Ndasitë për xhaminë al-Aqsa: tensionet prej Luftës së Parë Botërore deri në krizën aktuale

0

Pse territori i xhamisë al-Aqsa, me një rëndësi të madhe si për muslimanët ashtu edhe për hebrenjtë, mbetet një pikë e vazhdueshme tensioni.

Territori i xhamisë al-Aqsa në Qytetin e Vjetër në Jeruzalem, rrethohet nga një mur guri në të katërta anët. Është tepër i dallueshëm nga kubeja e famshme e artë, Kubeja e Shkëmbit, në qendër. Kompaundi përmban gjithashtu edhe xhaminë me kubenë gri, al-Qabali që njihet gjerësisht si xhamia al-Aqsa. Gjithë pjesa e rrethuar konsiderohet vendi i tretë më i shenjtë në Islam dhe referohet nga izraelitët si Mali Tempull.

Pas luftës së parë Botërore, Palestina u vendos nën sundimin e përkohshëm britanik. Sipas premtimeve të marra në deklaratën e Balfurit, Britania kishte marrë përsipër lehtësimin e një atdheu për hebrenjtë në Palestinë dhe nisi t’u japë tokë lëvizjeve zioniste për të ndërtuar vendbanime.

Që në atë kohë pati përpjekje të fuqishme të izraelitëve për të mbyllur kompaundin e xhamisë al-Aqsa. Ata e mbyllën atë me pengesa ushtarake për të ndaluar palestinezët në Izrael dhe popullin e Jeruzalemit të hynte në xhaminë al-Aqsa pa mbushur një farë moshe. Ndonjëherë ata lejonin hyrjen vetëm për njerëzit mbi 40 vjeç. Herë të tjera, njerëzit duhet të ishin mbi 50 vjeç, derisa mosha arriti në 60 vjeç në vitin 2014. Mjaft të imagjinosh një musliman palestinez që nuk mund të hyjë në xhami vetëm se është le të themi, 48 e jo mbi 60 vjeç.

Në vitin 1929, palestinezët demostruan kundër vendbanimeve pranë murit al-Buraq në pjesën perëndimore të kompaundit – tani i njohur si Muri Perëndimor.

Palestinezët kishin nisur të kuptonin se çfarë donte të thoshte rritja e ndikimin zionist në rajon dhe protestat e tyre sollën revolucionin al-Buraq në vitin 1929: “revolucioni i parë real në tokën palestineze” sipas kërkuesit palestinez, Ziad al-Hassan.

Zona ka qenë qendër e tensioneve dhe sulmeve që nga ajo kohë. Në vitin 1969, një i krishterë evangjelist australian, Dennis Rohan, i vuri zjarrin xhamisë al-Qabali. Shumë nga tiparet më dalluese të xhamisë, përfshirë edhe një katedër që datonte në shekullin e 12-të, u shkatërruan. Rohan u dënua për zjarrvënie, por doli se ishte i paqëndrueshëm mendërisht.

Të hënën e zezë të 8 tetorit, 1990, 20 palestinezë u vranë, sipas shifrave të OKB-së në atë që njihet si masakra e al-Aqsa-së.

63 njerëz vdiqën në incidentin e tunelit Kotel në shtator 1996, në protestat e lidhura me hapjen e një tuneli të ri nga izraelitët nën murin Perëndimor.

Intifada e Dytë nisi në vitin 2000, në territorin e xhamisë al-Aqsa.

Më së fundmi, përleshjet midis forcave palestineze dhe izrealite në territorin e kompaundit, u nxitën pjesërisht nga inkursionet e organizatave izraelite, që sollën trazira më të gjera në Izrael dhe në territoret e pushtuara palestineze.

Tensionet kanë qenë në pikën e vlimit rreth al-Aqsa-së sërish duke nisur nga viti 2015, kur shpërthyen përleshjet.

Më 28 qershor 2016, shpërthyen protestat palestineze pas vizitës nga grupe të vendosurish izraelitë në al-Aqsa gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, në kundërshtim me traditën.

Më pas, më 14 korrik  2017, dy policë izraelitë u qëlluan për vdekje nga tre palestinezë të armatosur në afërsi të kompaundit al-Aqsa. Pas incidentit, izraelitët e mbyllën kompaundin duke anuluar edhe faljen e së premtes për herë të parë që prej vitit 1969.

Prej incidentit, izraelitët instaluan detektorë metalesh dhe kamera sigurie në pikat hyrëse të xhamisë së administruar nga muslimanët, përpara se të rihapnin vendin, por zyrtarët e al-Aqsa-së i refuzuan masat e reja dhe refuzuan të falen atje.

Izraeli u thye nga presioni, duke hequr detektorët por duke lënë kamerat. Përleshjet që pasuan nxitën reagim ndërkombëtar.

Shefi i Ligës Arabe, Ahmed Abul Gheit akuzoi Izraelin se po luan me zjarrin me masat e reja të sigurisë dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dënoi ashpër kufizimet izraelitë në xhaminë al-Aqsa.

Më 24 korrik 2017, i dërguari i OKB-së për Lindjen e Mesme kërkoi gjetjen e zgjidhjes për krizën deri të premten, pasi situata kërcënon të sjellë pasoja kastrofike shumë përtej mureve të Qytetit të Vjetër, siç tha ai.

“Eshtë shumë e rëndësishme të gjendet zgjidhje për krizën aktuale deri të premten”, tha Nickolay Mladenov në një seancë në Këshillin e Sigurimit, me dyer të mbyllura.

Kuarteti për Lindjen e Mesme, Rusia, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara inkurajuan Izraelin dhe Jordaninë të punojnë së bashku për ç’tensionimin e situatës duke vënë në dukje rolin e Jordanisë sipas traktatit të saj të paqes me Tel Avivin.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/