Georgievski: Me Dindicin planifikuam shkëmbim territoresh

0
45

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Lupco Georgievski, po bëhet gjithnjë e më atraktiv për mediat rajonale me librin e tij autobiografik “Ky jam unë”.
Gjatë pjesëmarrjes së tij në lajmet e mbrëmjes së televizionit kroat HRT, pas intervistave të shumta për mediat bullgare, Georgievski ka folur kësaj radhe për shkëmbimin e territoreve mes Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë, të cilin e kishin planifikuar me kryeministrin serb, Zoran Dindic, por se ky plan nuk është realizuar për shkak të vrasjes së Dindicit.

Sipas ish-kryeministrit maqedonas, gjatë këtij shkëmbimi do të duhej që Maqedonia të hiqte dorë nga Gostivari, Dibra dhe Tetova, ndërsa të merrte disa pjesë rreth Liqenit të Prespës.

Georgievski ka ripërsëritur gjithashtu tezat e tij të shkruara se “Qeveria e Shkupit po e falsifikon historinë” dhe se “maqedonasit janë falsifikuesit më të mëdhenj të historisë në pesë vitet e fundit”

“Maqedonasit do të mallkojnë qumështin e nënës së tyre për atë se kanë hequr dorë nga ‘Shën Klimenti dhe Shën Naumi’ dhe se po shfaqen si falsifikatorët e historisë ballkanike. Kombi maqedonas është ndër më të rinjtë, i krijuar nga fundi i shekullit 19”, ka thënë Georgievski, transmeton “Zhurnal”. /Telegrafi/kohaislame