Darka e fshehtë mes Kosovës dhe Serbisë në Berlin

0
58

Përfaqësues të Kosovës e Serbisë mbrëmë janë takuar në Berlin.

Palën e Kosovës në këtë takim e kanë përfaqësuar ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi dhe shefi i stafit të kryeministrit Haradinaj, Selim Selimi.

Pjesë e takimit ka qenë edhe Michael O’Riley, ish-avokat i Haradinajt.

Ndërsa nga pala serbe delegacionin e ka kryesuar Marko Gjuriq Drejtor në i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.

Përderisa burime të mediave kanë bërë të ditur se qëllim i këtij takimi sekret ka qenë diskutimi i draftit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë me kompetenca ekzekutive apo Asociacioni Plus, Avni Arifi i cili ka qenë pjesë e këtij takimi, ka thënë se në këtë takim nuk kanë pasur kompetenca që të flasin për çështje politike.

Arifi ka thënë se në këtë takim është folur vetëm për dialogun dhe se nuk kanë biseduar për asnjë temë tjetër.

“I tërë takimi ka pasur të bëjë vetëm për të arritur te dialogu teknik ku ka mbet procesi, pra se si të vazhdojmë tutje. Kurse për pjesën politike nuk kemi pas kompetenca me fol sigurisht as për taksën. Debati është bërë për atë që dialogu është bllokuar shtatë muaj para taksës më, 15 mars 2018. Me gjithë insistimin tonë drejtuar BE-së në maj ata nuk e kanë vazhduar, sepse zyra e Mogherinit është shndërruar në zyrë të Serbisë” ka deklaruar Arifi.

Sipas tij, ajo çfarë Kosova ka kërkuar nga Serbia në këtë takim ka qenë që të mos ketë kushtëzime të dialogut dhe që bisedimet të vazhdojnë në Samitin e Parisit.

***

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kritikuar në vazhdimësi për mungesë transparence. Jo rrallëherë është aluduar edhe për takime të fshehta apo sekrete ndërmjet palëve.

Burimet ndërkombëtare dhe vendore, kanë konfirmuar se një takim i fshehtë ka ndodhur mbrëmë, e mërkurë 19.06.2019, në Berlin.

Sipas burimeve të konfirmuara, me ftesën e njerëzve më të afërt të kancelarës gjermane Angela Merkel, mbrëmë është mbajtur një takim sekret ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky takim është mbajtur në zyret e kancelarisë Gjermane dhe aty kanë marrë e pjesë përfaqësuesit e Kosovës, Serbisë, BE-së, Gjermanisë dhe Francës, mirëpo jo edhe përfaqësues nga SHBA-të.

Burimet kanë të konfirmuar se palën kosovare e kanë përfaqësuar dy njerëzit më besnik të kryeministrit Hardinaj, ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi dhe shefi i stafit të kryeministrit Haradinaj, Selim Selimi, pjesë e takimit ka qenë edhe Michael O’Riley, ish avokat i Haradinajt.

Pala serbe është udhëhequr nga Marko Gjuriq, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në qeverinë e Serbisë.

BE-ja është përfaqësuar nga Angelina Einhorst ( drejtoreshë për Evropën perëndimore, për Ballkan dhe Turqi nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së, Gjermania nga Dr. Jan Heckert (këshilltar për politikë të jashtme i kancelares Merkel), ndërsa Franca nga Alexandre Adam ( zëvendës këshilltar për Evropë nga Zyra e presidentit Macron).

Burimet konfirmojnë se qëllim i këtij takimi sekret ka qenë diskutimi i draftit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë me kompetenca ekzekutive apo Asociacioni Plus.

Të njëjtat burime ndërkombëtare dhe vendore e kanë konfirmuar se kryeministri Haradinaj tashmë ka pranuar propozimin e Gjermanisë që Kosova të pranojë themelimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive si kompromis kryesor për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

Sipas këtij skenari, Serbia nuk do të ketë nevojë ta njoh pavarësinë e Kosovës de jure dhe as te vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Serbia vetëm do ta pranojë faktin se Kosova ka territorin e saj.

Pra, takimi sekret i Berlinit ka pasur si qëllim fillimin e realizimit të skenarit të Gjermanisë për të imponuar si marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë modelin Gjermano- Gjerman, i cili nuk i siguron njohjen formale Kosovës nga Serbia përkundër kompromisit të dhimbshëm të Kosovës.

Burimet konfirmojnë se përkundër progresit të arritur në këtë takim, ende nuk ka ndonjë rezultat konkret dhe se pala serbe përsëri ka kërkuar heqjen e tarifave.

Burimet konfirmojnë se të deleguarit e kryeministrit Haradinaj nuk kanë pasur fuqi dhe mandat të vendosin për heqjen e taksës dhe kjo ka shkaktuar reagim të ashpër nga Gjermania dhe Franca. Si rezultat i dështimit të Kosovës për heqjen e taksës, burimet tona konfirmojnë se takimi i paralajmëruar për tu mbajtur në Paris, tashmë është anulur.

Këtë lajm, sot e ka konfirmuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ndërsa se shpejti pritet edhe informimi zyrtar për anulimin e Samitit te Parisit.

Media ka dërguar pyetje në zyrën e kancelares Merkel për të marrë informacion lidhur me këtë takim të fshehtë, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.