-0.1 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Zyrtarizimi i gjuhës shqipe, nën hijen e çështjes së emrit të Maqedonisë

Më të lexuarat

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni, i cili i mundëson një shtrirje më të gjerë të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, po synohet të vendoset në pako me ligjet reformuese, thonë njohësit e çështjeve politike.
Sipas tyre, Ligji për përdorimin e gjuhëve, megjithatë, ka mbetur nën hijen e bisedimeve për çështjen e emrit të Maqedonisë, në kuadër të dialogut që po zhvillohet mes liderit të opozitës, Hristian Mickoski me liderët e dy partive në koalicionin qeverisës, kryeministrin Zoran Zaev dhe Ali Ahmetin.

Kohë më parë, Ligji për përdorimin e gjuhëve është kthyer në procedurë parlamentare, pasi presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov refuzoi ta dekretojë atë, duke e vlerësuar këtë ligj në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Pas këtij veprimi të presidentit, partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE kishte parashtruar 35 mijë amendamente për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përdorimin gjuhëve, duke bllokuar kështu procedurën parlamentare.

Nikolla Dujovski, ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Shkupit, për Radion Evropa e Lirë tha se ky ligj do të duhej të ishte pjesë e pakos që ligjeve reformuese. Por, shton ai, përderisa dallimet janë aq të thella mes liderëve politikë për këtë çështje, i gjithë fokusi do të përqendrohet në çështjen e emrit.

“Sinqerisht mendoj se kjo çështje do të zgjidhet më vonë. Nuk do të vendoset si çështje me prioritet në punën e Kuvendit për shkak të mosarritjes së marrëveshjes mes liderëve politikë të cilët duket se janë të fokusuar në çështjen e emrit për të zhbllokuar procesin e integrimeve”, thotë Dujovski.

Kurse, Arsim Sinani nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike vlerëson se ligji që rregullon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, paraqet shtyllën kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, dokument ky jetik për procesin e integrimeve.

“Para se të vazhdohet me çfarëdo problematike që Maqedonia përballet që nga shkëputja nga ish- Jugosllavia e deri më sot, çështja e parë që kërkon zgjidhje dhe pastaj të vazhdohet me çështjet e tjera është zyrtarizimi plotë i gjuhës shqipe dhe me këtë mbyllja e Marrëveshjes së Ohrit. Pa zgjidhjen e zyrtarizmit të gjuhës shqipe, çdo zgjidhje tjetër do të ishte i mirëseardhur, por lë boshllëk në raportet mes shqiptarëve dhe maqedonasve”, thotë Sinani.

Ndryshe, gjatë fundjavës krerët e partive në koalicionin qeverisës, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti kanë takuar liderin opozitar të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski. Por, Mickovski , edhe pas këtij takimi tha se për partinë që drejton, Ligji për përdorimin e gjuhëve është kundërkushtetues dhe i pazbatueshëm.

Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se ka shumë dallime mes partisë së tij dhe VMRO-DPMNE-së sa i përket kësaj çështjeje.

“Propozimi që të formohet një grup pune me ekspertë nga e drejta kushtetuese, të cilët do të komentonin ligin për ne është i papranueshëm, për shkaqe parimore dhe pragmatike, sepse në Maqedoni ekziston Gjykata Kushtetuese dhe nëse diçka është në kundërshtim me Kushtetutën, për këtë do të duhet të prononcohet Gjykata Kushtetuese”, ka theksuar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Po gjatë fundjavës është realizuar një takim kokë më kokë edhe mes liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetit dhe liderit të opozitës maqedonase Hristian Mickoski, por ky i fundit tha se çështja e ligjit të gjuhëve nuk ka qenë pjesë e bisedimeve. Ndërkohë që Ali Ahmeti tha se ka marrë garanci nga lideri i opozitës maqedonas se deputetët e kësaj partie do të mbështesin ligjet reformuese.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit