Diplomati Wolfgang Petritsch ka thënë se dialogu i brendshëm me serbët në Kosovë, është çelës për një zgjidhje të qëndrueshme me Serbinë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Petritsch ka thënë se nuk pret rezultat substancial në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë më 2024, për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Në këtë drejtim, diplomati austriak shpreson që administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, të vazhdojë udhëheqësinë, sepse beson që ekipi i tij është i angazhuar për zgjidhje të drejtë.
Ndër tjerash, Petritsch ka thënë se incidenti i këtij viti në Banjskë të Kosovës duhet të shërbejë si mësim për rritje të vigjilencës në fushën e sigurisë, e cila do të ketë prioritet në vitin që vjen.
Ai ka bërë thirrje për përparim në procesin e dialogut, me arsyetimin se çdo zvarritje e procesit rrezikon përkeqësim të situatës.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Petritsch, liderët e Kosovës kanë thënë se ky vit ka qenë më sfiduesi në aspektin e sigurisë, qysh prej pavarësisë, duke marrë shkak sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë. Si do ta përshkruanit ju?
Wolfgang Petritsch: Kjo ka qenë, padyshim, një pikë e ulët në marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Dhe, nuk po flas vetëm për dialogun, për të cilin, fatkeqësisht, viti 2023 nuk ka qenë më i suksesshmi. Mendoj që incidenti në Banjskë do ta fokusojë vëmendjen në sigurinë dhe aspektin ushtarak në vitin e ardhshëm, kur është fjala për marrëdhëniet ndërmjet të dyja palëve.
Radio Evropa e Lirë: Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e thekson shpesh rrezikun e, siç thotë ajo, “sulmit të Serbisë ndaj Kosovës”, duke e përmendur si referencë incidentin në Banjskë. A ekziston një rrezik i tillë?
Wolfgang Petritsch: Ne jemi të lehtësuar që situata nuk është përshkallëzuar, ndonëse ka pasur potencial. Mirëpo, kjo na tregon se ekziston rrezik i madh që bisedimet e gjata dhe të vazhdueshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat lehtësohen nga Bashkimi Evropian, të mos vazhdojnë më, ose të mos e kenë rëndësinë që e kanë pasur në të kaluarën. Në këtë aspekt, viti 2023 ka qenë njëmend vendimtar. Unë besoj që nëse nuk shfrytëzohet viti 2024, për ta nxitur BE-në dhe Beogradin e Prishtinën, që të mendojnë seriozisht për një qasje të re, atëherë nuk jam i sigurt nëse në vitin 2025 – pasi të kenë përfunduar zgjedhjet e vitit të ardhshëm – të ketë përparim substancial.
Më pas, më 2025, kur të kemi Komisionin e ri në Bruksel dhe kur të kemi administratën e re në Uashington – shpresoj që do të ketë vazhdimësi të administratës [së presidentit Joe] Biden – atëherë do të jetë momenti i ri për të rinisur dialogun.
Por, e gjithë kjo duhet të bazohet në përvojën e dhjetë, apo më shumë vjetëve të fundit, dhe të merren parasysh masat që janë marrë në incidentet e kaluara, duhet rishikim i metodologjisë së procesit të ndërmjetësimit. Besoj se nuk mund ta shohim dialogun të izoluar prej negociatave për anëtarësim, sidomos bisedimet e Serbisë për anëtarësim në BE.
Mendoj se duhet bërë më shumë për Kosovën dhe popullatën e saj, për ta parë më afër anëtarësimin në Bashkimin Evropian, që natyrisht do të marrë vite, mirëpo duhet kombinuar procesin e anëtarësimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Kjo besoj që duhet të bëhet më e qartë.
Për t’i motivuar negociatat në të dyja palët, qeveritë e të dyjave duhet të trajtojnë më me seriozitet procesin, dhe të mos zhyten nëpër konflikte, që nuk janë as në interes të Serbisë dhe as të Kosovës. Ne duhet të mendojmë më gjerësisht. Besoj se problemi qëndron në faktin që situata globale ka ndryshuar në mënyrë dramatike, dhe papritmas ka më pak vëmendje në konfliktet e vogla dhe të vazhdueshme, sikurse ato mes Kosovës dhe Serbisë. Po u referohem konflikteve të mëdha sikurse lufta e Rusisë në Ukrainë, lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Lindje të Mesme. Këto janë pika të mëdha konflikti të vitit 2024.
“Nuk e duam një Republika Sërpska në Kosovë”
Radio Evropa e Lirë: Pse thatë që shpresoni të ketë vazhdimësi të administratës Biden në Shtetet e Bashkuara, pas zgjedhjeve? A besoni se është më e favorshme për dialogun Kosovë-Serbi?
Wolfgang Petritsch: Po, mendoj se administrata Biden dhe ekipi i presidentit Biden janë më të interesuar për zgjidhje konstruktive. E kemi parë në të kaluarën administratën e [Donadl] Trumpit, zotin [Richard] Grenell, duke ndërmarrë veprime, që thjesht nuk ishin në interes të zgjidhjes së drejtë të konfliktit.
Komuniteti ndërkombëtar, sidomos Bashkimi Evropian, duhet të ketë këtë lloj lirie për të gjetur zgjidhje evropiane për konfliktin. E thashë edhe më herët që duhet të shihet i gjithë procesi i anëtarësimit të rajonit, duhet të analizohet siguria e gjithë Ballkanit Perëndimor si tërësi. Pjesa e rëndësishme është që si Serbia, ashtu edhe Kosova, duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Prandaj, vetëm një zgjidhje evropiane është realizueshme.
Kjo zgjidhje, më pas, do t’iu japë fund dy konflikteve të mëdha historike që datojnë prej rënies së ish-Jugosllavisë. Kjo është e mundshme. Mendoj se çështja e Kosovës është më e lehtë, sesa ajo e Bosnje e Hercegovinës, sepse popullsia është e ndarë, ka shumicë dhe popullsi pakicë në veri të Kosovës. Prandaj, zgjidhja është më e lehtë sesa trekëndëshi që ekziston në Bosnje e Hercegovinë, në mes të tri komuniteteve etnike, dhe situata është më e vështirë dhe më komplekse për të gjetur zgjidhje.
Një tjetër gjë që duhet thënë është se për Kosovën duhet të gjendet një zgjidhje më e mirë sesa ajo e vitit 1995 për Bosnjën. Duhet të jetë më kualitative, më e drejtë, dhe sistemi qeverisës duhet të mendohet vërtet mirë.
Definitivisht ne nuk e duam edhe një Republika Sërpska në Kosovë, dhe ky model është përjashtuar nga komuniteti ndërkombëtar. Nuk duhet përsëritur gabimi i njëjtë në Kosovë. Duhet të gjendet një zgjidhje më e drejtë për minoritetin serb. Kjo është në interes të madh të Prishtinës, andaj nuk duhet të parandalohet një sukses, duke qenë shumë të ashpër me gjërat që duhet të jenë më fleksibile në këtë traktat eventual të normalizimit.
Pak përparim në dialog më 2024
Radio Evropa e Lirë: Kur flasim për minoritetet në Kosovë. Tema e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është diskutuar vit pas viti. Kosova po hyn në vitin kur pritet formimi i tij. A besoni se do të ndodhë?
Wolfgang Petritsch: Mendoj që në vitin 2024 nuk do të ketë shumë përparim në aspektin e përfundimit të hapave që duhet të merren. Me zgjedhje në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, më 2024, presioni politik prej Uashingtonit dhe Brukselit, nuk do të materializohet drejt një zgjidhjeje.
Duhet pasur fokus në dy gjëra. Siguria është në rend të parë për vitin 2024, duhet të ketë përforcim të forcave ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë (EUFOR-i) dhe Kosovë (KFOR-i), dhe ato misione të sigurojnë që incidentet sikurse ai në Banjskë, apo ndonjë incident tjetër i armatosur, të mos zhvillohet. Duhet pasur shumë vëmendje në aspektin e sigurisë.
E dyta, viti 2024 duhet të shfrytëzohet – për shkak të vakuumit të udhëheqësisë në SHBA dhe BE – për të punuar më shumë në propozime. E përmendët Asociacionin, mendoj që është në interes të madh të Prishtinës, që të dalë me një propozim të drejtë. Kjo është e rëndësishme. E qartë që Beogradi kërkon sa më shumë për minoritetin e tij, minoritetet gjithmonë dëshirojnë më shumë autonomi. Por, duhet të ekzistojë një zgjidhje që është e drejtë ndaj minoritetit në njërën anë, dhe që nuk e shkatërron sistemin funksional në Kosovë, në anën tjetër.
Po jua them një gjë, që është e rëndësishme, pse tani ka më shumë incidente në krahasim me të kaluarën? Sepse nuk ekziston një zgjidhje për kohë të gjatë, mbi 10 vjet. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit për Asociacionin është punë e kryer. Sa më shumë që nuk ka përgjigje konstruktive kjo temë, aq më keq do të bëhet, dhe kjo nuk është diçka që duam. Sepse, kemi mjaftueshëm probleme në Evropë dhe vendet fqinje. Në Lindje të Mesme dhe vendet fqinje. E kemi Ukrainën fqinje. Le të mendojmë sa afër Evropës janë. Nëse shihet në nivel global, këto konflikte i kemi në derë të shtëpisë.
Prandaj, besoj që duhet të ndërmerren iniciativa më proaktive. Është e rëndësishme që Prishtina të dalë me propozime, asgjë nuk është më e rëndësishme sesa të flitet për nivelin teknik. Çfarë gjithmonë flasim për Asociacionin është nëse duhet të ekzistojë një i tillë, por a kemi biseduar ndonjëherë për hollësitë? Si duhet të duket Asociacioni, çfarë kompetenca duhet të ketë?
Duhet të flitet me popullatën. A ka biseduar dikush me qytetarët në veri që preken drejtpërdrejt? A ka biseduar dikush se si do të përmirësohen marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe pakicës që jeton atje? Popullsia atje nuk është 100 për qind me serbë, ka edhe shqiptarë atje. Atëherë si do të funksionojë marrëdhënia mes tyre? Duhet të flitet me njerëzit. Kjo është përgjegjësi, sidomos e udhëheqësisë në Prishtinë, për të kuptuar më shumë për nevojat e tyre. Çfarë idesh kanë, të analizohen ato me seriozitet. Atëherë mendoj që mund të kemi zgjidhje, sepse një dialog i brendshëm në Kosovë mund të prodhojë rezultate më realiste.
“Nuk ka zgjidhje pa dialog të brendshëm me serbët në Kosovë”
Radio Evropa e Lirë: Ju thoni se Kosova duhet t’i bëjë propozimet e veta. BE-ja ka thënë se Kosova dhe Serbia janë pajtuar në parim për propozimin e BE-së për formim të Asociacionit. A keni pasur qasje në draft-statutin që u është prezantuar palëve?
Wolfgang Petritsch: I di gjërat bazike. Ajo që thashë është që gjithçka duhet të bëhet bazuar në atë draft-statut.
Radio Evropa e Lirë: Pra, ju thoni që Kosova duhet t’i bëjë propozimet e veta bazuar në draft-statutin e propozuar nga BE-ja?
Wolfgang Petritsch: Po, dhe të ketë ide më specifike, më konkrete. Nuk mendoj që individët në Bruksel dinë shumë për hollësitë rreth asaj se çfarë i duhet popullsisë lokale. Ky është çelësi për problemin që ekziston në pjesën veriore të Kosovës. E zgjidhje nuk mund të ketë pa një dialog të brendshëm.
Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është i rëndësishëm, mirëpo meqë nuk pritet të ketë shumë rezultat më 2024 – për shkak të zgjedhjeve – dialogu i brendshëm në Kosovë mund të ndikojë që më 2025 të ecet më afër normalizimit.
Normalizimi i brendshëm është bazë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet të dyja shteteve.
“Kurti e kupton peshën e problemit”
Radio Evropa e Lirë: E përmendëm që viti 2024 është vit zgjedhor në BE dhe SHBA. A nënkupton kjo që po ik treni për Kosovën dhe Serinë që të arrijnë përparim? I dërguari i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak, ka thënë në një intervistë për një media lokale se Kosova po humb kohë të çmueshme duke mos ecur përpara.
Wolfgang Petritsch: Po, ashtu është. Do ta mbështesja zotin Lajçak në këtë interpretim, sepse duhet kuptuar që problem ekziston brenda Kosovës. Çështjet e pazgjidhura në mes të minoritetit serb dhe shumicës. Serbia këtu është jashtë. Natyrisht, ajo ka ndikim të madh politik, ekonomik dhe financiar. Dhe ky aspekt duhet marrë parasysh. Mirëpo, Prishtina duhet të ketë shtrirje më serioze te serbët. Kjo është e rëndësishme. E di që kjo është punë e vështirë. Por, politika është gjë e vështirë. Kam diskutuar edhe me [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurtin për këtë temë, dhe ai duket se e kupton peshën e problemit. Mirëpo, ajo peshë nis e bëhet më e lehtë duke u marrë me të hap pas hapi. Hapi i parë që propozoj është që të bëhen shumë përpjekje për krijim të dialogut në mes të komuniteteve në veri. Kjo është pengesa më e madhe. Mirëpo, nëse ka sukses në këtë pikë, afrohet rruga drejt Asociacionit dhe drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Radio Evropa e Lirë: Liderët në Kosovë e përsërisin shpesh se ata duan të flasin me pakicën serbe, që duan të jenë më afër tyre, mirëpo ju besoni se duhet bërë më shumë?
Wolfgang Petritsch: Po. Definitivisht duhet bërë më shumë, ndonëse e di sa e vështirë është e gjithë kjo. E di prej Bosnjës, që edhe pas shumë vjetësh prej përfundimit të luftës, ende ka shumë mungesa në nivelin politik. Mirëpo, e di që në nivelin lokal, ku jetojnë bashkë komunitetet, është bërë shumë përparim ndërmjet serbëve dhe boshnjakëve, dhe ndërmjet serbëve dhe kroatëve. Situata në Bosnje është edhe më komplekse dhe më sfiduese sesa në Kosovë, sepse atje janë tri entitete.
E, në Kosovë nuk flasim për serbët që jetojnë në jug të Kosovës. Për aq sa kam njohuri, atje ekziston ideja që jetojnë bashkë, duhet të punojnë së bashku, dhe kjo pikëpamje pragmatike duhet të ekzistojë edhe në pjesën veriore, duhet të ketë shtrirje serioze. Shumica ka përgjegjësi ndaj pakicës. Sa më shumë që bën shumica, aq më pak ekstreme është pakica, dhe aq më pak ka hapësirë për ndikim të jashtëm. Kjo besoj që është edhe psikologjike, por është parim politik që duhet ndjekur në Kosovë.
“Konfliktet të zgjidhen duke e ndryshuar perspektivën”
Radio Evropa e Lirë: A keni në mendje ndonjë hap që do të duhej ta bënte Qeveria e Kosovës në këtë drejtim?
Wolfgang Petritsch: Unë nuk jam në pozicion të këshilltarit. Por, e di prej situatave të tjera, ne austriakët e dimë marrëdhënien në mes të Vjenës dhe Romës, se si e kanë zgjidhur çështjen e Tirolit Jugor, pjesën me gjermanfolësit në pjesën veriore të Italisë. Ka dallime edhe aty, mirëpo është pranuar fakti që dy popullsi të ndryshme jetojnë aty, por në aspektin politik dhe ekonomik, ata kanë arritur sukses të madh.
Pjesa gjermanfolëse në atë pjesë është më e pasura në gjithë Italinë. Ky është sukses i ndërmjetësimit në mes të Vjenës dhe Romës. Atëherë nuk ka ekzistuar BE-ja në formatin e sotëm, mirëpo Kombet e Bashkuara kanë dhënë ndihmë të konsiderueshme. Pra, ka mënyra, por i takon secilit politikan që t’i identifikojë më të mirat, të cilat e përmirësojnë jetën e përditshme të banorëve. Politika duhet të jetë më e interesuar këtu, sepse njerëzit jetojnë nëpër ambientet tyre, ata nuk jetojnë në Evropë, ata jetojnë në fshatrat e tyre, në qytezat e tyre, dhe aty i kanë problemet.
Duhet menduar se si të zgjidhet një konflikt duke e ndryshuar perspektivën. E di që është më e lehtë për mua që të flas prej jashtë, por kjo ndoshta është një këshillë, të ecet një hap mbrapa, të analizohet situata dhe ndoshta atëherë lindin ide të reja. Një pjesë e madhe e problemit besoj që zgjidhet në komunitetet e atyre banorëve, duke i pyetur ata. Ekzistojnë disa mënyra. Akademikët mund të ofrojnë ndihmë, dhe viti 2024 mund të shfrytëzohet për t’u përgatitur për dialog më të mirë.
“Nuk e duam një Kosovë jofunksionale”
Radio Evropa e Lirë: Po ju pyes sërish, a keni pasur qasje në draft-statutin e propozuar për Asociacionin. Si e shihni atë? A është draft i mirë?
Wolfgang Petritsch: Mendoj që është draft bazik, është draft i mirë. Autorët e këtij drafti duket se kanë parë më gjerë konfliktin dhe është përdorur një gjuhë, që ndoshta edhe do të rafinohet, mirëpo është në interes të Prishtinës, sepse është territori i saj ku do të zbatohet, nëse do të zbatohet. Ne nuk e duam një Kosovë jofunksionale, nuk duam që ky konflikt të zgjasë përgjithmonë.
Shiheni Lindjen e Mesme, ku prej vitit 1948, çështja palestineze është e pazgjidhur. Palestinezët kanë bërë shumë gabime. Ata nuk janë të pafajshëm. Edhe Izraeli, në anën tjetër, ka bërë shumë gabime. Dhe kjo duhet të shërbejë si shenjë paralajmëruese që sa më shumë që zgjat konflikti, aq më i thellë bëhet dhe tani kur analizohet Lindja e Mesme, askush nuk mund të dalë me zgjidhje të shpejtë, dhe do të duhet, fatkeqësisht, një kohë shumë më e gjatë.
Radio Evropa e Lirë: Do të kalojmë te një temë tjetër. BE-ja i ka vendosur disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, pas incidenteve që kanë ndodhur në maj në veri të Kosovës. A besoni se duhet të hiqen?
Wolfgang Petritsch: Është rrugë me dy kahe. Unë jam në favor të heqjes së tyre, mirëpo Prishtina duhet të japë sinjale që po bën diçka që do ta përmirësonte situatën në dialog, dhe që të ofrojë disa propozime. Tensionet janë të larta dhe nëse palët nuk flasin me njëra-tjetrën, tensionet do të vazhdojnë të jenë të larta dhe do të thellohen edhe te popullata, edhe në politikë. Pra, duhet ecur në këtë drejtim, të dërgohen sinjale të vullnetit të mirë. Besoj që kjo do të interpretohet si diçka pozitive në Bruksel dhe në këmbim, BE-ja do t’i heqë masat.
Radio Evropa e Lirë: Ka zëra kritikë në Kosovë që edhe Serbia duhet të sanksionohet nga SHBA-ja dhe BE-ja, pas asaj që ka ndodhur në Banjskë.
Wolfgang Petritsch: Sanksionet, qoftë ndaj Beogradit, qoftë ndaj Prishtinës, nuk janë masa ime e preferuar politike. Unë preferoj rrugën politike, dialogun, negociatat, vullnetin e mirë, duke besuar që edhe pala tjetër ka qëllime të mira, se si të arrihet deri te një fitore për dy palët. Dhe ajo fitore është politike. Për aq kohë sa të ekzistojë konflikti, të gjitha aspektet tjera nuk do të jenë me prioritet. Kosova, Serbia dhe rajoni janë të pazhvilluar në aspektin ekonomik dhe prandaj njerëzit po ikin prej shtëpive të tyre, po shkojnë në Vjenë, Gjermani apo vende tjera, sepse nuk shohin zhvillim. Ky aspekt duhet trajtuar me shumë seriozitet, dhe duhet të jetë bazë për shqetësim për mirëqenien e njerëzve. Me mundësi ekonomike vijnë vendet e punës, edukimi më i mirë.
Sa u përket investimeve, në ditët e sotme nuk është e rëndësishme a keni fabrika, në kohën e digjitalizimit. Unë i kam propozuar Bashkimit Evropian disa herë që të krijohen mundësi që njerëzit e rajonit të mund të punojnë në sektorin e teknologjisë informative. Është diçka që mund të bëhet shumë lehtë, mirëpo për aq kohë sa do të ketë tensione, investitorët hezitojnë. Pra, Bashkimi Evropian duhet të ofrojë ndihmë, mirëpo nuk mund të bëjë shumë investime në një rajon ku është i mundshëm një konflikt ushtarak.
“Të mos mbivlerësohet ndikimi i Rusisë në Ballkan”
Radio Evropa e Lirë: Po e përmendni konfliktin ushtarak. Bashkimi Evropian u është bashkuar së fundi shqetësimeve të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që Rusia mund të nxisë konflikt në Ballkanin Perëndimor. Si mund të shmanget diçka e tillë?
Wolfgang Petritsch: Kosova është ndoshta vendi më pro evropian në rajon. Prandaj, nuk shoh shumë rrezik për të nga Rusia, ndonëse natyrisht që elementet armiqësore janë të mundura. Për aq kohë sa ekziston mundësia e shpërthimit të një konflikti, Rusia do të përfitojë nga ajo. Por, mendoj se Rusia është goxha e fokusuar në problemet e veta në Ukrainë. Nuk do ta mbivlerësoja ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. E dimë që marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Moskës janë të afërta, më shumë sesa me secilin vend në rajon, të paktën publikisht. Edhe [presidenti i Republikës Sërpska, Millorad] Dodik është mik i mirë i [presidentit rus, Vladimir] Putinit. Mirëpo, ky i fundit është problem i ndarë që mund të menaxhohet lehtë, sepse është i vogël. Por po, Moska është e interesuar për vazhdim të konfliktit, dhe në këtë aspekt, as Prishtina dhe as Beogradi nuk po i ndihmojnë procesit të dialogut.
Sërish, zgjidhja duhet të inicohet nga Prishtina, duke pasur shtrirje, duke e adresuar faktorin njeri në këtë temë. Ka të bëjë me ndërtim të besimit. Mund të ketë tentime të Beogradit për ta parandaluar procesin, mirëpo një hap i tillë nga Prishtina do të mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe amerikanët.
“Kosova të demonstrojë që mund të nisë dialog të brendshëm”
Radio Evropa e Lirë: E përmendët që ka pak ndikim të Rusisë në Kosovë. Por, këtë vit, NATO-ja e ka rritur numrin e trupave në misionin e saj, KFOR. A besoni se kjo rritje është kyçe për të parandaluar çdo lloj konflikti?
Wolfgang Petritsch: Natyrisht, siguria është shumë e rëndësishme më 2024. Nëse kemi mësuar një mësim nga Banjska është që duhet të jemi shumë vigjilentë në aspektin e sigurisë. Për aq kohë sa marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit të jenë të parregulluara, për aq kohë sa nuk ka transparencë kur është fjala për mbështetje ekonomike të Beogradit në veri të Kosovës, atëherë Prishtina ka mundësi për fitore të madhe që përmes dialogut, Asociacionit, që të kërkojë transparencë, kontroll, sepse ndryshe nuk funksionon.
Gjithçka duhet të jetë transparente, kjo është në interes të pushtit qendror. Është edhe në interes të popullsisë lokale, sepse as ata nuk e dinë ku shkojnë të gjitha paratë që ndan Beogradi. Dyshoj që shkojnë te të gjithë, dhe kjo është diçka që mund të rregullohet, mund të ketë transparencë dhe llogaridhënie.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë duhet të ketë Kosova prioritet më 2024?
Wolfgang Petritsch: Situata e sigurisë do të jetë me rëndësi. Me raste ka ekzistuar bindja në Bruksel, në Berlin apo Uashingtoni që Qeveria në Prishtinë nuk është duke bërë atë që duhet bërë. Kjo ka të bëjë me zgjedhjet lokale [në veri], që sipas mendimit tim nuk kanë qenë ide e mirë. Për të rregulluar administratën lokale, kryetarët janë pjesë shumë e rëndësishme e procesit dhe kjo është temë që do të marrë shumë vëmendje.
Prishtina duhet të fokusohet në këtë pikë, por edhe të këtë shtrirje ndëretnike. E di që është e vështirë, serbët më siguri nuk do ta mirëpresin, mirëpo duhet të tejkalohet ky nivel mosbesimi. Kosova duhet të bëjë përtej asaj që pritet prej saj dhe të demonstrojë që mund të nisë këtë dialog në nivel komuniteti.
Radio Evropa e Lirë: Meqë i përmendet zgjedhjet lokale. A besoni që udhëzimi administrativ i lëshuar prej Qeverisë së Kosovës për zëvendësim të kryetarëve është mënyra e duhur për këtë proces?
Wolfgang Petritsch: Nuk i di të gjitha detajet. Por, parimi që duhet ndjekur nga secila qeveri në Prishtinë është që si, ajo që bën dhe vendos, të pranohet prej popullsisë serbe. Nëse ka propozime të drejta, ato do të zbatohen. Nëse konsiderohen të padrejta, do të jetë më e vështirë. Është gjithmonë ide e mirë që të konsultohen Brukseli dhe Uashingtoni, të dy kanë ambasadorë të mirë atje, për të gjetur zgjidhje si mund të jetojnë bashkë serbët me shqiptarët. Qeveria duhet të bëjë gjithçka për ta përmirësuar situatën. Sepse, në fund është me rëndësi për Kosovën. Për shtetësinë e saj, për sovranitetin. Sa më shpejt që zgjidhet kjo çështje, aq më shpejt Kosova do të ecë drejt institucioneve evropiane.