94 vjet nga lindja: ky ishte Alija Izetbegoviç, mendja më e vyer në lidershipin ballkanik

0
67

Nëse do jetonte ende, ish-lideri boshnjak Alija Izetbegoviç do mbushte sot 94 vjeç. Ajo çfarë la pas ai ende frymëzon shumëkënd. Nga një i burgosur politik, ai u bë figura më e rëndësishme politike në historinë e Bosnjës dhe Hercegovinës. Kjo që do të rrëfejmë është vetëm një pjesë e historisë së tij.

Ai ishte presidenti i parë i presidencës trepalëshe së shtetit të njohur ndërkombëtarisht, Bosnje Hercegovinës. Ai udhëhoqi vendin gjatë luftës më të rëndë që pa Evropa pas Luftës së Dytë Botërore, një luftë kjo e përcjellë me spastrim etnik dhe gjenocid të kryer kundër popullatës muslimane.

Rrugëtimi i tij jetësor por edhe politik nuk ishte aspak i lehtë. Ai u burgos dy herë, një herë pak pas Luftës së Dytë Botërore, dhe herën e dytë kur iu bashkua grupeve vullnetare të ndihmës “Muslimanët e Rinj”, një lëvizje shoqërore që kishte për qëllim të faktorizonte komunitetin musliman në Bosnje.

Por aktivizmi i tij pati një çmim. Izetbegoviç u dënua me tri vite burg për bashkëngjitjen me organizatën, ku gjatë asaj kohe punoi si “skllav burgu”. Pasi u lirua, ai studioi për agrikulturë, një pasion i tij i moçëm. Ai gjithashtu studioi edhe për drejtësi, dhe punoi në disa kompani në vend, ku në secilën la gjurmët e tij.

Viti 1970 ishte shumë me rëndësi për Izetbegoviç, pasi pikërisht në atë vit publikoi manifestin e tij politik të quajtur “Deklarata Islame” ku i prezantoi pikëpamjet e tij mbi lidhjen midis Islamit, shtetit dhe shoqërisë.

Në këtë manifest, që edhe sot zgjon interes, ai u përpoq të lidh përparimin perëndimor me traditat islame.

Autoritetet komuniste e interpretuan manifestin e tij si “thirrje për zbatim të ligjeve islame” në Bosnje, dhe e ndaluan publikimin dhe shpërndarjen e tij.

Izetbegoviç në atë kohë njihej si nacionalist i zjarrtë dhe përfundoi në burg, sërish.

Kësaj radhe, ai u dënua me 14 vite burg, por u lirua ende pa mbaruar gjysmën e dënimit pas presionit nga gjyqtarët dhe grupet ndërkombëtare të monitorimit.

Ai u lirua në vitin 1988, vit kur ndikimi i tij politik nisi të kulmonte. Po atëherë, Izetbegoviç formoi partinë e tij që e quajti “Partia e Veprimit Demokratik”, e njohur ndryshe si SDA.

Partia e tij u bë menjëherë një sensacion, me mbështetës më shumë se që mund të kishte imagjinuar edhe ai vet.

Kur Jugosllavia nisi të rrënohej dhe konflikti me Kroacinë veçse kishte marrë rrugë, me qëllim të ruajtjes së shtetit boshnjak dhe zgjidhjes paqësore, Izetbegoviç propozoi konfederatë të zgjeruar me pjesën tjetër të Jugosllavisë.

Në mars të 1992-tës, ai e çoi popullin e tij drejt një referendumi, gjë që tregoi vullnetin për pavarësi. Vetëm një muaj më pas, BE dhe OKB-ja njohën pavarësinë e Bosnjës, gjë që liderët serbë e kundërshtuan fuqimisht.

Kështu, nisën shkëndijat e luftës. Rezultatet e luftës për pavarësi bënë që bota të shoh rrethimin më të gjatë të një kryeqyteti në historinë moderne, siç ishte ai ndaj Sarajevës

Kur trupat serbe rrethuan Sarajevën dhe kur kryen tmerrin e Srebrenicës, Izetbegoviç drejtoi ushtrinë boshnjake drejt ditëve të saj më të vështira.

Ai pati një reputacion tejet të lartë tek liderët më të mëdhenj të botës, si nga ata politikë ashtu edhe nga ata fetarë.

Kur më e keqja u bë e paevitueshme, ai e drejtoi vendin drejt negociatave që rezultuan me marrëveshjen e paqes së Dejtonit.

Në dhjetor të vitit 1995, Izetbegoviç i dha fund luftës me nënshkrimin e tij. Por ajo që gjeti pas luftës ishte tejet dëshpëruese.

Vendi ishte lënë në gjendje të mjerueshme dhe me një sistem politik po aq të mjeruar.

Në zgjedhjet e para të pasluftës, ai u bë lider dhe figurë kryesore politike për të disatën herë.

Ai u largua nga presidenca trepalëshe përmes dorëheqjes, në vitin 2000. Shkas për këtë thuhet të kenë qenë problemet shëndetësore që po i shfaqeshin.

Ai vdiq në 2003-tën, dhe vendi më nuk u përball me përmasat e krizave që ai i përballoi mbi supe.

Ai u njoh për përqafimin e gjithë kulturave dhe feve në Bosnje, dhe mbahet mend për deklaratë e tij se “Bosnja nuk është vetëm copë toke në Ballkan, por është ideja e jetësuar se njerëz të feve dhe kulturave të ndryshme mund të jetojnë së bashku në paqe”.

Ose tjetra, thënë Fransua Miterrand: “Nuk më intereson paqja, por drejtësia”.

Të tillë thënie proverbiale, ai kishte me shumicë. Sot, të rallë janë ata liderë në Ballkan që mund të perifrazohen siç ai, me thënie nga më brilantet.

E megjithëse gjatë viteve të luftës i masakrohej populli, ai i bënte thirrje ushtrisë për të ndjekur parimet islame të luftës: jo vrasje e grave, fëmijëve, pleqve; jo dëmtim i të mbjellave dhe pronës private. E pos kësaj pra, dimensoni i tij intelektual ishte grandioz. Para mendjes së vyer të tij, bashkohësit në lidershipin ballkanik, para apo pas tij, nuk mundet ta konkurrojnë dot në kulturën e thellë që posedonte. /tesheshi.com/