Përcaktimi i drejtimit të Kibles, përcaktimi i kohëve të namazit dhe çështja e ndarjes së trashëgimisë, kanë bërë që myslimanët të merren prej kohësh me shkencën e matematikës.
Në degët e ndryshme të kësaj shkence myslimanët zhvilluan teorema, hipoteza dhe sisteme të ndryshme.
Gjatë kësaj periudhe mësuan matematikën indiane dhe atë të Greqisë së Lashtë. Ndërkohë, përkthyen veprat të cilat i vlerësonin si të rëndësishme, siç janë Siddhântas-i i Indianëve, Elementet e gjeometrisë e Euklidit dhe Konikët e Apollonius-it, etj.
Sado që matematikës në botën Islame i shkojnë rrënjët gjer në periudhën e dinastisë Emevite, ajo në fakt ka lindur gjatë periudhës së Abbasive dhe ka marrë vrull në fillimet e shekullit të nëntë, me Havarizmin dhe Ibn Turk-un. Më pas, këta i pasuan plot matematicienë të njohur si: el-Kindi, el- Battani, Thabit bin Kurra, Ebu’l-Vefa el-Buzxhani, Ibn Hajthemiu, Biruni, Ibn Sina, Omer Hajami, Nasiruddin et-Tusi, etj. etj..
Disa nga kontributet e myslimanëve në fushën e matematikës
Shkencëtarët myslimanë u morën që herët me shkencën e matematikës duke shpikur dhe zhvilluar mjaft sisteme dhe teorema, si rrënjën në katror, ekuacionet lineare dhe kuadratike, integralet, kosinuset, tangjentet, etj. Disa prej këtyre kontributeve po i përmendim shkurtimisht:
1. Shifrat arabe – Pak nga ne e dinë se shifrat që përdorim sot (0, 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9) janë shifra që kanë shpikur shkencëtarët myslimanë që në vitet e para të përhapjes së fesë Islame. Edhe në fjalorin shqip, këto shifra janë të emëruar si “shifrat arabe”. Deri para lindjes së fesë Islame, çdo popull përdorte simbole të ndryshme që nënkuptonin një shifër të caktuar. Romakët përdornin simbolet e tyre që ne sot i njohim si shifrat romake, ndërsa arabët (para Islamit) kishin bërë praktikë që disa shkronja të alfabetit të tyre të kishin një vlerë numerike. Pasi arabët u bënë myslimanë, me përkushtimin e tyre në fushën e matematikën, ata arritën të shpiknin shifrat që sot i përdor pothuajse e gjithë bota ( 0, 1, 2, 3…). Pas lulëzimit të shkencës në botën Islame, kulturat e tjera – duke përfshirë këtu dhe kulturën perëndimore e evropiane- e panë më të udhës përdorimin e sistemit numerik të myslimanëve. Kështu, me kalimin e kohës, ky sistem numerik u bë praktik anembanë globit. Kjo gjë solli një lehtësi të jashtëzakonshme në bërjen e llogarive, solli një prakticitet në punë dhe më pak shpenzim kohe. Fjala vjen, me simbolet romake numri “MDCCCXLIII” me numrat arabë që përdorim ne shkruhet vetëm “1843”. Mjafton të imagjinojmë pak përdorimin e këtyre shifrave romake, dhe do të kuptonim se sa vështirësi do na sillnin gjatë veprimeve aritmetike.
2. Veprimet me thyesa – Vepra e parë ku bëhet fjalë për veprimet me thyesa është Bhaskara II Lilavati, i matematicientëve indianë, shkruar në vitin 1150, por në sistemin e sotëm, pra me një vizë në mes, është prurje e matematicienëve myslimanë.
3. Shpikja e zeros (0) – Ziffer e gjermanishtes, zenero, cenero, zaphiro e italishtes, zero e frëngjishtes, anglishtes dhe e shqipes, është një lloj deformimi i “sifr” nga arabishtja, që kishte kuptimin e zbrazëtisë dhe të asgjësë. Libri i parë që ka përdorur zeron është një libër i shkruar prej një myslimani në vitin 873. Pa zero nuk mund të perceptohet sot asnjë shkencë, zeroja ka rëndësi të pakonsiderueshme. Ideja e shifrave negative dhe pozitive doli vetëm pasi u zbulua zeroja. Përdorimi i zeros në Evropë kaloi në vitin 1202 me anë të librit Liber Abaci të italianit Fibonnacci, në të cilën përmendet me emrin zephirum.
4. Katër veprimet aritmetike – Myslimanët janë ata që sollën formën e sotme të veprimit të shumëzimit, pjestimit, zbritjes dhe mbledhjes. Më parë, indianët për shembull, kur donin të bënin një veprim si “569 x 5” vepronin kështu: 5 x 5 = 25; 5 x 6 = 30. Për arsye se nuk kishin zero (0) në sistemin e tyre, 30 e vlerësonin si 3 (tresh) dhe mblidhnin 25 me 3, kështu arrinin në 28. Më pas, duke marrë 45 si rezultat i veprimit 9 x 5 dhe përfundimisht duke i shkruar pranë njëra tjetërs këto dy rezultate, arrinin në përfundimin 2845. Në shikim të parë kjo mund të duket si e lehtë, por imagjinoni pak sa kohë do harxhohej për të arritur në përfundimin e 742 x 379.
5. Algjebra – është shkenca më origjinale e shpikur prej myslimanëve. Fillimisht duhet kujtuar se vetë fjala “algjebër” vjen nga emri i librit El-Xhebr ve’l-Mukabala të matematicienit të madh mysliman Havarizmit. Kjo është një nga shkencat që është kopjuar krejtësisht nga perëndimorët prej librit të lartpërmendur të Havarizmit, i cili u përkhtye në latinisht me titullin: “De Jebra et Almucabala” në shekullin XII prej Gerard De Cremona. Më vonë, për herë të dytë, ky libër është përkthyer në latinisht me titullin: “Liber Restaurationis et oppositionis Numeri” nga Robert Chester, vepër e cila është lexuar në universitetet perëndimore dhe nëpër tubimet shkencore gjer në shekullin XVII.
Ma. Artur Tagani
Etika nr: 28