1.6 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

1 milion euro për punë të pakryera

Më të lexuarat

Paratë janë marrë, puna s’është kryer. Kjo i ka ndodhur Postë Telekomit të Kosovës e cila ka paguar afër një milion euro për tenderin i cili nuk është funksional. I kontraktuar në prill të vitit të kaluar, konzorciumi “DataPrgNet”, financues i PDK-së në Ferizaj dhe “Botek” është dashur që projektin për furnizim me harduer, softuer dhe pajisje teknologjike për automatizimin e sporteleve të Postës së Kosovës ta kryejnë për 90 ditë sipas kontratës.
Automatizimi i sporteleve nënkupton që të gjitha produktet e PTK-së të shiten përmes një programi të vetëm. Një vit pas kontraktimit, implementimi i këtij programi nuk është i mundur.

Por, pagesa për konzorcimit të kontraktuar është kryer qysh prej qershorit të vitit të kaluar. Kompanitë janë paguar me 780,390 euro për aq sa ka qenë pjesa e kryerjes së punëve. Ajo çka ka mbetur për tu paguar është pjesa e mbikëqyrjes prej 334,080 euro si shumë e përfshirë po ashtu me kontratë dhe kjo pagesë do të bëhet gjatë 36 muajve sa do të zgjasë edhe mbikëqyrja dhe kompanitë të paguhen me 9,280 euro për muaj.
Zyrtarë të PTK-së që gjashtë muaj rresht përgjigjen se projekti do të jetë funksional së shpejti.

”Në kontratë ka qenë e precizuar që punët do të kryhen brenda 90 ditë pune dhe mirëmbajtja ne afat prej 36 muajsh. Mirëpo në ndërkohë me kompaninë në fjalë është bërë një marrëveshje mirëkuptimi për planin e pagesave konform planit dinamik të pagesave gjithnjë duke u bazuar në nevojat e PK për module të ndryshme aplikative konform kërkesave te biznesit. Në ndërkohe është bërë edhe kërkesa nga PTK-ja për furnizim me Storage server i cili furnizim nuk ka qenë i përfshirë në kontratë” shpjegon zëdhënësi i PTK-së Menduh Abazi.
PTK-ja ndërkaq nuk ka mekazima ligjorë që ta detyrojë “DataProgNetin” dhe “Botekun” të cilat e ksihin fituar këtë tender që t’i kryejnë punët.
Sipas sigurimit të ekzekutimit të punëve të bërë përmes kompanisë SIGMA, nëse operatori ekonomik dështon t’i ekzekutojë kontratën atëherë SIGMA do ta paguajë shumën e kontratës. Dokumenti i sigurisë më SIGMËN vlente deri më 5 dhjetor 2011.

Kësisoj, me 01.06.11 PTK-ja kishte paguar 78,039 euro në formë avansi. Më 16.06.11 shuma më e madhe prej 280,940 euro, si dhe nga 210, 705 euro, më datë 06.09.11 dhe 06.12.11 për të formuar totalin me 780,390 euro përkundër se projekti vazhdon mos me qenë funksional.
Njëjtë pohon edhe zëdhënësi Abazi.

“Deri më tani kompanisë që ka fituar tenderin për projektin “Furnizimi me hardware,software dhe pajisje teknologjike për automatizimin e sporteleve te Postës së Kosovës” sipas kontratës nr.01-1739/11 dhe Marrëveshjes së mirëkuptimit 02-2717/11 i është bërë pagesa në vlerë prej 780,390.00Euro” thotë ai.
Mënyra si kishte shkuar implementimi i tenderit kishte qenë edhe një prej vërejtjeve të përfshira në një raport auditimi të brendshëm të bërë në fillim të vitit 2012.
Në paragrafin pesë të këtij raporti rekomandohet Komisioni për Pranim Teknik të ndërmarrë masat e nevojshme lidhur me këtë meqë siç ceket AS (automatizimi i sporteleve) si proces është i papërfunduar dhe jo i plotë.
Në të njëjtin raport tërhiqet vërejtja se produktet më të rëndësishme të PTK-së kanë mbetur jashtë këtij programi.
“Megjithëse i paraparë për të gjitha produktet kanë mbetur jashtë tri produktet kryesore që përbëjnë përqindjen më të madhe të shitjes: Mbushje elektronike, fiks dhe post paid”ceket në këtë raport.

Por menaxheri i kompanisë fituese “DataProgNet” Sabedin Meha e thotë të kundërtën.
“Projekti prej fillimi është paraparë për të gjitha produktet e PTK-së dhe në atë formë po realizohet” thotë Meha.
Ai njëjtë si zyrtarët e PTK-së fajin e mos funksionalizmit ia lë detajeve teknike qe po marrin një vit për implementim.
“Punët nuk janë kryer të gjitha sepse po duam që të jemi sa më të sigurt në atë që po bëjmë dhe vazhdimisht po i testojmë. Kjo ka marrë më shumë kohë për shkak se e kemi prodhuar softuerin vetë nuk është që thjesht e kemi blerë e shitur postës” shpjegohet Meha.
Por sipas tij, kjo po bëhet në marrëveshje me autoritetin kontraktues.

“Hardueri nuk ka qenë problem por softueri po na merr kohë dhe na kanë dalë punë shtesë gjatë implementimit sepse ne e kemi prodhuar komplet softuerin e ri” shton Meha duke folur në emër të kompanisë “DataProgNet”.
Plus 76,255.00 euro
780 mijë euro nuk do t’i mjaftojnë kompanisë për t’i kryer punët. Gjatë implementimit të projektit do të paraqitet nevoja për pajisje të reja. Tenderi për to do t’i kushtojë PTK-së edhe 76,255.00 euro të tjera.
Tenderi do t’i besohej të njëjtës kompani. Data e njoftimit të dhënies së kontratës ishte më 22 dhjetor 2012 , dy javë pasi i kishte kaluar edhe sigurimi i ekzekutimit të punëve.

Njoftimi për “Furnizim me Storage Server dhe pajisje përcjellëse”, i ishte dhënë kompanive “DataProgNet” dhe “Botek” me procedurë të negociuar.
Meha derisa pohon se ka fituar tenderë në shumicën e institucioneve publike pohon se me PTK-në ky është tenderi i parë.
Sipas web faqes zyrtare të “ DataProgNetit” e njëjta kompani ka kontratata me shumë institucione publike të cilat i quan partnerë.
Kompania e cila figuron në listën e financuesve të fushatës së PDK-së në vitin 2009 ka ‘partneritet’ me Qeverinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Komuna e Ferizajt,
Ndërkaq Meha thotë se numri i ‘partnerëve’ të institucioneve publike është më i madh duke përmendur Ministrinë e Tregtisë, ish- Ministrinë e Administratës Publike.
Zyrtarë të kompanisë tjetër fituese “Botek” nuk kanë dashur të deklarohen me arsyetimin se “DataProgNet” është bartëse e projektit. (Preportr)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit