Sot (e premte) shënohet përvjetori i 17-të i masakrës së forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë në fshatin Reçak. Vendi i cili ndërroi fatin e historisë së Kosovës nga lufta e fundit, Reçaku, në të ardhmen do ta ketë të skalitur figurën e personit që e ngriti këtë fshat në vëmendjen botërore 17 vjet më parë.
Ish shefi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së, William Walker, do të përjetësohet në bronz pranë Kompleksit Memorial të Reçakut, aty ku pushojnë trupat e 45 civilëve të këtij fshati, të vrarë nga forcat serbe më 15 janar të vitit 1999.
Vetë ambasadori Walker, tashmë në pension, do të jetë i pranishëm në ceremoninë e vënies së gurthemelit të shtatores që do të mbahet nesër, pikërisht në 17 vjetorin e kësaj masakre.
Në atë ditë janari, në fshatin Reçak të Shtimes, forcat e armatosura serbe, vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve kishte edhe pleq, gra dhe fëmijë.
Ndërkaq më 16 janar të atij viti, vendin ku u zhvillua tmerri i masakrës e vizitoi dëshmitari i parë ndërkombëtar, ambasadori Walker.
Sapo i kishte parë trupat e pajetë të shtrirë në një kodër mbi fshat, Walker e kishte përshkruar këtë akt të forcave serbe si “krim kundër njerëzimit”.
Ngritja e shtatores së tij është iniciativë e komunës së Shtimes.
Masakra e Reçakut njihet si çmimi i lirisë së Kosovës e cila bëri që bota të kuptojë përmasën e krimeve që kanë ndodhur në Kosovë.
Kjo ngjarje kishte vënë në veprim diplomacinë ndërkombëtare për ta zgjidhur krizën në Kosovë dhe tri javë më pas, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë u mblodhën në kështjellën franceze të Rambujesë, në një konferencë ndërkombëtare e cila përfundoi pa një marrëveshje të arritur, më 15 mars të atij viti.
Nëntë ditë më vonë, NATO kishte filluar fushatën e bombardimeve ajrore të caqeve ushtarake serbe.