POETIKA E PËRPARIMIT TË PASHMANGSHËM
” Jo, nuk është ashtu! Por ju jeni që
doni të ngutshmen. Dhe e lini pas
shpine atë, të ardhmen”
Kuran 75; 20 – 21
Në kujtesën egocentrike të njerëzimit, shumica e lëvizjeve që mundësuan marrëdhëniet nuk gëzojnë privilegjin e dokumentit dhe si të tilla, iu nënshtruan imitimit që duke u harmonizuar me të përditshmen u kthyen në zakone, që mbrohen nga uniformat e armatave të “paqes” (uniforma të njëjta me ato të luftës), të cilat mirë apo keq, ngadalë apo shpejt, kanë përparuar në “dobi” apo në dëm të njeriut dhe të jetës në përgjithësi.
Ndryshe nga “Gomari i Buridanit” (veshgjati që shterri jete i uritur ndërmjet dy mullarëve), prej të cilit njerëzimi krenohet se nxorri mësimin e duhur, dhe me përkushtimin e një veshgjati krejt tjetër, tashmë i është turrur të dy “mullarëve”, majtas dhe djathtas (pa dilemat dhe komplekset poetike të gomarit të famshëm), me qëllimin e vetëm fisnik, të mos ngordhë i uritur. Dhe me ç’duket, lumturisht i ngopur, në llogore apo jashtë saj, dimër qoftë apo verë, zjarr apo akull, njëlloj pëllet dhe pëllasin për të, me atë lirikën e njohur dhe dlirësinë ngazëllyese të kundrimit të mullarëve pranë, fare pranë.
Hej, vetëm shikoni çfarë ndriçimi kanë mullarët e verdhë, çfarë drite dhe çfarë shkëlqimi…?! A mund të mos marrësh pjesë në këtë përjetim gastronomik, a është e mundur të rezistosh…?! Diçka e tillë, pa pikën e dyshimit, mund të gjykohet për ty nga e gjithë gjindja përreth, si e barabartë me çmendurinë apo së paku me lajthitje. Le pastaj, po të provoni edhe të rrini larg mullarëve, e sigurtë që përveç se do mbeteni i vetëm fare, fillikat në gjithë këtë haje madhështore, por fisnikët në fjalë me siguri do ju qesëndisin me ç’tu vijë atyre për mbarë dhe me të drejtë, madje për të qenë i saktë, meritoni shumë më keq sesa kaq.
Që fisnikërimi i njeriut ka lidhje me stomakun e tij (meqë uria i referohet një gomari aspak fisnik), kjo tashmë është provuar dhe pranuar botërisht, e nuk ka më pikë dyshimi për këtë. Nëse më lejoni, si ishte, çfarë…? Me zë pak më të lartë, ju lutem. Aa, domethënë…, po! Epo, sigurisht, natyrisht…! Nuk ka si të jetë ndryshe, edhe ju i bashkoheni mendimit tim. Jeni të shtrënguar ta pranoni të gjithë, se me barkun plot, i nginjur ohoho, derisa yndyra e gudulis në fyt, njeriu s’ka sesi të mos jetë i lumtur, dhe pikë. Ajo, gromësima që zakonisht përmbyll atë kalvar përpjekjesh heroike, hej, për atë nuk ka fjalë dhe mos e dini aq të thjeshtë, në asnjë gjuhë të botës nuk mund të shkruhet, një xhevahir më vete. Gromësima në fakt, është shkëlqimi më i shpeshtë që i bashkanjgjitet të gjitha sukseseve të njeriut, pavarsisht nga meridianet dhe paralelet e vizuara në glob. Përpara një sofre të shtruar dëng me të pjekura, të ziera, të tymosura, të lyrosura, në një fushë beteje si kjo nuk ka flamur që nuk bie e as gjeneral që reziston, pavarsisht në cilin cep të botës ka lindur gjenerali.
Nisur nga statistikat për sasitë e sillës që konsumohen për frymë nëpër grazhdet e racave të ndryshme, disa na rezultojnë më të përparuara, të ngopur e të tejngopur gromësijnë më shpesh, dhe si rrjedhojë, duhet të jenë më të lumtur se të tjerët (!!!), gjë për të cilën veç në qofshim tuafë për t’i kundërtshtuar. E në fund të fundit as nuk ia vlen t’i kundërvihesh, dikush gjithmonë do të jetë pashmangshëm diku përpara në përparimin e ndriçuar mirë, e disa të tjerë jo. Punë e ngatërruar kjo e mullarëve, si në ditët tona po ashtu edhe në lashtësinë e largët, e as nuk besoj se do t’i gjendet ana fillit në të ardhmen. Kështu ka qenë qëmoti e kështu do të mbetet, me sa duket edhe për disa kohë, nuk e dimë se sa. Disa janë atje, që siç thonë vetë, shumë përpara për të shkuar edhe më larg, disa të tjerë janë tamam atje ku ata duan vetë të jenë, as më shumë e as më pak. E nëse diku (të përparuarit përpara në përparim) nuk do të ishin këta që janë, as ne (që jemi këtu ku deshëm të jemi), s’do të ishim këta që jemi sot. Zotit falë, as ne na duhet mençuria e tyre, dhe aq më pak ata, e duan këtë budallallëkun tonë.
Sidoqoftë, personazhi që kam zgjedhur dhe për të cilin do ju flas në këto rradhë, është edhe këtu edhe atje, pra, edhe është i sërës më të lartë të fisnikëve ku gromësimat nuk kanë të mbaruar, edhe na shfaqet në shtresën më të ulët të zhelanëve që nisur nga stomaku, nuk kanë as shenjën më të vogël të fisnikërisë. Tashmë ky personazh është zakon, nuk dihet saktë sa i lashtë, siç nuk dihet nëse ai imiton njerëzit (ndoshta më e mundshmja) apo ne njerëzit imitojnë atë (e mundëshme edhe kjo), kuptohet jo vetëm për forcë zakoni. Në të vërtetë as unë vetë nuk di si t’i afrohem apo largohem këtij çorapi të thurur keq, habi për t’u habitur se si njeriu me gjithë intelektin që ka në përdorim, nuk mundi të gjejë diçka më të mirë në shëmtinë e vet, e as më të mençur në të frikshmen që bart, se sa ngjashmëria me veten e vet.
Dordolecët …
Po, po, dordolecët, ata më të përvuajturit në fillim apo në mes të arës, për ata e kam fjalën. Natyrisht që për mua dhe ty miku im, dordolecët assesi nuk janë të frikshëm se nuk gromësijnë, pra nuk janë “njerëz”. Ata janë vërtet për të trembur, por ama atë pjesë së botës së gjallë që kërkon të marrë diçka nga pjesa e njeriut (…!!!), apo prej së cilës njeriu ruan atë që ia grabiti kësaj bote të gjallë dhe jo ashtu kot, por në emër të epokës së kultivimit, të cilën këto gjallesa as e kanë kuptuar akoma, e as të mirat nuk ia dinë (…!?).
Sigurisht njeriu për ato gjallesa është i frikshëm, deri në tmerr, edhe ashtu vetëm dordolec i mbushur me kashtë, që vetëm i ngjan të vërtetit aty-këtu, në ndonjë grimcë civilizim të grisur.
Mjafton një kapele copë, një palë doreza ku mungojnë tri-katër gishtërinj, një kitarë e prishur pa tela (që kurrë më s’do të bëjë atë për të cilën u bë), një kostum i leckosur dhe sidomos, pa harruar në asnjë rast improvizimin e fytyrës së njeriut, e pas kësaj zogjtë të topitur, nuk do të guxojnë të kujtojnë urinë, do ta durojnë atë. Dhe jo vetëm zogjtë. Me pak fjalë njeriu di të trembë, dhe e ka trembur në fakt, atë pjesë të botës të cilën po ai vetë e ka quajtur “TË EGËR”. Paradoks, apo jo?!
Bota ka gjithnjë e më shumë zogj e kafshë, që shtegtojnë, për t’i shpëtuar dorës dhe takimit me njeriun e pamëshirshëm, që ha pyje të tërë, pi kënetat gjer në pikën e fundit, dhe gjithsesi, mbetet i uritur dhe as etjen e shuan. Ajo pjesë e kësaj bote “të egër” që provon të rezistojë me fanatizëm, o zhduket e tëra pa nam e nishan, ose vihet nën mbrojtjen e dhunshme të këtij babaxhani (jo të egër), që i mori gjithshka që kishin, dhe të denatyruar tashmë do të mbijetojnë për mëshirë dhe në mëshirë të kultivimit, si ekzemplarë të fundit të paraardhësve, të cilëve vetëm i ngjajnë diku, në diçka, apo ndoshta edhe më pak.
