10 mitet e rreme mbi alkoolin: realisht ja ç’bela i sjell njeriut

0

Alkooli është “droga” më e përdorur në botë, por njëherazi edhe që i dërgon konsumuesit më shpesh në urgjencë.

Sipas Global Drug Survey, më pak se 60 për qind e përdoruesve të alkoolit e pranojnë se ky ves i shkakton një risk të lartë,.

Në vijim mund të gjeni 10 keqkuptimet më të zakonshme në lidhje me alkoolin dhe alkoolizmin.

Alkooli është vetëm një ves i keq…

Alkoolizimi nuk është rezultat i një vesi ose një karakteri të keq, siç mendohet zakonisht, por është një sëmundje serioze që duhet të njihet dhe trajtohet në kohë. Vetë alkooli është toksik për organizmin dhe rrit rrezikun e kancerit, sëmundjeve të zemrës, hipertensionit, depresionit, cirrozës së mëlçisë. Në Evropë, vlerësohet se alkooli shkakton rreth 50,000 vdekje nga kanceri në vit.

Është i mirë për qarkullim të gjakut

Gjatë ditëve të ftohta, njerëzit shpesh konsumojnë alkool për t’u ngrohur. Arsyetimi është se organizmi nxehet menjëherë pas gotave të para. E vërteta është se alkooli shkakton zgjerimin e enëve të gjakut dhe ul temperaturën e trupit. Reagimi natyral ndaj të ftohtit është ngushtimi i enëve të gjakut për të zvogëluar “kontaktin” e brendshëm të organizmit me sipërfaqen e jashtme (lëkurën). Pra, herën tjetër mendohuni mirë para se të kërkoni shpëtim nga të ftohtit përmes një gote verë ose raki.

Rregullon gjendjen

Njerëzit që kanë probleme ose janë nën stres, shpesh kërkojnë ngushëllim te alkooli. Në fakt, vetë alkooli është shkaktar i depresionit. Rreth 200,000 raste të depresionit në vit, në nivel europian, shkaktohen nga alkooli. Ky i fundit ndikon drejtpërdrejt në rritjen e stresit biologjik në trup, theksojnë ekspertët. Gjatë konsumit, trupi rrit nivelin e adrenalinës, që gjoja mund të shkaktojë një ndjenjë relaksimi, por në fakt niveli i stresit dhe tensionit vetëm sa vjen e rritet.

“Pirja është problem i imi…”

Vlerësohet se dehja e një personi ndikon edhe te njerëzit përreth. Një person që ka probleme me dehjen, neglizhon detyrimet e tij të përditshme, humb produktivitetin në punë, nuk përmbush ose neglizhon detyrat e tij bashkëshortore, familjare dhe të tjera.

“Mund të ndalem kur të dëshiroj…”

Varësisht nga personi, ndërpreja e plotë e alkoolit mund të zgjasë deri në gjashtë muaj. Pas kësaj, dehja përsëri mund të bëhet përditshmëri. Ajo nuk ka të bëjë me karakterin e keq, sepse varësia nga alkooli vendos nën kontroll vetë njeriun, kështu që i varuri nuk është i vetëdijshëm se kur e ka kaluar kufirin. Prandaj, familjarët dhe shoqëria nuk duhet të gjykojnë varësinë nëse nuk tregohet këmbëngulës në braktisjen e alkoolit. Ky është një proces i ndërlikuar dhe i gjatë, i cili duhet të shoqërohet nga një mbikëqyrje ekspertësh të kësaj lëmie.

Alkoolisti – rrugaç, dështak, i papunë…

Alkoolizimi nuk zgjedh njerëzit sipas gjinisë, moshës, arsimit. Alkoolist gjithashtu mund të jetë një person me reputacion që shkon në punë, por pas punës ose fundjavës, ai gjunjëzohet para dëshirës për një pije. Gjithashtu, ka një paragjykim se të varurit pinë çdo ditë – ata mund të mos pijnë me javë, muaj, por vetëm një gotë mund të jetë shkaktar për një dehje të re. Nga ana tjetër, ka edhe një kategori personash të varur që pinë një sasi të caktuar të alkoolit çdo ditë, kështu që ata kurrë nuk janë krejtësisht të dehur.

“Mund të drejtojë makinën…”

Një orë pas pirjes, niveli i alkoolit në gjak është më i larti. Për shembull, nëse keni pirë katër gota verë, niveli i alkoolit në gjak do të jetë afër 1 promil, duke bërë absolutisht të papranueshëm uljen në timon. Bombonet, çamçakëzat, freskuesit e frymëmarrjes nuk mund të ndihmojnë në provën e alkoolit. Për absorbimin e plotë të alkoolit në gjak nevojiten 24 orë, kështu që edhe në mëngjes, pas një nate të gjatë, nuk rekomandohet vozitja e makinës. Mëlçia shumë ngadalë zbërthen alkoolin, brenda një ore ajo zbërthen mesatarisht 0.15 orë alkool.

“Nëse ha ushqim nuk do të dehem…”

Ushqimi mund të ndikojë vetëm në shtyrjen e ndjenjës së dehjes. Kjo do të thotë se, varësisht sa do të pini, aq edhe do të deheni, pavarësisht nga vaktet e mëparshme. Gjithashtu, njerëzit shpesh besojnë se kafeja do t’i kthjellojë dhe largojë dhimbjen e kokës. Në fakt, kafeja është një diuretik dhe mund të ndikojë që personi të kthjellohet pjesërisht, por në anën tjetër ajo do të ketë një efekt negativ duke shkaktuar dehidrimin e organizmit. Shkaku kryesor për dhimbjen e kokës në mëngjesin e ardhshëm është dehidratimi i organizmit i shkaktuar nga alkooli, dhe kafja vetëm sa do ta përshpejtojë atë. Një thënie e vjetër thotë: “jepini një filxhan kafe njeriut të dehur, dhe krejt çfarë do të fitoni është një pijanec komplet i zgjuar”.

Kur të flesh, do të kthjellohesh

Gjëja më e keqe që mund të ndodhë me një person të dehur është që ta lëmë atë person të vetëm në një makinë ose në një dhomë. Alkooli ngadalëson punën e zemrës, frymëmarrjen dhe ul presionin e gjakut, i cili në disa raste mund të çojë në gjendje kome dhe vdekje. Ekziston edhe një rrezik që një person i dehur të mbytet gjatë vjelljes. Një person i dehur duhet të vendoset në krah, nën mbikëqyrje të vazhdueshme, dhe nëse vërehet se frymëmarrja dhe pulsi po dobësohen, është e domosdoshme që të telefononi urgjencën.

“Nuk më duhet asnjë mjekim…”

Ekziston një besim tek masa e gjerë e njerëzve, se mund ta luftojnë vetë alkoolin. Për shkak të stigmës sociale, njerëzit që kanë probleme me pije të tepruar, shpesh fshehin varësinë, madje nga personat më të afërt. Alkoolizimi nuk është një sëmundje që trajtohet dhe shërohet. Kjo është një sëmundje me një shkallë të lartë të rikthimit, prandaj të vepruarit sipas këshillave të mjekut, si dhe sjellja e përgjegjshme e pacientit gjatë trajtimit është e një rëndësie të paçmueshme. /tesheshi.com/