14.8 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Muzeu i San Franciskos ekspozon modën bashkëkohore të grave muslimane

Më të lexuarat

Mbulesa e kokës është një ndër elementët më të dukshëm të veshjes së grave muslimane, që në të shumtën e herëve portretizohet si një element pa shije dhe kufizues në sytë e perëndimorëve.

Por një ekspozitë e re, e hapur së fundmi në San Francisko ka dëshmuar se mbulesa e kokës që përdoret nga disa gra muslimane, mund të jetë e formave dhe e ngjyrave të ndryshme.

Ajo mund të përfshijë që nga turbanet me ngjyrë të verdhë, e deri te shallet prej mëndafshi të zi e prej dantelle të Dolce & Gabbana-s. Ekspozita me titull “Moda bashkëkohore muslimane” u hap të shtunën në Muzeun de Young dhe përmban rreth 80 lloje veshjesh të stiluara nga 60 stilistë nga e gjithë bota, duke përfshirë edhe Lindjen e Mesme e Azinë e Juglindore. Veshjet janë elegante e plot ngjyra dhe u përkasin kategorive të klasikes e të sportives.

Organizatorët e kësaj ekspozite, që është edhe e para e këtij lloji në këtë muze, shpresojnë që nëpërmjet saj të mundësohet një perceptim më i qartë për gratë muslimane.

“Në një kohë kur gratë muslimane po shënjeshtrohen gjithnjë e më shumë, për shkak se po e përdorin modën për të mbrojtur mëvetësinë dhe identitetin e tyre, ne shpresojmë që një ekspozitë e tillë të krijojë një imazh pozitiv të një komuniteti, për të cilin flitet shpesh, por që rrallë i jepet mundësia për të folur e për ta prezantuar veten” – shprehet Gisue Hariri, njëra prej dy motrave iraniane të studios arkitekturore, e cila u mor me kompozimin e galerive të ekspozitës.

Hapja e ekspozitës me veshje islame u bë në një kohë, kur në vendet perëndimore kjo veshje është objekt i debateve të shumta. Kohët e fundit, Danimarka e ka ndaluar perçen në vendet publike, me pretendimin se ky hap i ndërmarrë është i një rëndësie të madhe për sigurinë publike, si dhe për ruajtjen e vlerave daneze.

Edhe Austria, Belgjika dhe Franca kanë vënë në zbatim të njëjtën ndalesë, ndërsa në Shtetet e Bashkuara, presidenti Donald Trump ka lëshuar një urdhër, nëpërmjet të cilit u ndalohet udhëtimi për në këtë vend, shtetasve të disa vendeve me shumicë muslimane. Mirëpo Jill D’ Alessandro, kuratorja e artit tekstil më Muzeun e Arteve të Bukura të San Franciskos – që përfshin edhe muzeun de Young – thotë se ideja e kësaj ekspozite i ka fillesat përpara zgjedhjes së presidentit Trump. Ajo thotë se ky projekt u nis qysh në vitin 2016, periudhë në të cilën nisën zhurmat për ndalimin e burkinit në Francë. Në të njëjtën kohë, ajo shprehet se kishte parë edhe shumë të reja muslimane, të cilat dëshironin ta shprehnin përkushtimin e tyre fetar nëpërmjet veshjeve modeste. “Ishte pikërisht kjo lloj dihotomie që na interesonte!”, thotë ajo. “Ky ishte thelbi. Sikur duam të themi: “Pa shikoni! A s’është qesharake? Ato janë të veshura kaq bukur, e sërish njerëzit diskutojnë se çfarë mund të veshin e çfarë jo”.

Moda e veshjeve modeste është shndërruar së fundmi në një industri që gjeneron një shumë prej 44 miliardë dollarësh. Ajo po tërheq shumë shtëpi mode perëndimore, të cilat u ofrojnë produktet e tyre konsumatorëve muslimanë. Në sondazhin e bërë nga Instituti për Politikë dhe Mirëkuptim Social, një organizatë kjo, që merret me çështjet e muslimanëve amerikanë, rezultoi se pjesa më e madhe e grave e mbajnë mbulesën islame për arsye fetare. Vetëm 1% e tyre pohuan se kjo veshje u diktohej nga familja.

Drejtoresha e këtij instituti, Dalia Mogahed është e kënaqur për iniciativën e muzeut de Young. Mogahed, e cila nuk ka lidhje me organizimin e kësaj ekspozite, shprehet e zhgënjyer ndaj vendeve që i detyrojnë gratë muslimane të vishen në një formë të caktuar, po ashtu edhe ndaj atyre që nuk i lejojnë ato të vishen siç duan.

“Perceptimi që kanë njerëzit për muslimanët e Amerikës, apo për muslimanët në përgjithësi, merr kryesisht formë prej titujve të bujshëm, të cilët injorojnë dhe lënë në hije shumicën”, thotë ajo.

Stilistët që marrin pjesë me veshjet e tyre në këtë ekspozitë janë nga Arabia Saudite, Turqia, Malajzia, Singapori, Irani si dhe nga vende të tjera. Duke folur rreth ekspozitës, Saba Ali, stilistja nga San Francisko, thotë: “Mendoj se organizimi i kësaj ekspozite është shumë i rëndësishëm, sidomos në kohën që jetojmë, kur shumë njerëz nuk i njohin muslimanët. Arti është një mjet i mrekullueshëm shprehjeje, nëpërmjet të cilit mund të njihet më mirë një kulturë apo një popull i caktuar.”/tesheshi.com/ 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit