9.2 C
Pristina
Tuesday, October 8, 2024

Gjashtë shenjat e rënies së pashmangshme të Sionizmit në Izrael

Më të lexuarat

Përçarja si shoqëri, kriza ekonomike dhe izolimi ndërkombëtar, do i japin fund projektit famëkeq 120-vjeçar

Nga Ilan Pappé, Internazionale.it

Sulmi i Hamasit i 7 tetorit 2023, mund të krahasohet me një tërmet që godet një ndërtesë të vjetër. Çarjet kishin nisur të shfaqeshin që më parë, por pas sulmit janë të dukshme që në themele. A ka gjasa që më shumë se 120 vjet që nga fillimi i tij, projekti sionist në Palestinë – ideja e imponimit të një shteti hebre në një vend arab, musliman dhe të Lindjes së Mesme – të përballet me perspektivën e kolapsit?

Historikisht, shembja e një shteti mund të nxitet nga një mori faktorësh. Kjo mund të ndodhë nga sulmet e vazhdueshme nga vendet fqinje, apo nga një luftë civile e vazhdueshme. Mund të vijë si pasojë e shpërbërjes së institucioneve publike, të cilat bëhen të paafta për të ofruar shërbime për qytetarët.

Shpeshherë rënia nis si një proces i ngadaltë degradimi, që befas merr vrull dhe më pas brenda një kohe të shkurtër i rrëzon strukturat që dikur dukeshin të qëndrueshme. Vështirësia qëndron tek zbulimi i shenjave të hershme.

Më poshtë, do të përshkruaj shkurtimisht shenjat që janë më të qarta se kurrë.

1. Përçarja e shoqërisë hebreje

Aktualisht ajo përbëhet nga dy kampe rivale, të cilat nuk janë në gjendje të gjejnë dot gjuhën e përbashkët. Përçarja e ka burimin tek anomalitë e përcaktimit të Judaizmit si nacionalizëm. Ndërsa identiteti hebre në Izrael, është dukur ndonjëherë si një temë e debateve teorike midis fraksioneve fetare dhe laike, tani është kthyer në një përplasje të egër mbi karakterin e sferës publike dhe vetë shtetit.

Mbi të ka përballje jo vetëm në media por edhe në rrugë. Njëri nga kampet mund të quhet “Shteti i Izraelit”. Ai përfshin më shumë hebrenj evropianë laikë, liberalë. Dëshira e tyre kryesore është që qytetarët hebrenj të jetojnë në një shoqëri demokratike dhe pluraliste. Ndërkohë, kampi tjetër është “Shteti i Judesë”, i cili u zhvillua midis kolonëve të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Ai gëzon një mbështetje gjithnjë e më të madhe brenda vendit, dhe përbën bazën elektorale që siguroi fitoren e Netanyahut në zgjedhjet e nëntorit 2022. Ndikimi i tij në nivelet e larta të ushtrisë izraelite dhe shërbimeve të sigurisë po rritet në mënyrë eksponenciale. Ky fraksion synon që Izraeli të bëhet një teokraci me shtrirje në të gjithë Palestinën historike.

Dhe për ta arritur këtë është i vendosur të zvogëlojë në minimum numrin e palestinezëve, dhe madje mendon ndërtimin e një tempulli të tretë në vend të xhamisë Al-Aksa. Anëtarët e këtij kampi, besojnë se kjo do t’u japë mundësi të ripërtërijnë Epokën e Artë të Mbretërive Biblike. Për ta, hebrenjtë laikë janë po aq heretikë sa palestinezët, në rast se refuzojnë të bashkohen në këtë përpjekje. Të dy kampet nisën të përplaseshin dhunshëm që përpara 7 tetorit. Tani pajtimi midis tyre duket i pamundur. Më shumë se gjysmë milionë izraelitë, që përfaqësojnë “Shtetin e Izraelit”, janë larguar nga vendi që nga tetori i vitit të kaluar, një tregues ky se vendi po uzurpohet nga “Shteti i Judesë”. Ky i fundit është një projekt politik që bota arabe, dhe ndoshta edhe bota në përgjithësi, nuk do ta tolerojë në planin afatgjatë.

2. Kriza ekonomike e Izraelit

Klasa politike nuk duket se ka ndonjë plan për balancimin e financave publike, duke u mbështetur gjithnjë e më shumë tek ndihma financiare e SHBA-së. Gjatë 3-mujorit të fundit të vitit të kaluar, ekonomia ra me afro 20 për qind, dhe që atëherë rimëkëmbja ka qenë e dobët. As një ndihmë e re e Uashingtonit prej 14 miliardë dollarësh, nuk ka gjasa të rikthejë gjërat si më parë.

