16.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Përçahen pensionistët

Më të lexuarat

Vendimi i qeverisë për rritjen e pensioneve përçanë pensionistët. Përderisa Bashkimi i Pensionistëve të Kosovës mirëpret vendimin dhe thotë se do të ndikojë në përmirësimin e mirëqenies sociale, pesë subjektet e koalicionit të pensionistëve nuk e pranojnë rritjen. Madje, e quajnë rritje politike.

Sipas vendimit të Qeverisë, për pensionistët kontribut-pagues, pensionet prej vitit 2013 do të rriten për 40 për qind, ndërsa pensionet bazë dhe ato të aftësisë së kufizuar do të rriten në vlerë prej 33.3 për qind.

“Kjo rritje është mashtrim politik i ekzekutivit, vetëm për fituar pikë politike”, thotë Hamdi Tasholli, në emër të Koalicionit të Pensionistëve të Kosovës, në të cilën përfshihen pesë asociacione tjera që mbrojnë të drejtat e pensionistëve.

Ai thotë se qëndrojnë pas kërkesës së tyre, që pensionet të rriten 60 për qind të pagës mesatare në vend, apo deri në 250 euro në muaj.

“Ne nuk do të pranojmë, për arsye se ne e kemi kundërshtuar këtë rritje. Do ta kundërshtojmë gjithashtu me shkrime, eventualisht peticion. Të gjitha mënyrat institucionale do t’i vëmë në veprim, sepse kjo rritje është politike”, shprehet Tasholli për “Radio Evropa e Lirë”.

Në anën tjetër, udhëheqës të Bashkimit të Pensionistëve të Kosovës, vendimin për rritjen e pensioneve e konsiderojnë të vonuar, por të mirëpritur.

Hasan Berisha, sekretar në këtë shoqatë, shprehet se pozita e pensionistëve do të përmirësohet nëse pensionet do rriten deri në 40 për qind të pagës mesatare, pasi 60 për qind, siç kërkon koalicioni i pensionistëve “është e pamundur për shkak të mungesës buxhetore”.

“Rritja e pensioneve është dashur të bëhet në fillim të vitit dhe ka qenë e projektuar për ligjin për buxhetin e vitit 2012 – një rritje për 26 për qind. Këtë herë vendimi i qeverisë është bërë 40 për qind, i planifikuar dhe miratuar”, shprehet Berisha. “Prandaj, është një miratim i mirëpritur nga pensionistët kontribut-pagues, por edhe kategoritë tjera”.

Ndryshe, Hamdi Tasholli nga Koalicioni i Pensionistëve, fajëson Bashkimin e Pensionistëve si “dorë të zgjatur të pushtetit”, të cilët kanë pranuar rritjen deri në 40 për qind. Ai madje thotë se zyrtarët qeveritarë as që kanë pranuar të takohen më subjektet e Koalicionit të Pensionistëve.

Berisha nuk dëshiron t’i komentojë qëndrimet e Koalicionit të Pensionistëve. Ai u kujton atyre, se asociacioni i vërtetë i pensionistëve është Bashkimi i Pensionistëve, i cili angazhohet për një status të mirëfilltë të kësaj kategorie.

Sidoqoftë, subjekte të pensionistëve kanë mbajtur disa protesta në Kosovë, duke kërkuar rritje të pensioneve, pasi sipas tyre, shuma që merr kjo kategori nuk është pension por lëmoshë. Në Kosovë, personat të cilët janë mbi moshën 65 vjet, marrin nga 45 euro në muaj, ndërsa ata që kanë paguar kontributet marrin nga 85 euro.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit