmetueshme ose dhe faktorët klimatikë, higjena personale etj.

Megjithatë Candida është një infeksion që po të trajtohet si duhet mund të kurohet plotësisht. Një ndihmesë e madhe në eleminimin e Candida-s në trup, përvec medikamenteve dhe suplementeve është edhe dieta. Pra mënyra e të ushqyerit dhe mënjanimi i atyre ushqimeve që shtojnë problemin.

Dieta anti-candida

Dieta më e mirë për të luftuar mykun është ajo që nuk përmban sheqer dhe ka nivel të ulët të karbohidrateve. Gjithashtu kjo dietë për pastrimin e mykut nga trupi konsiston edhe nga heqja e ushqimeve që përmbajnë maja.

Një nga mënyrat më të shpejta për luftimin e Candida-s është futja në dietën e përditshme e përbërësve më potencialë që luftojnë qelizat e saj. Zakonisht kjo dietë është shumë strikte dhe kërkon shumë vullnet dhe vendosmëri.

Dieta anti-candida, dietë detoksifikuese, konsiston në konsumimim e ushqimeve që nuk përmbajnë sheqer, maja, alkool etj. Ushqimet që konsumohen më shpesh gjatë kësaj diete janë proteinat, yndyrnat e shëndetshme, perimet, drithërat dhe disa lloje arrash.

Mjekët sugjerojnë se ndoshta shumicës së personave që vuajnë nga Candida do t’u duhet ta vazhdojnë këtë dietë për rreth 3 muaj përpara se t’i kthehen dietës së tyre normale.

Së bashku me përbërësit e mësipërm këshillohet dhe konsumimi i probiotikëve si bifidus dhe acidophilus, të cilët shërbejnë për shtimin e bakterieve të mira në zorrë. Normalisht një dietë pa sheqer ndihmon në kurimin e Candida-s si dhe rregullon sistemin tretës.

Dieta anti-candida përbëhet nga 3 faza:

Faza e parë

Kur candida albicans del jashtë kontrollit në traktin digjestiv mund të jetë toksike. Shtimi i saj mund të vijë si pasojë e një diete të varfër, përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve etj. Një rritje e tepërt e këtij myku në trup mund të shkaktojë probleme gastrike si përzierje dhe diarre ose sëmundje të tjera si depresioni etj.

Objektivat

Faza e parë e dietës kundër candida-s konsiston në eleminimin e të gjitha ushqimeve që nxisin shtimin e mykut në trup. Kjo fazë zgjat për mbi 3 javë.

Ushqimet që duhet të evitohen në fazën 1

Faza e parë ndihmon në eleminimin e plotë të sheqernave dhe karbohidrateve, si sheqeri, gruri, produktet e qumështit (përveç kosit), ushqimet e përpunuara, ushqimet e konservuara, uthulla, salca e sojës, kikirikët (alkooli jo vetëm në këtë rast, por gjithmonë duhet të jemi të larguar nga ai) etj.

Gjithashtu edhe konsumimi i frutave duhet të pakësohet në maksimum pasi shumë fruta përmbajnë fruktozë, një formë e sheqerit.

Duhet të tregohemi të kujdesshëm pasi sheqeri fshihet në shumë ushqime si psh. në ato të konservuarat, ushqimet e gatshme, cerealët e mëngjesit etj. Etiketat mund ta përshkruajnë sheqerin ne emërtime të ndryshme si maltose, lactose, fructose, dextrose etj.

Këshillohet që të gjitha këto produkte të mënjanohen për të penguar rritjen e mëtejshme të mykut.

Po çfarë duhet të konsumojmë gjatë kësaj faze?

Megjithë shumë tipe ushqimesh janë hequr nga faza e parë, ekzistojnë ende disa të tjerë që janë të shëndetshëm për konsumim.

Ushqimet proteinike nga kafshët si mish pule, mish gjeli, mish vici, të gjitha këto mund të konsumohen gjatë fazës 1. Gjithashtu perimet si trangujt, specat, brokoli, lulelakra, lakra, sallata jeshile, peshku, hudhra dhe disa tipe manash si manaferrat, boronica etj., janë Ok për t’u konsumuar gjatë fazës 1. Studimet kanë treguar se kombinimi i brokolit dhe hudhrës së bashku jep akoma më shumë rezultate në luftën kundër mykut.

Faza 2 dhe 3 e dietës anti-candida

Faza e dytë e kësaj diete është pak më e lehtë pasi konsiston në rikthimin e karbohidrateve. Gjatë kësaj faze mund të shtojmë një frut dhe të shohim nëse simptomat e mykut kthehen. Nëse jo, atëherë mund të shtojmë pak e nga pak ushqimet e eleminuara më parë, por jo ato që ndihmojnë në shtimin e mykut.

Mjekët sugjerojnë që të shtojmë pak oriz në ditën e parë dhe të presim dy ditë për të parë nëse trupi e përballon dhe simptomat e mykut nuk rikthehen. Me kalimin e kohës do të ndodhë edhe rikthimi tek dieta normale.

Ndërsa faza e tretë konsiston në eleminimin e toksinave nga trupi me probiotikë, dhe konkretisht duke konsumuar shumë kos natyral pa sheqer.

Një nga pastrueset më të mira të mykut është hudhra.

Hudhra është e njohur nga grekët dhe egjiptianët e lashtë si ushqimi më i mirë kurues.

Hudhra mund të luftojë një sërë infeksionesh bakteriale, virale, etj. Shumë studime konfirmojnë gjithashtu se hudhra ul nivelin e kolesterolit në gjak. Ngrënia e 1-2 thelba hudhre në ditë ul kolesterolin 10%. Gjithashtu studime të ndryshme tregojnë se hudhra ndihmon hapjen, zgjerimin e enëve të gjakut dhe ul rrezikun e formimit të mpikjes së gjakut, që mund të çojë në atak zemre. Hudhra ul gjithashtu tensionin e lartë të gjakut.

Studimet kineze tregojnë se përgjysmohet rreziku i kancerit tek ata që përdorin hudhrën.

Efekti i përdorimit të 9 gram (dy thelba) hudhër në ditë, për shëndetin e zemrës pas disa javësh. Një sasi e tillë vlen edhe për luftimin e infeksioneve.Lëngu i hudhrës jep një ndihmesë të madhe edhe në rikthimin e flokut të humbur. Pasi bëhet shtypja e mirë e hudhrës, me lëngun e përftuar bëhet masazh rreth 3 minuta në vendin ku ka rënë floku. Mbahet ashtu për 30 minuta dhe më pas koka lahet mirë, deri sa të largohet era e rëndë e hudhrës. Ky veprim bëhet një herë në javë deri në shfaqjen e rezultateve pozitive. Hudhra ka dhënë rezultate të shkëlqyera te të sëmurët, që vuajnë nga dhimbja e veshëve. Për këta njerëz rekomandohen disa pika nga lëngu i hudhrës në momentin e dhimbjeve. Shumë shpejt ky lëng do të jepte efekte të menjëhershme në qetësimin e veshit. Po kështu rezultate mjaft të mira ka dhënë në shërimin e gripit, kur ai është i shoqëruar me bllokim të hundëve apo dhimbje të grykëve. Një studim i kryer nga studiuesë amerikanë provoi se përbërësit e hudhrës mund të mbysnin 14 lloje të ndryshme bakteriesh dhe mund t’i shkatërrojnë ato.

Qepët gjithashtu ndihmojnë në largimin e lëngjeve të tepërta nga trupi, gjë që është tejet e rëndësishme për ata me infeksionin candida pasi shumë prej tyre kanë probleme me gazrat dhe lëngjet si ne rastin e diarresë. Qepët dhe hudhrat përmbajnë një kombinim të fuqishëm për pastrimin e mykut nga trupi dhe majdanozi mund të ndihmojë për largimin e aromës së pakëndshme të gojës.

Kosi

Kosi përmban mikrookurganizma të rëndësishëm për të mirëmbajtur florën tone bakteriale, e cila na mbron ndaj mykut, helmimeve të ndryshme etj. Sipas Judith E.Brown, autor i librit ” Dieta për çdo femër” probiotikët arrijnë t’i kthejnë organizmit bakteriet e mira në traktin digjestiv, të largojnë mykun nga trupi dhe ul rrezikun e zhvillimit të një infeksioni fungal.

Erëzat

Shtoni erëza në dietën tuaj detoksifikuese kundër mykut duke përfshirë rigonin, kanellën, karafilin dhe koriandrën thekson Gerald Don Wootan, autor i librit “Dieta Detoksifikuese”. Përveç të mirave dhe veçorive të tyre antioksiduese, që ndihmojnë sistemin imunitar të luftojë kundër mykut, disa prej tyre kanë edhe ndikime antimikrobiale. Kanella në veçanti parandalon rritjen dhe shtimin e mykut. Gjithashtu dhe xhenxhefili përdoret në dietën pastruese kundër mykut Candida.

Si përfundim; ndjekja e një diete të shëndetshme është mjaft e rëndësishme për të parandaluar infeksionet maja. Perimet e gjelbra, peshku, kosi, hudhra, qepa etj, ndihmojnë në shërimin e infeksionit maja, natyrshëm dhe në mënyrë efektive.

Të gjitha ushqimet e përpunuara, djathi, ushqimet e konservuara, dhe ushqimet e skuqura duhet të eleminohen nga plani dietë. Më pas duhet të pini shumë ujë çdo ditë në mënyrë që të gjitha toksinat të dalin jashtë trupit dhe shëndeti të mbetet në gjendje të mirë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit