16.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Shqipëri: Nis faza e parë e ndërtimit të gazsjellësit TAP

Më të lexuarat

 Përmes një ceremonie të zhvilluar në Çorovodë, nisi këtë të premte zbatimi i fazës së parë të ndërtimit të projektit të gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (TAP) që kalon nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, diplomatë të huaj, drejtuesit e projektit dh investitorët si dhe personalitete të tjerë të ftuar.
 
Duke ju drejtuar pjesëmarrësve në këtë ceremoni Rama dhe Gjiknuri theksuan rëndësinë e projektit për Shqipërinë. Si një nga investimet e huaja më të mëdha në vend, TAP-i do të ketë një ndikim pozitiv në sektorin energjetik në vend dhe do të ndihmojë duke nxitur investime të tjera të huaja, thanë ata në fjalët e tyre.
 
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndër të tjera në fjalën e tij në këtë ceremoni u shpreh se: “Është një prej investimeve më të mëdha në historinë e shtetit shqiptar që merr formë. Bashkëpunimi me komunitetin deri më sot ka qenë shembullor për të kapërcyer të gjitha pengesat, që nga ato të natyrës psikologjike, krejtësisht të mirkuptueshme, për dëmtim të territorit apo për ndotje. Jemi sot këtu për të lajmëruar fillimin e punës për fazën e parë të një investimi që shtrihet në pesë vitet e ardhshme, fazë që lidhet me ndërtimin e gjithë rrjetit të infrastrukturës  lidhëse. Pas përfundimit të kësaj faze do të vazhdojë ndërtimi i tubacionit kryesor dhe gazsjellësi do të përshkruaj 211 kilometra në truallin shqiptar”.
 
Drejtori Menaxhues i TAP-it, Ian Bradshaë  në fjalën e tij në këtë ceremoni u shpreh se:  “TAP ka si qëllim të ndërtojë një gazsjellës modern që do të sjellë gazin kaspik në Evropë në fillim të vitit 2020 dhe me siguri të plotë. Ndërtimi i rrugëve dhe urave ndihmëse në Shqipëri është një pikë kritike për progresin e projektit tonë. Ne jemi të përkushtuar të respektojmë parimin për të mos i shkaktuar asnjë dëmtim komuniteteve përgjatë gjurmës së gazsjellësit dhe të kemi impaktim minimal mbi mjedisin ndërkohë që sigurisë i japim përparësi të lartë. Ky është hap i rëndësishëm në plotësimin e këtij angazhimi.
 
Ndërsa ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri u shpreh se TAP ka një rëndësi për Bashkimin Europian dhe rajonin, por mbi të gjitha për Shqipërinë. Sipas tij do të jetë i rëndësishëm për rajon që jep mundësinë për lidhjen me gazsjellës të tjerë dhe do ta ktheje Shqipërinë në një nyjë të rëndësishme të gazit.
 
TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Evropë. Gazsjellësi me gjatësi prej rreth 870 kiloemtra do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në afërsi të kufirit turko-grek në Kipoi, do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik dhe do të dalë përsëri në tokë në Italinë e Jugut.
 
Gjurma e TAP mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë, si dhe vendet e tjera. Sipas qëndrimit të drejtuesve të tij, TAP do të promovojë zhvillimin ekonomik dhe punësimin përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Ai do të jetë një investim i madh i drejtpërdrejtë i huaj dhe si projekt nuk varet nga grantet apo subvencionet. Ndërkohë që shitjet e para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi priten të ndodhin në fund të vitit 2018, transporti i parë drejt Evropës pritet të ndodhë afërsisht në vitin 2020
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit