“S’ka bisedime pa zbatimin e marrëveshjeve të arritura”

0
43

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën se gradualisht po vije deri tek përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Kryeministri, në mbledhjen e Qeverisë, i njoftoi anëtarët e kabinetit qeveritar se ky proces do të përmbyllet zyrtarisht më 2 korrik 2012 në mbledhjen e Grupit Drejtues Ndërkombëtar.
Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi theksoi se me miratimin e legjislacionit që është në proces, me ndryshimet kushtetuese dhe të reformës zgjedhore, si dhe me procesin e integrimit të komuniteteve në shoqërinë dhe institucionet kosovare, po dëshmohet se shteti i Kosovës ka kaluar me sukses këtë periudhë të shtetndërtimit me implementimin e plotë të planit të Ahtisaarit.

“Edhe hapja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës dhe themelimi i Bordit të Politikave Gjuhësore, janë hapa të rëndësishëm në integrimin afirmativ të komuniteteve”, tha kryeministri. Ai tha se do të punohet vazhdimisht dhe se do të dëgjohen hallet e qytetarëve në veri. Sipas tij, ky është edhe obligim kushtetues.

Kryeministri Thaçi në mbledhjen ka folur edhe për marrëveshjet e arritura në Bruksel mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. “Pa zbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë, e në veçanti marrëveshjes për përfaqësim rajonal dhe asaj për menaxhim të integruar të kufirit, nuk do të ketë vazhdim të bisedimeve. Për këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës, e ka mbështetjen edhe të partnerëve ndërkombëtar”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi theksoi se do të vazhdohet bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-të dhe BE-në që të punohet më tepër për vazhdimin e implementimit të marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë, në veçanti bashkëpunimit regjional dhe asaj për kufij, IBM-it. /Telegrafi/kohaislame