9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

125.000 palestinezë falën namazin e xhumasë në Al-Aksa pavarësisht kufizimeve izraelite

Më të lexuarat

Një numër i madh i forcave të policisë izraelite u vendos në hyrjet, rrethinat dhe rrugicat e qytetit, si dhe në portat e jashtme të Xhamisë Al-Aksa

Rreth 125.000 besimtarë palestinezë falën namazin e tretë të xhumasë të muajit të Ramazanit në Xhaminë Al-Aksa në qytetin e pushtuar të Kudsit, pavarësisht kufizimeve izraelite, tha një zyrtar palestinez.

Sheikh Azzam al-Khatib, drejtori i përgjithshëm i Departamentit të Vakëfeve Islame në Kuds, tha për Anadolu se ky numër konsiderohet më i ulët se zakonisht për këtë kohë të Ramazanit, pasi numri është vlerësuar të ketë qenë rreth 250/000 në të njëjtën ditë të vitit të kaluar.

Një numër i madh i forcave të policisë izraelite u vendos në hyrjet, rrethinat dhe rrugicat e qytetit, si dhe në portat e jashtme të Xhamisë Al-Aksa.

Vetëm burrat mbi 55 vjeç dhe gratë mbi 50 vjeç u lejuan nga autoritetet izraelite të hynin në Kudsin Lindor të pushtuar me kusht që të kishin leje hyrjeje.

Sheikh Yusuf Abu Sneineh, predikuesi i Xhamisë Al-Aksa, dënoi në hutben e xhumasë mosveprimin ndërkombëtar ndaj akteve të Izraelit në Gaza, ku palestinezët po përballen me uri pothuajse gjashtë muaj pas fushatës shkatërruese ushtarake.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Gaza që nga një inkursion ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor 2023, në të cilin Tel Avivi thotë se janë vrarë 1.200 njerëz.

Mbi 32.600 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në enklavë nga sulmet izraelite dhe mbi 75.000 të tjerë janë plagosur, përveç shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.

Lufta izraelite ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së Gazës në zhvendosje të brendshme, krahas një bllokade gjymtuese të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit