Imam Dr. Tahir Kukaj, Këshilltar për Çështjet Fetare i Kryetarit të Bashkisë së New Yorkut Bill DeBlasio, NYPD Chaplain dhe Zv. President i Qëndrës Islame Kulturore Shqiptare në Staten Island New York, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ndryshimet e jashtëzakonshme që ka pësuar shoqëria njerëzore dhe besimtarët në vëçanti pas prekjes nga Covid-19. Një raport i ri i njeriut me Zotin, teknologjia dhe religjioni, si motivohen besimtarët për të mos humbur besimin e shpresën? Çfarë do të thotë të jetosh në një botë të pasigurtë? Roli i prijësve fetarë. Me Imam Dr. Tahir Kukaj bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.
SI KA NDRYSHUAR BOTA, PSIKOLOGJIA E BESIMTARËVE PARA DHE PAS PREKJES NGA COVID
Bota ka ndryshuar shumë pothuajse në të gjitha aspektet, me këtë ndryshim është krijuar edhe një huti e madhe. Në këtë kaos mund të them kan ra shumë imazhe në të cilat njerëzit kishin besim. Dashuria për njeriun, vlerat njerezore, qyteterimi u testue në një shkallë të ndjeshme. Gjendja e besimtareve ishte e rëndë sikur edhe gjendja e gjithë të tjerëve, edhe pse aspekti shpirtëror ishte më i qëndrueshëm, ishte një burim forcë dhe stabiliteti. Në fakt krizat dhe gjendja e rëndë e dallon besimtarin nga të tjerët. Besimtarët nuk kan humbur besimin në Krijuesin e gjithësisë, në këtë krizë besimtarët shohin edhe mëshirën e Zotit, duke përdorë forcën e besimit për ti dal në ndihmë atyre që kanë nevojë. Faltoret: Kishat, Xhamiat, Sinagogat ishin të parët që organizuan ndihma humanitare, Imamët, Priftërinjtë e klergjitë tjerë ishin në radhën e first responders – aktivistëve të parë. Falë bujarisë së besimtarëve, skamnorët e të varfërit kanë gjetur strehë dhe ushqime si dhe shërbime medicionale. Kjo krizë ishte një rast që besimtarët ti tregojnë botës se humanizmi është rruga e shpëtimit, besimi në Zot është fuqia dhe urtësia me të cilën do ta kalojmë këtë krizë.
NJERIU, BESIMI, MOSBESIMI, DASHURIA
Njeriu në kriza e gjendje të rëndë është përherë më i ndjeshëm dhe aktiv. Me siguri se distanca gjeografike nga njeri-tjetri ka pasur edhe ndikimin e vet psikologjik. Është e vërtetë se në shumë raste kemi edhe largim dhe izolim në mes njerëzve, edhe pse kjo nuk është e shëndoshë në aspekin mental, megjithatë kjo krizë ka ofruar grupe të njerëzve edhe më shumë, këtu e kam fjalën për besimtarët e të gjitha besimeve pa dallim. Besimtari ndjen përgjegjësi morale dhe shpirtërore të jetë optimist dhe konstruktiv. Njerëzit në kriza janë më besimtarë, kërkojnë qetësi dhe prehje, fatkeqësisht, njerëzit kur është koha e qetësisë e jetës normale, harrojnë Zotin, harrojnë se situata ndryshon, duhet të jemi mirënjohës ndaj Krijuesit për mirësitë e Tij të pa numerta.
VDEKJE, DHUNË, LUFTËRA, EPIDEMI, KU ËSHTË ZOTI? NGJARJE NATYRORE APO NDËSHKIM I ZOTIT MBI BOTËN MËKATARE?
Kjo pyetje është shumë me vend, aq sa është edhe e vjeter. Vëlla i dashur, njeriu është krijese autoritative në këtë planet, çdo gjë i shërben atij, kështu Zoti e ka krijue këtë sistem, ashtu e ka pajis njeriun me aftësi dhe talent që të jetë i aftë dhe dominant në botën ku jetojmë. Këtë aftësi të tij, jo rallë njeiu e ka përdore dhe e përdorë në mënyrë të gabuar dhe nganjëherë tejet të dëmshme. Kështu kur krijojmë kaosin e tragjedinë, kërkojmë ta fajësojmë dikënd tjetër, kështu në këtë rast ata që nuk besojnë në Zot, thua se e gjejnë momentin të shfryjnë mllefin e mosbesimt të tyre ndaj Zotit dhe besimtareve, thua se Zoti duhet të jetë shërbetorë i marrive dhe mëkateve të njerëzve. Por, nëse e shohim këtë aspekt nga këndi i besimtarit, e shohim prezencën e Zoti përherë, e në mënyrë të veçantë në raste të krizave. Zoti është aty ku njeriu sakrifikon pasurinë e tij për të ushqyer skamnoret, Zoti është aty kur njeriu i del në krah atij që është i shtypur, Zoti është aty pranë babës e nënës që kujdesen për ti rritur fëmijët me edukatë dhe moral që të mos përfundojnë me droga apo në rrugë të ligë ku është shkatërrimi i tyre. Ai që nuk ka sy të shohë dritën e Zotit në shërbim të krijesave të Tij, ai njeri asnjëherë nuk do e ndjejë prezencën e Zotit.
Zoti na mëson se njeriu në këtë botë sprovohet në shumë aspekte, me shëndet, sëmundje, vështirësi ekonomike dhe me pasuri, me liri dhe burg e po ashtu edhe me fatkeqësi natyrore. Zoti nuk na ndëshkon, Zoti është i Mëshirëshëm, këtu ne vuajmë rezultatin e veprimeve tona si njerëz. Kur thashë më herët se humanizmi është testuar rëndë, e kemi vërejtur qartë se si vendet e mëdha dhe të zhvilluara, janë tregu shumë të ngadalshëm e të mos them ma keq ndaj vendeve të varfra, sa është ndihma ndaj vendeve dhe popujve që vuajnë për bukë goje a po për ndonjë penicilin e gjera esenciale për jetë. Investimet marramëndëse në armatim dhe shkatërrim, sikur një përqindje e vogël e kësaj gare për armatim të përdorej për mirë qenien njerëzore, me siguri se jeta do ishte shumë më vlefshme. Planifikohet se si të shumëfishon bilionat e trilionat për ata që nuk kanë nevojë për to, por nuk planifikohet se si të luftohet varferia, urrjetja, sëmundja, dhe në fund, fajësohet Zoti?
TË MOTIVOSH BESIMTARËT NË KOHË TË VËSHTIRA PANDEMIE GLOBALE
Prijësit fetarë, si Imamet, Priftërinjtë apo Rabinët, janë shembull për besimtarët, duhet të gjejnë forcë dhe guxim të jenë në vijën e parë të frontit. Feja na mëson se Zoti është në kontroll mbi çdo gjë. Ne gjejmë mbështetje dhe përkrahje në Zotin. Mëshira e tij është e pafund. Bëjmë thirrje përherë te besimtarët, besoni në Zotin tuej Krijues, përpiqu ta ndihmosh njeriun, vëllaun-motrën tuej njeri pa dallim. Ajo që i ka ndodhur sot dikuj nesër mund të të ndodhë ty, andaj bëhu dorë ndihme, thuej fjalë optimizmi, ndriço mëndjen e njerëzve me udhëzime të shenjta. Besimtarët gjatë gjithë historisë njerëzore kanë lanë gjurmë të heroizmit dhe urtësisë që ne si njerëz mund të mësojmë nga ta për të ndryshuar gjëndjen në dobi të njeriut.
PANDEMIA-RELIGJIONI-TEKNOLOGJIA-BESIMTARËT
Teknologjia është vënë në shërbim të njeriut në shumë aspekte, kjo është si rezultat i mëndjeve të ndriçuara, kështu është kur përdoret dhuntia e Zotit për mirësi e progres. Lutjet fetare të organizuara në aspekt virtual ka lehtësuar gjëndjen shumë, pastaj takimet e konsultimet përmes rrjetit -internetit- ka ndihmue të lehtësohet jeta e njerëzve shumë. A nuk e shohin njerëzit mëshirën e Zotit në këtë mirësi- invencion-. Pse nuk e shohin Zotin këtu pikërisht.
MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE BESIMTARËT KUDO NË BOTË
Lexuesve të Diellit, ju përshëndes nga zemra, ju uroj jetë dhe shëndet, keni kujdes mirëqënien e familjes, edukoni fëmijët në frymë besimi në Zot, duajeni dhe vlerësoni lart kombin në të cilin Zoti ju krijojë. Ruani traditat shekullore të shqiptarëve në aspektin e vëllazërisë së gjakut dhe besimit. Besimi nuk është arsye ndarje por arsye bashkimi.
IMAM DR. TAHIR KUKAJ