Policia e Elbasanit ka goditur një rrjet të gjerë korrupsioni që vepronte në Universitetin e Elbasanit ‘Aleksandër Xhuvani’, duke filluar nga dekani i këtij institucioni. Burime të Report Tv bëjnë me dije se dekani i këtij universiteti ju merrte studentëve nga 200 euro për një provim.
Në pranga kanë rënë shtatë persona, mes të cilëve dekani Albert Riska, shefja e departamentit të Gazetarisë, Elvira Lumi, pedagogia Erjola Calja, si dhe disa sekserë. Uniformat blu vijojnë hetimet për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në korrupsion.
Policia bën me dije se personat e arrestuar në bashkëpunim me njeri-tjetrin në kohë të ndryshme, duke shpërdoruar funksionin publik, kanë kërkuar dhe ushtruar ndikim të paligjshëm në rolin e sekserit dhe pedagogut në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan për marrjen e notave kaluese nga studentet gjatë sezoneve të provimeve.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni “Dekani” në Elbasan. Operacioni nga Strukturat e DVP.Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit. Operacioni me metoda speciale të hetimit prej disa muajsh hetime.
Goditet një grup në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, dekan –pedagog-student e sekser në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan. Finalizimi i operacionit mëngjezin e sotëm duke vënë në pranga 7 persona.
Nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan u finalizua me sukses operacioni “Dekani”.
Në kuadër të këtij operacioni pas një hetimi disa mujor me metoda speciale u bë e mundur arrestimi i shtetasve:
1- Albert Riska,55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” , Elbasan.
2- Elvira Lumi, 54 vjeçe, banues në Elbasan, me detyrë Shefe e Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”,Elbasan.
3- Erjola Calja, 29 vjeçe, banues në Gostime Cërrik, pedagoge e jashtme në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” , Elbasan.
4- Petrit Kodra, 53 vjeç, banues në Elbasan, në rolin e sekserit.
5- Admirim Kala, 31 vjeç, banues në Tiranë, në rolin e sekserit.
6- Adem Ngjela, 51 vjeç, banues në Cërrik, në rolin e sekserit.
7- Marius Calja, 21 vjeç, banues në Gostime Cërrik, student.
Arrestimi i tyre u krye në zbatim të vendimit nr.315, datë 08.05.2018, të Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, e cila ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale të parashikuara nga neni 245/1/2 dhe 259, i Kodit Penal, “Ushtrimi i Ndikimit të Paligjshëm ndaj Personave që Ushtrojnë Funksione Publike” dhe “Korrupsioni Pasiv i Personave që Ushtrojnë Funksione Publike”.
Personat e arrestuar në bashkëpunim me njeri-tjetrin në kohë të ndryshme duke shpërdoruar funksionin publik kanë kërkuar dhe ushtruar ndikim të paligjshëm në rolin e sekserit dhe pedagogut në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan për marrjen e notave kaluese nga studentet gjatë sezoneve të provimeve. Vazhdojnë hetimet për evidentimin e veprimtarisë kriminale edhe ndaj persona të tjerë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.