29.7 C
Pristina
Tuesday, June 18, 2024

Hovenier: Kosova mund të përparojë vetëm duke dëgjuar shqetësimet e SHBA-së

Më të lexuarat

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të premten se Kosova mund të përparojë vetëm me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, duke i marrë parasysh shqetësimet e saj.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, të publikuar të premten pasdite, Hovenier tha se ka mosmarrëveshje mes SHBA-së dhe Kosovës për shkak të vendimeve politike të Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti dhe shpërfilljes së këshillave të Qeverisë amerikane në lidhje me komunitetin serb në Kosovë.

“Kosova mund të përparojë vetëm me ne dhe me ne nënkupton se duhet të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve tona. Nëse Kosova përmbush detyrimet e saj, do të avancojë. Nëse heziton t’i përmbushë detyrimet, do të ngecë”, tha Hovenier.

Ai tha se dallimet mes SHBA-së dhe Kosovës nuk kanë të bëjë me anën ligjore të veprimeve të Qeverisë së Kosovës, por me frymën e tyre dhe pasojat konkrete të tyre tek komuniteti serb në vend.

Qeveri e Kosovës mori vendim më 30 maj për finalizimin e shpronësimit të mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe në veri të vendit, duke nxitur kritika nga vendet e QUINT-it, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja.

Hovenier tha se Qeveria e Kurtit nuk e mori parasysh këshillën e SHBA-së për këtë çështje dhe e përsëriti se nuk mendon se janë përmbushur të gjitha kriteret ligjore për shpronësimin e atyre tokave.

“Kemi shprehur shqetësimet tona për mënyrën se si Qeveria është angazhuar me komunitetet e prekura nga ky vendim dhe kemi shprehur zhgënjimin tonë që këshilla jonë nuk është marrë parasysh”, theksoi Hovenier.

Ai tha se e njëjta vlen edhe për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit për pagesa me para të gatshme nga shkurti i këtij viti, ligjshmërinë e të cilit SHBA-ja nuk e ka kundërshtuar kurrë, por “mënyra se si është zbatuar ky vendim, na shqetësoi. U bë me nxitim, pa u njoftuar në kohë”.

Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, i rriti fërkimet mes Kosovës dhe partnerëve të saj perëndimorë, të cilët kërkuan pezullimin e saj derisa komuniteti serb – i cili prej vitesh pranon pagesa të ndryshme në dinarë nga Serbia – të përshtatet me praktikën e re.

Hovenier tha se Shtetet e bashkuara duan të jenë “përkrahësi më i fuqishëm i qeverisë së Kosovës”, por për të ndodhur kjo, ajo duhet të ndërmarrë veprime që i përgjigjen shqetësimeve të aleatëve.

“Duam ta shohim Kosovën të avancojë në strukturat evropiane dhe euro-atlantike. Duam ta shohim Kosovën në NATO dhe në Bashkimin Evropian, në Këshillin e Evropës. Por për ta ndihmuar Kosovën të arrijë këto qëllime, duam që qeveria të ndërmarrë veprime… që avancon këto qëllime, që është në përputhje me zotimet që Kosova ka bërë në dialog. Këto janë ato i presim dhe pjesë e asaj që besojmë se po mungon së fundmi”, shtoi ai.

Ai tha se kërkesat që Shtetet e Bashkuara po ia bëjnë Kosovës për të përmbushur detyrimet nga Marrëveshja bazë “janë në dobi të Kosovës, e ndihmojnë shtetin të jetë më efikas dhe më i përgjegjshëm ndaj shqetësimeve të një pjese të qytetarëve të saj”.

Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Brukseli ka kritikuar të dyja palët për moszbatim të marrëveshjes.

Kosova është nën presion nga partnerët ndëkombëtarë për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të dakorduar me Serbinë qysh në vitin 2013, si dhe për të pezulluar rregulloren e BQK-së.

Kosova dështoi në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës në maj, kryesisht për shkak të Asociacionit.

Ajo i kaloi dy prej tri fazave të nevojshme për pranim në Këshill të Evropës, organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut.

Por, në hapin e tretë – miratimin e anëtarësimit në Komitet të Ministrave – Kosova u përfshi fare në agjendë, pasi nuk ka bërë hapa të mjaftueshëm drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Hovenier tha të premten se “shpresojmë se do të shohim përparim” nga ana e Kosovës drejt themelimit të Asociacionit.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit