3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Ilir Bytyçi: Serbia madhëron kriminelët e luftës

Më të lexuarat

“Problemi në rastin tonë dhe në shumë raste të tjera është se Serbia madhëron dhe mbron kriminelët e luftës”, tha për Radion Evropa e Lirë, Ilir Bytyçi, vëllai i tre shtetasve të vrarë amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi.

Këto komente të Ilir Bytyçit vijnë pasi Serbia nderoi me një medalje mirënjohjeje ish-komandantin e xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviç-Guri.

Shtetasit amerikanë me origjinë shqiptare, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi u vranë në Serbi më 1999, pas luftës në Kosovë. Vrasja e tyre ende nuk është zbardhur dhe Radosavleviç udhëhiqte kampin ku u gjetën mbetjet mortore të vëllezërve Bytyçi më 2001.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, Ilir Bytyçi tha për Radion Evropa e Lirë se “afërsia midis presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe qeverisë së tij me kriminelët e luftës është turp” dhe se kjo “parandalon drejtësinë dhe i privon viktimat që të arrijnë paqe”.

“Në vitin 2016, presidenti Vuçiç i premtoi nënpresidentit të atëhershëm, Biden (presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara) se ai personalisht do të angazhohej në zgjidhjen e vrasjes së vëllezërve të mi. Vuçiçi më pas i tha familjes time dhe zyrtarëve amerikanë se Goran Radosavleviq ishte përgjegjës për vrasjen e tyre. Për një kohë të gjatë ekzistojnë prova të gjata dhe të mjaftueshme (për këtë)”, tha Bytyçi.

Nga Presidenca serbe nuk i janë përgjigjur pyetjes së REL-it nëse Vuçiçi ka folur para zyrtarëve amerikanë për përgjegjësinë e Radosavleviçit për vrasjen e vëllezërve Bytyçi dhe se çfarë informacionesh ka Vuçiçi për këtë rast. Zyrtarët serbë, të udhëhequr nga presidenti Vuçiq, nuk kanë konfirmuar këto pretendime të Ilir Bytyçit, të cilat ai i ka bërë publike para mediave.

Prokuroria serbe për Krime të Luftës po ashtu nuk i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë se në cilën fazë është rasti i vrasjes së vëllezërve Bytyçi dhe se a është arritur ndonjë rezultat në zbardhjen e këtij krimi, që është kryer më shumë se 20 vjet më parë.

Reagimi i Ambasadës amerikane pas nderimit të Radosavleviçit

Pas raportimit të Radios Evropa e Lirë më 30 qershor, se xhandarmëria, në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin e suksesshëm i ndau një medalje Radosavleviçit, që ishte komandanti i parë i njësisë speciale të xhandarmërisë, reagoi Ambasada amerikane në Beograd.

Duke kujtuar se Radosavleviçi ishte në krye të kampit ku u gjetën eshtrat e tre shtetasve amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ambasada tha më 3 korrik se Radosavleviq “duhet të përballet me drejtësinë dhe nuk duhet të marrë medalje”.

Në një postim në Twitter, Ambasada amerikane po ashtu kujtoi se Shtetet e Bashkuara e kishin sanksionuar Radosavleviçin, për përfshirjen e tij në vrasjen e vëllezërve Bytyçi.

Gurit iu ndalua hyrja në SHBA

Në dhjetor të vitit 2018, Departamenti amerikan i Shtetit ia ndaloi hyrjen në SHBA Radosavleviçit për shkak të përfshirjes së tij në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Atëbotë, DASH-i deklaroi se kishte prova të besueshme që Radosavleviq ishte i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyçi.

Vëllezërit Bytyçi u gjetën në një varr masiv

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, shtetas amerikanë, që luftuan përkrahë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në kuadër të Batalionit “Atlantiku”, pas bombardimeve të NATO-s, më 1999 u arrestuan në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Pasi qëndruan në burg për 15 ditë, ata u liruan, por policia serbe i dërgoi ata në bazën e Njësive speciale kundër terrorit të Ministrisë së Brendshme serbe në Petrovo Sello, që ishte nën komandën e Goran Radosavleviçit.

Trupat e tyre, që u gjetën me duar të lidhura dhe me plagë të shkaktuara nga plumbat në pjesën e pasme të kokës, u zbuluan më 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sello, në lindje të Serbisë, së bashku me trupat e pajetë të shqiptarëve të tjerë të Kosovës.

Radosavleviq mohoi akuzat

Radosavleviq ka mohuar çdo përgjegjësi për vrasjen e vëllezërve Bytyçi.

“Unë kam dhënë deklaratë për organet hetimore, kam folur për këtë rast një mijë herë, kështu që është e pakuptimit që të flas sërish për këtë rast”, kishte deklaruar Radosavleviq për REL-in në dhjetorin e vitit 2018.

Ai më pas kishte deklaruar se sa i përket vendimit të DASH-it, që ia ndaloi hyrjen në SHBA, “as nuk më intereson e as nuk më prek” ky vendim.

Një vit më vonë, më 2019, Radosavleviq i tha REL-it se ai ishte “gjithmonë i gatshëm t’i përgjigjem thirrjes së autoriteteve gjyqësore” në Serbi. Ai kishte shtuar se ishte “vetëm një anëtar” i Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiçit dhe se nuk e kishte ndërmend që të largohej nga kjo parti.

Serbisë iu ofruan informacione për përfshirjen e mundshme të Radosavleviçit

Fondi për të Drejtat Humanitare vazhdimisht ka theksuar se Goran Radosavleviq ishte menaxher i kampit në Petrovo Sello, ku u vranë vëllezërit Bytyçi dhe se asgjë nuk ka mundur të ndodhte aty pa dijeninë e tij.

Në shkurt të vitit 2019, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç kishte deklaruar se vrasja e vëllezërve Bytyçi ishte një krim i rëndë dhe se Serbia po bën gjithçka për ta hetuar rastin dhe kishte shtuar se Serbia sigurisht që nuk do ta mbronte askënd që ka kryer këtë krim.

Në atë rast, Vuçiq kishte konfirmuar për mediat edhe për një takim me kongresistët amerikanë në Mynih, të mbajtur në shkurt të vitit 2019, takim në të cilin, emri i ish-shefit të policisë Goran Radosavleviq Guri, ishte përmendur dy herë.

“Ata e përmendën dy herë. Unë pyeta nëse keni ndonjë provë, por ata nuk më dhanë prova”, kishte deklaruar atëbotë Vuçiçi.

Në qershorin e vitit 2016, Fatos Bytyçi, vëllai i Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, kishte deklaruar për REL-in se ishte takuar disa herë në Uashington me Vuçiqin dhe Ivica Daçiqin, kryetarin aktual të Parlamentit serb, partia e të cilit është pjesë e koalicionit qeverisës.

Fatos Bytyçi ka deklaruar se i kishte dorëzuar prova Vuçiçit dhe Daçiçit, ku sipas tij dëshmohej se Goran Radosavleviq kishte dhënë urdhrin për vrasjen e vëllezërve të tij.

“Kur ua dhashë dokumentet, ata u tronditën. Unë iu thash: ‘Ja ku i keni, le t’i ketë Ministria e Brendshme e Serbisë edhe këto dokumente’”, kishte deklaruar Bytyçi.

Përmes një letre drejtuar zyrtarëve serbë në gusht të vitit 2020, edhe raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuara për ekzekutimet arbitrare, Agnes Callamard, tha se Serbia e kishte detyrim, sipas ligjit ndërkombëtar, që të hetojë përgjegjësinë e komandantëve dhe eprorëve të tjerë për vrasjen e vëllezërve Bytyçi më 1999.

Në këtë letër, raportuesja e OKB-së kundërshtoi pretendimet e autoriteteve në Serbi se në rastin e vrasjes së Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, parimi i përgjegjësisë komanduese nuk mund të aplikohet.

