8.4 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Zullumqari të cilin e mbyti lutja e besimtarëve të shtypur

Më të lexuarat

Ibn Ethiri, në veprën e tij të famshme historike El-Kamil fi tarih, e ka përmendur këtë ngjarje:

Në vitin 201 h., vdiq Ebul- Abas Abdullah bin el-Agleb, guvernatori i Afrikës. Ai sundoi në Afrikë 5 vjet e dy muaj. Shkaku i vdekjes së tij ishte shumë i pazakontë. Në fakt, ai për çdo mëngjes nga toka e lëruar u merrte njerëzve nga 18 dinarë tatim, andaj njerëzit i ankoheshin njëri-tjetrit. Pas kësaj, një njëri i dijshëm dhe i devotshëm në mesin e tyre, i cili quhej Hafs ibn Omer el-Xhezeri, shkoi me një grup të dijetarëve dhe njerëzve të shquar te guvernatori dhe u përpoqën që ta këshillojnë guvernatorin, duke ia kujtuar atij Allahun dhe dënimin e ahiretit që i pret zullumqarët, por guvernatori Ebul- Abas nuk i dëgjoi këshillat dhe paralajmërimet e tyre dhe nuk ua zvogëloi tatimet njerëzve.

Grupi i njerëzve të shquar u largua nga pallati i guvernatorit dhe u nis drejt Kajrevanit. Në një moment atyre iu drejtua Hafs ibn Omeri, duke thënë: – Unë ju propozoj që ne të gjithë të marrim abdes dhe t’i lutemi Allahut të Plotfuqishëm, që t’ua lehtësojë njerëzve dhe t’i mbrojë nga zullumi i guvernatorit.
Ata të gjithë u pajtuan me propozimin e tij dhe nuk kaluan as 5 ditë nga momenti i lutjes dhe Ebul-Abasi vdiq. (Ibn Ethiri, El-Kamil fi tarih, V / 433)

Edhe kjo ngjarje ka konfirmuar se lutja është një armë efektive në luftën kundër zullumit dhe zullumqarëve, andaj nuk është çudi pse Pejgamberi (savs), i tha Muadh ibn Xhebelit (r.a.) kur e dërgoi në Jemen si misionar: – Ruhu nga lutja e të dëmtuarit, sepse në mes lutjes tij dhe Allahut nuk ka kurrfarë pengese (perde).

Nga Ebu Hurejre (r.a.) transmetohet se i Dërguari i Allahut (savs) ka thënë: – Tri lutje nuk kthehen mbrapa dhe për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi: lutja e atij që i është bërë padrejtësi, lutja e udhëtarit dhe lutja e prindit për fëmijën e tij. (Tirmidhiu)

Transmetohet nga Hakimi i cili ka thënë: – E kam dëgjuar Shejh Ebu Bekrin kur ka thënë: – Unë e pashë në ëndërr Omer ibn Hattabin (r.a.) dhe e pyeta: – O udhëheqës i besimtarëve, në çka është shpëtimi nga kjo botë dhe dalja nga vuajtjet e kësaj bote? Dhe ai më tregoi me gisht duke aluduar në lutje. Unë e përsërita pyetjen time, kurse ai me modesti u kthye kah unë sikur të ngrihej prej sexhdes, dhe pastaj më tha: – Lutja!

Transmetohet nga Ebu Derda (r.a.) se ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (savs), duke thënë: – Kërkoni kënaqësinë Time në bamirësi ndaj të dobëtëve (të dëmtuarve), sepse përmes tyre ju vjen furnizimi, bereqeti dhe fitorja. (Ebu Davudi)

Lutja e të dëmtuarit nuk refuzohet, madje edhe nëse është nga jobesimtari, e lëre më nëse është besimtar dhe nëse është edhe agjërues.

Prandaj, mos të lejojmë të na kalojë asnjë ditë e Ramazanit pa lutje, sidomos në kohën e iftarit apo 10 minuta para iftarit. Këto janë momente të bekuara në të cilat hapen dyert e qiellit për lutjet e agjëruesit.

O Allahu i dashur, pranoji lutjet e agjëruesve, sidomos të atyre që janë të dëmtuar dhe të cilëve ju bëhet padrejtësi, dhe gëzoji ata me faljen Tënde dhe me shpërblimin e xhenetit. Amin!

Pershtati: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit