Autoritetet Saudite kanë nisur një plan operacioni për pelegrinazhin e Haxhit të muajit të ardhshëm të kufizuar në pelegrinët vendas, në një përpjekje për të kufizuar përhapjen e COVID-19.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, shefi i Presidencës së Përgjithshme për Çështjet e Dy Xhamive të Shenjta, Abdulrahman Al Sudais, tha se skema bazohet në mikpritjen dhe shërbimet efikase që do t’u ofrohen pelegrinëve.
Për këtë qëllim, autoritetet kanë përdorur teknologjinë e inteligjencës artificiale duke përfshirë përdorimin e robotëve për të siguruar shishet e ujit Zamzam sipas masave paraprake anti-coronavirus.
Veç kësaj, mbi 800 karroca elektrike dhe manuale do të sigurohen për të lehtësuar lëvizjen e pelegrinëve të moshuar dhe me probleme fizike nëpër Xhaminë e Madhe në Mekë, shtoi zyrtari.
Presidenca e Përgjithshme ka hartuar një plan të përpunuar në bashkëpunim me Ministrinë e Haxhit për t’u dhënë pelegrinëve një qasje të lehtë në Xhaminë e Madhe dhe për t’i mundësuar atyre që të kryejnë ritet e Qabes së Shenjtë duke caktuar 25 pista.
“Presidenca nuk ka larguar nga vëmendja kategoritë e besimtarëve të sfiduar fizikisht pasi ka vendosur një numër vendesh lutjesh për pelegrinët e moshuar dhe me të meta, përveç përcaktimit të tualeteve dhe një aplikacioni elektronik, të quajtur ‘Tankul’ për të porositur shërbime transporti brenda Xhamisë së Madhe”, ka thënë më tej Al Sudais.
Ai shtoi se 3,000 punonjëset e arsimuara mirë janë ngarkuar të ofrojnë shërbime të nivelit të lartë për gratë pelegrinë në Xhaminë e Madhe.
Për më tepër, autoritetet kanë caktuar rreth 5,000 punonjës për pastrimin e përditshëm të xhamisë.
Për Haxhin e këtij viti, Presidenca e Përgjithshme ka caktuar rreth 10,000 punëtorë të kualifikuar për t’u shërbyer pelegrinëve në përputhje me masat paraprake, tha ai.
Al Sudais shtoi se predikimi i mbajtur në Ditën e Arafatit, i cili shënon kulmin e Haxhit, do të interpretohet në Anglisht dhe Frëngjisht.
Ndryshe, më parë këtë muaj, Arabia Saudite tha se për shkak të vazhdimit të prezencës së rasteve me COVID-19 dhe varianteve të tij, kryerja e Haxhit të këtij viti do të kufizohet në 60,000 pelegrinë nga sauditët dhe banorët e huaj myslimanë në mbretëri.
Pelegrinët e kualifikuar duhet të vaksinohen me të paktën një dozë kundër COVID-19, pa sëmundje kronike dhe të moshës ndërmjet 18 deri 65 vjeç. /Telegrafi/