Pra, dordolecët nuk janë thjeshtë dordolecë. Jo. Ata janë krejt tjetër. Dhe për ironinë e të gjithë ironive, këto qënie të denatyruara që vetëm i ngjajnë njeriut, për të gjitha gjallesat në ikje, janë kujtimi më i hidhur për dhimbjen e së kaluarës, dhe pa dyshim edhe shembëllimi më i vërtetë i së ligës që vjen, kërkon, merr nga kjo botë, jashtë çdo kriteri, pa kursyer as veten. Si të tillë, dordolecët për këtë botë të ashtuquajtur “E EGËR”, janë kufinj të patjetërsueshëm të marshimit të çmendur dhe llogjik, të bishës së pamposhtur me emrin anonim “Njeri”. Dhe jo vetëm kaq.
Nëse do vështrojmë pak më me vëmëndje, përsa më sipër, do kuptojmë se dordolecët janë monumentet më të vërtetë që u ngritën gjer më sot për njeriun dhe që ndoshta, do të vazhdojnë të ngrihen edhe në të ardhmen. Dhe para çdo monumenti si ky që thashë, në se do të ndalesh, tashmë edhe pa i kushtuar shumë vëmendje, do të shikosh se secili nga këto krijesa “të përkryera” e “të pathyeshme”, ka domosdo një parcelë të tijën, të cilën e ka mbjellë po vetë, me kulturën që është vetëm e tija, dhe e ruan atë me përkushtimin e një dordoleci të devotshëm prej kashte. Çdo njeriu i takon një monument si ky, dhe nga ana tjetër, po t’i heqësh kashtën dhe hunjtë që e mbajnë, nuk dihet se ku do ta përplasë era atë pak qytetari të leckosur që i mbetet. Në simbolikën e përfaqsimit të vetë njeriut, secili nga këta dordolecë është për të trembur pjesën prej njeriu te dordolecët e tjerë. Pra tashmë si një paralajmërim i rreptë për ata që shtiren se diç kanë kuptuar, dhe më mirë akoma, që këmbëngulin se nxitojnë drejt përparimit, jo vetëm të sigurtë por tashmë edhe të pashmangshëm.
Dordolecët e vërtetë të njerëzimit janë të mishtë, të dhjamtë (Demos, me ndryshimin e theksit do të thotë dhjamë pra demokraci, ndryshe, pushtet i dhjamit), të rrethuar këta me rrobaqepës që qepin ndershmërinë sipas modës së fundit, me doreza gjithmonë të reja që ruajnë pastërtinë e duarve, me kapele apo frizurë e cila di të fshehë (o Zot mos çfarë mendojnë), me një kitarë me të gjitha telat që bie e ndjell përgjumje (mjerë ata që s’i ze gjumi, apo të paktën që s’shtiren si të tillë), dhe buzëqeshja, patjetër buzëqeshja në fytyrën e kultivuar të dordolecit.
Pompë, zhurmë, bujë dhe kashtë. Shumë kashtë përreth. Dashuria ka kohë që i takon “botës së egër” dhe fshihet në ato pak treva ku urbanizimi akoma nuk ka arritur të kafshojë
Kuptohet vetiu që s’mundem të vazhdoj më tej. E di mirë që miku im zhelan, ai i arës, nuk do të më mbajë mëri edhe nëse rrëmoj akoma, pasi prej natyre dordoleci i arës është i përkorë, di të merret vesh me të ngjashmit e vet dhe prej shekujsh sillet butë me njerëzit. Por nga ana tjetër ai plaku i majmë, vesves dhe zevzek i “Coca Cola-s” – karrocën e të cilit e tërheqin drerët, nuk do të ma falë vazhdimin, dhe po qe se nuk e ndërpres këtu dhe tani, mund të më ndërsejë langonjtë që mban përreth, që përveç se janë të dhjamtë si ai, shumica janë keqas të tërbuar, më të denjët e zgjedhur ndërmjet të pjellës së dordolecëve në tërbim.
Sidoqoftë, do të vijë një ditë (ku dihet?!), dhe dordolecët zhelanë prej kashte nuk do të na jenë më të nevojshëm dhe ndoshta kjo do të quhet fitore, e cila gjithsesi nuk do të jetë, as vetëm dhe as aq e thjeshtë sa duket.
Fatmir Baçi