Callamard theksoi se përgjegjësia komanduese, si parimi kryesor i të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe zakonore, vlen edhe për Serbinë.

Kjo ishte letra e dytë që raportuesja e OKB-së i kishte dërguar autoriteteve serbe lidhur me vrasjen e vëllezërve Bytyçi. Letrën e parë ajo ua dërgoi më 23 korrik 201, kërkohej, ndër të tjera, informacione të hollësishme mbi hetimet e kryera, duke siguruar prova dhe mbrojtjen e dëshmitarëve si dhe kërkohej më shumë përpjekje për të zbuluar varre të tjera masive në Serbi.

Në përgjigje të letrës së parë, autoritetet serbe kishin thënë se ishte lëshuar një kërkesë për të nisur hetimet kundër nëntë të dyshuarve për rastin Bytyçi dhe se të gjithë të dyshuarit “atëbotë, kishin qenë oficerë të rangut të lartë të Ministrisë së Brendshme”.

Rasti Bytyçi, një pengesë në raportet Serbi-SHBA

Deri më sot, zbardhja e vrasjes së vëllezërve Bytyçi mbetet një temë e rëndësishme në raportet midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Në tetor të vitit 2019, Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA miratoi një rezolutë, ku kërkohej që Serbia të zbardhte vrasjen e vëllezërve Bytyçi.

Në këtë dokument thuhej se zhvillimi i marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Serbisë, është i varur nga përparimi që bëhet në zgjedhjen e rastit Bytyçi.

“Është e papranueshme që asnjë person asnjëherë nuk është shpallur fajtor për vrasjen e vëllezërve Bytyçi apo për ndonjë krim tjetër që ka lidhje me vdekjen e tyre dhe se askush nuk po përballet me akuza për këto krime”, thuhej ndër të tjera në këtë rezolutë.

Departamenti amerikan i Shtetit gjithashtu kishte përmendur rastin e vëllezërve Bytyçi në raportin e vitit 2020.

Në këtë raport u tha se Qeveria serbe nuk kishte bërë asnjë përparim të rëndësishëm në sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe se ishte e paqartë se deri në çfarë shkalle autoritetet serbe e kanë hetuar këtë çështje.

Një hetim dhe një i pafajshëm në Serbi

Ish-prokurori i posaçëm për krime lufte, Vladimir Vukçeviq, kishte deklaruar më 2013, se dyshohej se urdhri për vrasjen e vëllezërve Bytyçi kishte ardhur nga ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Vllajko Stollkoviq, i cili më 2002 kreu vetëvrasje.

Sipas Vukçeviçit, dyshohej se urdhri kaloi përmes gjeneralit të atëhershëm të shërbimit të sigurimit publik, Vlastimir Gjorgjeviq – një i dënuar i Hagës që aktualisht po vuan dënimin për krime lufte –te zëvendëskomandanti për trajnimin e njësive speciale të policisë, Goran Radosavleviq Guri.

Prokurorja Snezhana Stanojkoviq ishte pasardhëse e Vukçeviçit. Në mars të vitit 2018, ajo njoftoi se po vazhdonte punën për zbardhjen e këtij rasti.

Në vitin 2019, Prokuroria për Krime Lufte në Serbi, i tha Radios Evropa e Lirë se ky institucion po hetonte autorët e panjohur, për vrasjen e vëllezërve Bytyçi.

I vetmi gjykim në Serbi në lidhje me vrasjen e vëllezërve Bytyçi u zhvillua kundër dy oficerëve të policisë. Në vitin 2012, Dhoma e Krimeve të Luftës në Gjykatën e Lartë në Beograd liroi Sreten Popoviçin dhe Millosh Stojanoviçin, që ishin akuzuar për ndihmë në vrasjen e vëllezërve Bytyçi. Autoritetet i liruan, duke thënë se nuk kishin prova për të dëshmuar se dy të pandehurit kishin kryer krimet për të cilat u akuzuan. /REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit