Me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Deçanit, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të kësaj komune kanë organizuar një ekspozitë përmes së cilës përkujtohen figurat kombëtare të historisë sonë.
Kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, tha se është krenar që nxënësit e shkollave të Deçanit, përmes kësaj ekspozite kujtojnë figurat kombëtare dhe historinë e kaluar dhe të lavdishme të popullit tonë.
“Deçani ka vendos që me një datë të caktuar t’i përkujtojë dëshmorët dhe martirët e kombit. Është një vendim që e kemi marr në fund të vitit 2019 dhe e kemi zbatuar në vitin 2020, mirëpo për shkak të pandemisë nuk kemi mundur të bëjmë ndonjë organizim të dinjitetshëm edhe pse në kushte pandemike në këtë rast u bë diçka përtej me një numër tepër modest të pjesëmarrësve. Është një simbolikë ku neve na përkujton të kaluarën tonë historinë tonë. Unë ndjehem krenar kur nxënësit e shkollës së mesme te ulët… memorizojnë figurat kombëtare dhe historinë e kaluarës tonë”, tha ai.
Duke vlerësuar lart angazhimin e nxënësve, drejtori i Arsimit, Bekim Vishaj tha se kjo ekspozitë me piktura të nxënësve të Deçanit ka për qëllim përkujtimin e dëshmorëve të rënë në këtë Komunë.
Ai tha se përveç që kjo ekspozitë simbolizon respektin ndaj atyre që ranë për lirinë e Kosovës, do të shërbejë edhe si një hapësirë për nxënësit që të tregojnë talentin e tyre në fushën e artit.
“Është merita më e madhe e nxënëseve që janë akterë të kësaj ngjarje kryesore… ky aktivitet ka vend ne kalendarin shkollor… Motivi për organizimin e kësaj ekspozite në fillim ka për qëllim përkujtimin e dëshmorëve në këtë rast të komunës sonë, që është me rastin e Ditës së Dëshmorëve 5 dhe 6 maj. Është ekspozitë që simbolizon kujtesën, simbolizon respektin për ata qe ranë për liri të Kosovës, njëkohësisht u japin hapësirë talentit të nxënësve që në të ardhmen ndoshta do të ndjekin këtë rrugë dhe do të bëhen artistë të mirëfilltë të artit”, tha ai.
Ekspozita e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme do të mbetet e hapur tri ditë në oborrin e objektit të Komunës së Deçanit.