Përkundrazi, barra ekonomike vetëm sa do të rëndohet nëse Izraeli ndjek qëllimin e tij për të hyrë në lufte kundër Hezbollahut, dhe teksa po e shton aktivitetin ushtarak në Bregun Perëndimor. Nga ana tjetër, disa vende – përfshirë Turqinë dhe Kolumbinë – kanë filluar të vendosin sanksione ekonomike. Kriza po përkeqësohet më tej nga paaftësia e ministrit të Financave Bezalel Smotrich, i cili harxhon vazhdimisht para në vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor.

3. Izolimi ndërkombëtar në rritje i Izraelit

Ky proces filloi që para sulmit të 7 tetorit, por është përshpejtuar që nga fillimi i gjenocidit në Gaza. Ai shihet tek qëndrimet e pashembullta të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Më parë, lëvizja globale e solidaritetit me Palestinën ishte në gjendje t’i nxiste njerëzit të merrnin pjesë në iniciativat e bojkotit, por nuk arrinte të çonte përpara perspektivën e sanksioneve ndërkombëtare.

Tani vendimet e fundit të GJND-së dhe GJNP-së – se Izraeli mund të jetë duke kryer gjenocid, se duhet të ndalojë ofensivën e tij në Rafah, dhe që udhëheqësit e tij duhet të arrestohen për krime lufte – duhet të shihen si një përpjekje për të dëgjuar pikëpamjet e shoqërisë civile, në krahasim me pasqyrimin e opinionit të elitës.

4. Ndryshimi i qasjes midis hebrenjve të rinj anembanë botës

Pas ngjarjeve të nëntë muajve të fundit, shumë aktorë janë të gatshëm të heqin dorë nga lidhjet e tyre me Izraelin dhe Sionizmin dhe të marrin pjesë aktive në lëvizjen e solidaritetit me kauzën palestineze. Komunitetet hebraike, veçanërisht në SHBA, i jepnin dikur Izraelit imunitet ndaj kritikave. Humbja e plotë, ose të paktën humbja e pjesshme e kësaj mbështetjeje, do të ketë pasoja të mëdha për pozitën globale të vendit.

5. Dobësia e ushtrisë izraelite

S’ka dyshim se IDF mbetet një forcë e fuqishme me armatim modern. Por kufizimet e saj u ekspozuan qartë më 7 tetor 2023. Shumë izraelitë mendojnë se ushtria ishte me shumë fat, pasi situata mund të kishte qenë shumë më e keqe, nëse Hezbollahu do t’i bashkohej Hamasit në një sulm të koordinuar.

Që atëherë, Izraeli ka treguar se mbështetet me dëshpërim tek një koalicion rajonal, i udhëhequr nga SHBA-ja për t’u mbrojtur kundër Iranit, që në prill kreu një sulm paralajmërues me mbi 170 dronë dhe raketa balistike. Projekti sionist, varet më shumë se kurrë nga dërgimi i shpejtë i sasive të mëdha të furnizimeve nga amerikanët, pa të cilat ai nuk mund të luftojë dot as kundër një ushtrie të vogël guerile në jug.

6. Ripërtëritja e energjisë tek brezi i ri i palestinezëve

Ky brez është shumë më i bashkuar, më i lidhur organikisht dhe më i qartë për perspektivat e tij sesa elita politike palestineze. Meqë popullsia e Gazës dhe Bregut Perëndimor është ndër ato me moshë më të re në botë, ky grupim të rinjsh do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në rrjedhën e luftës çlirimtare.

Diskutimet që po zhvillohen midis grupeve të reja palestineze tregojnë se ata synojnë të krijojnë një organizate vërtet demokratike – ose një OÇP të rinovuar, ose një organ të ri- që do të ndjekë një vizion të kundërt me fushatën aktuale të Autoritetit Palestinez për njohjen si shtet. Ata duket se janë në favor të një zgjidhje me një shtet të përbashkët, përkundër një modeli me dy shtete tashmë të diskredituar.

Pavarësisht nëse njerëzit e mirëpresin apo e kanë frikë këtë ide, kolapsi i Izraelit është bërë i parashikueshëm. Kjo mundësi, duhet të orientojë edhe diskutimin afatgjatë mbi për të ardhmen e rajonit.

/Tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit