10.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

VV: Zhvillimet rreth kryeprokurorit, përplasje bandash institucionale

Më të lexuarat

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për medie thekson se klanet që tashmë haptazi veprojnë në Këshillin Prokurorial të Kosovës kanë thënë akuza dhe kundërakuza për njëri-tjetrin, në kundërshtim të plotë me seriozitetin dhe profesionalizmin që duhet të gëzonte ky organ, marrë parasysh që pikërisht nga ky Këshill priten betejat kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe zbardhjes së veprave të tjera penale.
Sipas Vetëvendosjes këto zhvillime janë pjesë e tërësisë për atë që quajmë përleshje të bandave institucionale për kapjen e shtetit.
 
“Prej vitit 2014 kohë kur Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë jashtë kompetencave të saj, procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit duke marrë rolin e gjykatave të rregullta u pa qartë se ky nuk qe më një proces sipas kërkesave ligjore dhe rregullave të brendshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ky proces ishte shndërruar në një konkurrim brenda bandave dhe grupeve që e kanë kapur sistemin prokurorial të Kosovës. Madje këtë e shprehën edhe disa nga anëtarët e Këshillit gjatë përplasjeve për kapjen e re të Prokurorisë së Shtetit”, thuhet në komunikatë.
 
Sipas VV-së, mbetet ende për t’u kuptuar se pse janë tërhequr në të njëjtën kohë pesë kandidatët nga gara për Kryeprokuror.
 
Sipas tyre, tërheqja e tyre plotësisht e pazakontë është bërë praktikisht në të njëjtën orë dhe ditë fakt i cili lë hapësirë për dyshimin se qëllimi ka qenë zvarritja e zgjedhjes së Kryeprokurorit.
 
“Po kaq shqetësues mbetet fakti se për kandidatin e vetëm të mbetur në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit përflitej para votimit në mes anëtarëve të Këshillit si i përzgjedhuri nga ‘ndërkombëtarët’. Në njërën anë i propozuari nga Këshilli Prokurorial i Kosovës është dërguar për emërim nga Presidentja për postin e Kryeprokurorit e në anën tjetër Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë turrur ta shqyrtojnë sërish procesin”, thuhet në komunikatë.
 
Sipas Vetëvendosjes, është tashmë e qartë se kjo përplasje krahas asaj brenda vetë Këshillit prokurorial është reflektim i përplasjeve të klaneve partiake e mafioze për të zotëruar kontroll të Kryeprokurorit.
 
“Gjithçka bëhet e qartë më së miri nga skandali i fundit i zbuluar nga Avokati i Popullit lidhur me rastin e falsifikimit nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani dhe Gjyqtarja Arta Rama – Hajrizi të prezencës së gjyqtarit amerikan Robert Carolan në Aktvendimin ku hidhej poshtë kërkesa e Avokatit të Popullit për ta cilësuar antikushtetuese zgjatjen e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në këtë gjykatë. Heshtja e Kryetarit të Kushtetueses dhe e gjyqtares për këtë kohë dhe dalja në pah e këtij skandali me deklarimin personal të gjyqtarit Robert Carolan, në fakt është struktura origjinale e sistemit të drejtësisë në Kosovë – Falsifikim – Agjendë partiake – Porosi nga ‘jashtë’”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes. /Telegrafi/
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit