Tërmeti lë pa gjumë veriun e Italisë

0
40

Vazhdon të dridhet toka në veri të Italisë. Lëkundjet më të forta janë ndjerë rreth orës 3 dhe 4 të mëngjesit të së hënës në zonat Mirandola, San Felice dhe Finale Emilia, po ato qyteza që u goditën më fort nga tërmeti i 24 orëve më parë që shkaktoi 7 viktima.

Gjatë gjithë ditës së diel ka pasur rreth 100 lëkundje të përsëritura, të cilat kanë shkaktuar dëme në banesa dhe në trashëgimi kulturore të rajonit të Emilias, transmeton TCH njoftimet.

Popullsia ka preferuar të kalojë natën në qendrat e pritjes në vend të shtëpive nga frika e tërmeteve të tjerë.

Edhe pse Mbrojtja Civile po punon papushim, qindra persona në Modena dhe Ferrara nuk kanë gjetur vend në qendrat e pritjes dhe kanë kaluar natën në makinat e tyre.

“Nuk na zë gjumi kur jemi në mes të kësaj katastrofe”, thonë banorët e zonës sipas corriere.it.

Ngrënia ka qenë e vështirë sepse personeli i restoranteve ka preferuar të qëndrojë larg mureve dhe çative nga frika e shembjes së tyre./koha/kohaislame