4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Daçiq thotë se ekstradimi i Radoiçiqit në Kosovë është i pamundur

Më të lexuarat

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se ekstradimi në Kosovë i ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, është i pamundur.

“Të gjitha proceset gjyqësore do të zhvillohen para gjykatave vendase”, u shpreh ai.

Këtë deklaratë Daçiqi e bëri gjatë një interviste që ai dha për agjencinë Beta, më 13 dhjetor, teksa komentoi fletarrestimin e lëshuar për Radoiçiqin nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë – INTERPOL.

INTERPOL-i ka lëshuar ditë më parë një urdhër për arrestimin e Radoiçiqit, për shkak të sulmit të armatosur në Banjskë, në komunën e Zveçanit, në Kosovë.

Lajmin për këtë fletarrestim e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë ministri i Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq, duke thënë se ai është lëshuar me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK.

Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë.

Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, duke pohuar se ai “personalisht” e ka organizuar sulmin dhe të gjitha përgatitjet logjistike, dhe se nuk ka informuar askënd për ato plane.

Kosova akuzoi Serbinë se qëndron pas sulmit, gjë që Beogradi zyrtar e mohon.

“Pa Asociacionin nuk ka diskutim për planin franko-gjerman”

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, po ashtu, deklaroi se “nuk do të ketë diskutim për zbatimin e planit franko-gjerman” derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Daçiq tha se shpreson që plani franko-gjerman të mos bëhet pjesë e negociatave të kapitullit 35 me Bashkimin Evropian (BE).

“Shpresojmë që të mos arrihet deri te kjo, sepse është në kundërshtim me pikëpamjet e vendeve që nuk e njohin Kosovën. Nëse plani franko-gjerman bëhet pjesë e kapitullit 35 negociues, do t’i bëjë negociatat me BE-në shumë më të vështira”, tha ai.

Kapitulli 35 i negociatave të anëtarësimit ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian përfshin marrëdhëniet me Kosovën.

Në draftin në pritje të miratimit, thuhet se BE-ja do t’i bëjë thirrje Komisionit Evropian (KE) të ndryshojë kriteret për Kapitullin 35 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë më së voni në janar 2024, që nënkupton përfshirjen e detyrimeve nga marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në kuadrin negociator për Serbinë.

Kjo marrëveshje u arrit nga liderët e Serbisë dhe Kosovës më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit palët u dakorduan më 18 mars në Ohër.

Dokumenti njihet edhe si plani franko-gjerman.

Daçiq tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “nuk e ka dhënë pëlqimin për pjesët që mund të interpretohen si njohje de facto apo de jure e Kosovës”.

“Ne kurrë nuk e pranuam Marrëveshjen e Ohrit në tërësi. Presidenti Vuçiq tha se fillimisht duhet të formohet Asociacioni dhe pastaj të diskutojmë për gjithçka”, theksoi ai.

Marrëveshja e Ohrit parasheh që Serbia të njohë simbolet shtetërore të Kosovës, të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe që palët të respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e njëra-tjetrës.

BE-ja paralajmëron rregullisht se shpejtësia e procesit të anëtarësimit me Serbinë do të varet nga përparimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit