27.6 C
Pristina
Wednesday, June 26, 2024

Çfarë i nxit njerëzit racionalë të besojnë gjëra të paarsyeshme?

Më të lexuarat

Pse konspiracionisët nuk tërhiqen as pas dështimit të parashikimeve të tyre?

Nga Thomas R.Verny, Psychology Today

Një i njohuri im më, ka paralajmëruar shumë herë për katastrofën e afërt që pritet të ndodhë. Për shembull ai më paralajmëroi në një rast: Më 3 mars, presidenti Biden do të shtetëzojë të gjitha bankat dhe njerëzit në Kanada dhe SHBA do të humbasin të gjitha paratë. Tre marsi i këtij viti erdhi e shkoi dhe nuk ndodhi asgjë e tillë.

Xhoni (nuk është emri i tij i vërtetë), më siguroi se kjo ngjarje e frikshme vetëm sa është shtyrë, por gjithsesi do të ndodhte së shpejti. Ajo që më duket e çuditshme, dhe në një farë mënyre e tmerrshme, është se sado shpesh që nuk i vërtetohen parashikime të tilla, ai nuk lëkundet asnjëherë nga besimet dhe burimet e tij të informimit; Xhoni nuk është ndeshur kurrë me një teori konspirative, me të cilin nuk ka rënë dakord menjëherë. Ai nuk e vë asnjëherë në dyshim vërtetësinë apo besueshmërinë e tyre dhe e kundërshton me forcë mosbesimin tim. E të mendosh që ai është në përgjithësi një njeri i zgjuar, i mirë-arsimuar, dhe ka një punë shumë të mirë.

Kur nuk i del teoria e tij më e fundit e konspiracionit, ai ndryshon menjëherë dhe nis të veprojë si personi tjetër; tërësisht normal. Teoritë e konspiracionit, përshkruajnë komplote sekrete nga grupime të fuqishme dhe keqdashëse. Ata ndajnë bindjen, se informacioni po i fshihet enkas shumicës së njerëzve për t’i dëmtuar, varfëruar dhe nënshtruar.

Teoritë e konspiracionit janë shumë të përhapura. Ato mund të ndikojnë jo pak tek jeta e njerëzve, dhe nxiten kryesisht nga emocionet negative. Bollëku i faqeve të internetit që merren me përhapjen e tezave të tilla, si dhe numri i madh i postimeve që kanë të bëjnë me një temë të caktuar konspirative, e përforcojnë përshtypjen se ai është bërë një pretendim i besueshëm.

Siç shprehet Robert Kaldini në librin e tij të shkëlqyer “Ndikimi: Shkenca dhe praktika”, ne përcaktojmë se çfarë është e saktë, duke zbuluar se çfarë mendojnë të tjerët se është e saktë.

Teoritë e bujshme konspirative, si ajo që u njoh si “Pizzagate” në vitin 2016, kur përkrahësit e saj pretenduan se “Comet Ping Pong”, një piceri në Uashington, ishte një vend-takimi për abuzime rituale satanike, gjejnë një audiencë të hapur me njerëz që bien dakord, shpesh në mënyrë krejtësisht të pandërgjegjshme, ndaj tezave të nativizmit, racizmit dhe ksenofobisë . Ata besojnë se qeveria, mediat kryesore dhe elitat, përfaqësojnë një autoritet të plotfuqishëm dhe po kërcënojnë vlerat demokratike. “Njerëzit i drejtohen teorive të konspiracionit kur nuk plotësohen nevojat e rëndësishme psikologjike për përkatësinë shoqërore dhe sigurinë”, thotë Karen Dagllas, profesoreshë e psikologjisë sociale në Universitetin e Kentit.

Këto gjetje ndihmojnë në shpjegimin pse shumë amerikanë, përfshirë mbështetësit e teorisë konspirative QAnon, besojnë variante ekstreme mbi pandeminë e COVID-19. Të dhënat e sondazheve të mbledhura nga psikologu Daniel Romer, drejtor kërkimi në Universitetin e Pensilvanisë, tregojnë se gati 1/3 e të rriturve në SHBA, mendojnë se koronavirusi është një armë biologjike e krijuar nga qeveria kineze.

“Teoritë e konspiracionit, i bëjnë njerëzit të ndihen sikur kanë një farë kontrolli mbi botën. Ato mund të jenë qetësuese nga pikëpamja psikologjike, sidomos në kohë të pasigurta”, thotë Romer.

Studiuesit në Universitetin Emori shqyrtuan 170 studime me 158.473 pjesëmarrës, dhe zbuluan se lidhjet më të forta me idetë konspirative u përkisnin pesë tipareve të identifikueshme: perceptimi i rrezikut dhe kërcënimit në botën e tyre, ndjekja e instinkteve të tyre të brendshme, besimet dhe përvojat e çuditshme, të qenit në parim antagonistë ndaj bindjeve të shumicës dhe të ndjerit superiorë.

Ndjekësit e teorive të konspiracionit, kishin gjithashtu më shumë gjasa të ishin të pasigurt, të paqëndrueshëm emocionalisht, impulsivë, dyshues, të tërhequr nga bota, manipulues, egocentrikë dhe me sjellje të çuditshme. Xhulia Aspernas nga Universiteti Linkoping në Suedi, analizoi lidhjen midis ndjeshmërisë ndaj informacionit të rremë dhe bindjes se e vërteta është relative.

Rezultatet e studimit të saj tregojnë shumë qartë, se ata që besojnë se e vërteta është subjektive, kanë më shumë gjasa të besojnë teoritë e konspiracionit dhe të mbajnë sërish bindjet e tyre, madje edhe kur përballen me fakte që i kundërshtojnë ato.

Po ashtu, ata kanë një tendencë më të madhe për të gjetur mesazhe të thella në fjali të pakuptimta. Një qasje shumë e ndryshme për të kuptuar ithtarët dhe besimtarët e teorive konspirative është ofruar nga Dejvid Betçelor në librin e tij të vitit 2000 – “Kromofobia”.  Betçelor argumenton se një impuls kromofobik – frika nga korrupsioni ose kontaminimi përmes ngjyrës – e përshkon pjesën më të madhe të kulturës perëndimore.

Ajo vazhdon që të shfaqet tek grupet dhe lëvizjet e supremacistëve të bardhë si QAnon, marshimi famëkeq i pishtarëve në Sharlotsvil, dhe rezistenca e ashpër ndaj heqjes së monumenteve të Konfederatës (Shteteve të Jugut gjatë Luftës Civile në SHBA).

Kohërat e pasigurisë ekonomike, Inteligjencës Artificiale, sulmeve terroriste, ndryshimeve klimatik , miliona refugjatëve që po vërshojnë vendet perëndimore dhe ndikimi në rritje i njerëzve me ngjyrë, krijojnë pasiguri për të bardhët, në kuptimin që bota në të cilën janë rritur po ndryshon radikalisht.

Nën këtë atmosferë, shtohet edhe frika e njerëzve, dhe ata priren që t’i rikthehen mentalitetit të vjetër “shtrëngoni radhët”, i karakterizuar nga frika nga “të tjerët”.

Studiuesit në Kolegjin e Bashkuar në Nju Jork, e lidhin besimin e teorive konspiraive me një tipar personaliteti të njohur si “skizotipi”, i cili karakterizohet nga sjelljet të çuditshme dhe dyshimi ndaj të tjerëve.

Studiuesit zbuluan gjithashtu se njerëzit që e shohin botën si një vend të rrezikshëm, dhe ata që janë të prirur të mendojnë se informacioni i pakuptimtë është i thellë, kanë gjithashtu  më shumë gjasa që të pajtohen me narrativa të tilla.

Shumica e konspiracionistëve janë shumë fanatikë në bindjet e tyre. Ata nuk e pranojnë asnjëherë se kanë gabuar. Edhe nëse një pretendim del që ka qenë i pavërtetë; ata nuk kërkojnë ndjesë por do të dalin me një shpjegim, që përbën në fakt një tjetër teori konspirative. Në këtë aspekt, mua më duken shumë më vlerë këshillat e filozofit të famshëm të shekullit XIX-të, Fridrih Niçe se si mund të luftohet fanatizmi.

Sipas filozofit gjerman, disa histori kanë një efekt të fuqishëm por edhe fuqinë për të transformuar thellësisht atë që jemi. Ai thotë se narrativat e pakënaqësisë, janë në veçanti të afta të nxisin fanatizmin. Për shembull, adhuruesit e grupeve radikale si Djemtë Krenarë apo ISIS e perceptojnë feminizmin, liberalizmin apo ata që i kundërshtojnë besimet e tyre si shkakun kryesor të vuajtjes së tyre.

Kur identiteti i një personi ndërthuret me pakënaqësitë, narrativa të tilla nxisin një qëndrim armiqësor ndaj shtypësve të perceptuar, duke i liruar individët nga përgjegjësia personale për problemet e tyre. Çdo udhëheqës që di se si t’i shfrytëzojë këto frikëra, mund t’i bëjë ndjekësit e tij të besojnë atë që ai u thotë.

Besimet ndaj teorive të konspiracionit kanë lidhje me një sërë rezultatesh sociale negative si lëvizjet politike jo-liberale, refuzimi i vaksinave, paragjykimet dhe dhunën ndaj komuniteteve të lëna pas dore. Ato kanë pasoja tek debatet dhe politikat sociale dhe politike. Aftësia jonë për t’i diskredituar ato, do të rritet vetëm kur të kemi më shumë informacione dhe t’i kuptojmë më mirë ato.

Shënim: Thomas R. Verny, autor i tetë librave, lektor në universitetet e Harvardit,  Torontos, Nju Jorkut dhe Minesotës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit