9.1 C
Pristina
Saturday, May 11, 2024

Desha t’ju pyes në lidhje me eksperimentin që po zhvillohet në Gjenevë

Më të lexuarat

Pyetja:

Desha t’ju pyes në lidhje me eksperimentin që po zhvillohet në Gjenevë për të vërtetuar krijimin e universit. Çfarë qasjeje jep Kurani ndaj këtyre ngjarjeve, a janë ato të pranueshme kur dihet që feja islame deri në një masë të caktuar arsyeton investigimet dhe gjetjen e të panjohurave apo është ky një sulm i rëndë mbi fenë islame në rast se ky eksperiment konceptohet si “përzierje në punët e Zotit”. Ju përshëndes, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi ju!
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Do të mundohemi t`i përgjigjemi pyetjes suaj pa u ndalur në detaje, pasi kemi një numër të madh pyetjesh pa iu përgjigjur.
Pikësëpari, Allahu i Lartësuar në Kuran në shumë ajete flet për universin, krijimin, sistemin se si funksionon gjithësia, lëvizja e trupave, etj.. Allahu i Plotfuqishëm i përmend këto gjëra si fakte që i përcillen njerëzimit për të vërtetuar madhërinë dhe fuqinë e Tij dhe kështu për të shtuar njeriu besimin e tij tek Allahu i Plotfuqishëm.
Allahu i Lartësuar thotë: “Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt.” (Ali Imran, 190)

Dhe thotë: “Dhe në të (tokë) Ne kemi krijuar bjeshkë të paluhatshme që të mos i lëkundë ata, dhe nëpër to kemi bërë lugina e rrugë, në mënyrë që ata të dinë të orientohen. Qiellin ua kemi bërë kulm të sigurt, por ata zmbrapsen prej atyre argumenteve. Ai është që krijoi natën e ditën, Diellin e Hënën dhe secili prej tyre noton në orbitë.” (Enbija, 31-33)

Gjithashtu thotë: “I pastër nga të metat është Ai që krijoi të gjitha llojet (çiftet) nga çka mban toka, nga vetë ata dhe nga çka ata nuk dinë. Për ata është argument edhe nata, prej të cilës largojmë ditën, kurse ata mbesin në terr. Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (në cakun përfundimtar). Ai është (udhëtim) përcaktim i Ngadhënjyesit, të Dijshmit. Edhe Hënës i kemi caktuar fazat (pozicionet) derisa të kthehet në trajtën e harkut (rrem i hurmës së tharë). As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata paraditen po secili noton në një galaktikë.” (Jasin, 36-40)

Ndërsa në lidhje me eksperimentin për origjinën e universit, i cili po realizohet në Zvicër, me aq sa kemi arritur të kuptojmë nga lajmet (pra nuk kemi lexuar ndonjë shkrim apo punim që e sqaron më qartë këtë çështje), mund të themi se është një eksperiment shkencor që mundohet të vërtetojë apo më mirë të themi që do tentojë ta shpjegojë mënyrën se si u krijua universi. Njeriu nuk e ka të ndaluar të hulumtojë dhe të gjejë përgjigje rreth fakteve e ngjarjeve të cilat kanë ndodhur apo të eksperimentojë rreth fenomeneve e dukurive të cilat më herët nuk kishte mundësi t`i eksperimentonte. Madje shumë nga këto njohuri te të cilat arrin njeriu t`i gjejë, ato paraprakisht janë të përmendura në Kuran.

Për këtë arsye, në kohën tonë bashkëkohore doli një shkencë që merret me studimin e argumenteve shkencore që gjenden në Kuran, e njohur si El-I`xhazu Ilmi fi Kuran, Mrekullitë shkencore të Kuranit. Në gjuhën shqipe kemi disa libra të përkthyer që shtjellojnë zbulimet shkencore nga këndvështrimi i Kuranit dhe Sunetit.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kurani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Fusilet, 53)

Në fund do të përmend edhe një ajet që tregon se si ishte universi në fillim të krijimit dhe se si është bërë ndarja më pas. Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk e dinë ata, të cilët nuk besuan se qiejt e toka ishin të ngjitura, e Ne i ndamë ato të dyja dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi; a nuk besojnë? Dhe në të (tokë) Ne kemi krijuar bjeshkë të paluhatshme që të mos i lëkundë ata, dhe nëpër to kemi bërë lugina e rrugë, në mënyrë që ata të dinë të orientohen.” (Enbija, 30-31)

Alaudin Abazi
19.9.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit