Në vendin ku po zhvillohen negociatat e sotme ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, 104 vite më parë, rusët nënshkruan një marrëveshje të famshme.
Raundi i dytë i negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës do të zhvillohet sot në qytetin bjellorus të Brest, me qëllim armëpushimin dhe përfundimin e agresionit ushtarak rus ndaj vendit fqinj.
Dhe ky vend është specifik sepse në këtë ditë, 104 vjet më parë, Rusia u tërhoq zyrtarisht nga Lufta e Parë Botërore, shkruan klix.ba, përcjell Telegrafi.
Përkatësisht, më 3 mars të vitit 1918, në Brest-Litovsk u lidh një marrëveshje e njohur më mirë si Traktati i Paqes Brest-Litovsk, kur qeveria bolshevike e Rusisë lidhi një marrëveshje me fuqitë qendrore.
Me marrëveshjen, Rusia hoqi dorë nga Polonia, Lituania, Finlanda, Letonia, Estonia dhe Ukraina, të cilat u bënë shtete të pavarura.
Rusia hoqi dorë gjithashtu nga pjesët e Gjeorgjisë, të cilat iu aneksuan Perandorisë Osmane.
Shumica e këtyre territoreve iu dorëzuan në fakt Perandorisë Gjermane dhe synimi ishte që ato të bëheshin pjesë të Perandorisë.
Marrëveshja parashikonte se fati i këtyre territoreve do të përcaktohej nga Gjermania dhe Austro-Hungaria në përputhje me popullsinë e këtyre territoreve, e cila në praktikë u reduktua në vendosjen e sundimtarëve gjermanë në fronet e sapokrijuara të Finlandës, Letonisë dhe Lituanisë.
Turqia mori menjëherë kontrollin e territorit nga marrëveshja.
Sidoqoftë, disfata e Gjermanisë në Luftën e Parë Botërore, e shënuar me një armëpushim më 11 nëntor, mundësoi pavarësinë e vërtetë për Finlandën, Estoninë, Letoninë, Lituaninë dhe Poloninë, dhe perandorët e saposhpallur duhej të abdikonin.
E marrëveshja shoqëruese, e nënshkruar në Berlin më 27 gusht 1918, parashikonte pagesën ruse prej gjashtë miliardë markash si kompensim për Gjermaninë.
Humbja e këtyre territoreve shkaktoi një valë ndjenjash antibolshevike dhe intensifikoi luftën kundër tyre, madje edhe midis disa forcave revolucionare.
Pjesa më e madhe e Ukrainës u kthye në vitin 1920, por territoret e tjera në Baltik dhe gjetkë do të mbeteshin “në duart antibolshevike” deri në Luftën e Dytë Botërore. /Telegrafi/