1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Zilia ndërmjet lavdërimit dhe qortimit

Më të lexuarat

Zilia konsiderohet cilësi e qortuar dhe një prej sëmundjeve më shkatërruese të zemrës. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka ndaluar nga kjo cilësi. Ai thotë: “Mos e kini zili njëri-tjetrin… ” Gjithashtu, Profeti i Allahut na lajmëron duke thënë: “Janë përhapur mes jush sëmundjet e popujve të mëparshëm, zilia dhe urrejtja.” Shënon Tirmidhiu.

Kurani i ka ndaluar besimtarët të lakmojnë ndonjë begati që kanë të tjerët, por u kërkon t’i drejtohen me lutje Allahut të Lartësuar, duke kërkuar mirësinë prej Tij. Allahu thotë: “Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët: meshkujt do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar e po ashtu edhe femrat do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar. Kërkoni prej Allahut nga mirësitë e Tij. Vërtet, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.” (Nisa, 32)

Ajeti është komentuar duke thënë se ka për qëllim zilinë, që është dëshira për të pasur a për të arritur ndonjë mirësi që ka vëllai i tij duke u mbartur ajo mirësi tek ai. Gjithashtu ajeti është komentuar me lakminë, që është e ndaluar në Islam, sikurse lakmia e grave që ato t’i kenë disa vlera të karakterit fetar, si pjesëmarrja në luftë (xhihad) dhe vlera të natyrës së kësaj bote, si barazimi në çështjet e trashëgimisë, dëshmisë etj. Gjithashtu është thënë për lakminë që është e ndaluar sipas përcaktimit (kaderit) si lakmia e grave që të jenë si burrat ose të kenë fuqinë e tyre ose lakmia e dikujt nga ky umet që të jetë Profet, kurse Allahu i Lartësuar ka njoftuar se i Dërguari ynë, paqja e Zotit qoftë mbi të, është vulë e Profetëve.

Krahas kësaj, lexojmë në Sunetin e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ku thotë: “Nuk lejohet zilia përveçse në dy raste: t’i kihet zili atij njeriu të cilit Allahu i ka dhënë vullnet për të lexuar Kuranin e ai e këndon atë natë e ditë, dhe njeriut të cilit Allahu i ka dhënë pasuri e ai e shpërndan atë natë e ditë.” Shënon Buhariu

Pamja e jashtme e hadithit argumenton se zilia është e qortuar, përveç në dy raste, ku ajo është e lavdëruar; ato janë: kërkimi i dijes për të vepruar sipas saj dhe për t’i mësuar të tjerët si dhe kërkimi i pasurisë për ta shpërndarë në dyert e mirësisë.

Ndoshta ky hadith përbën problematikë me atë që është përmendur në ajetin paraprak, i cili ndalon nga të lakmuarit e asaj që është në duart e të tjerëve, për faktin se ajeti e ka përgjithësuar ndalimin nga të lakmuarit e asaj me të cilën Allahu i dalloi disa robër të Tij ndaj disa të tjerëve përderisa hadithi ka ndaluar zilinë përgjithësisht duke përjashtuar dy raste: kërkimin e dijes dhe kërkimin e pasurisë. Si ta kuptojmë ndalimin e ajetit dhe përjashtimin e hadithit?

Shpjeguesit e hadithit kanë dhënë shpjegime lidhur me këtë problematikë duke thënë se

hadithi nxit për të pasur lakmi për ndonjë begati tjetër të ngjashme që i ka begatuar Allahu disa robër të Tij, përderisa ajeti ka ndaluar të kihet lakmi për të njëjtën begati. Me fjalë të tjera, hadithi e udhëzon besimtarin që të ketë lakmi që edhe ai të ketë begati e mirësi siç kanë edhe të tjerët, qoftë e natyrës së kësaj bote apo edhe të botës tjetër. Ndërsa ajeti e ka ndaluar besimtarin që të lakmojë pikërisht të njëjtën begati me të cilën e ka begatuar Allahu ndonjë prej robërve të Tij. Kështu që ajeti e ndalon njeriun të lakmojë atë që është në duart e tjetrit, në mënyrë që ajo të largohet nga duart e atij dhe të vijë tek ai, gjersa hadithi e nxit besimtarin që të lakmojë të ketë mirësi ashtu siç kanë edhe të tjerët pa u zhdukur ajo nga të tjerët.

Dijetarët e kanë ndarë zilinë në dy lloje: zili e lavdëruar dhe zili e qortuar. Zilia e lavdëruar quhet الغبطة (el gibtah), lakmia e të kërkuarit të qenët si ata pa u zhdukur begatia prej tyre. Ndërsa zilia e qortuar është të lakmojë zhdukjen e begatisë nga të tjerët.

Duke u nisur nga kjo ndarje për zilinë, mund të kuptojmë se zilia e ndaluar në ajet është zilia e qortuar, ndërsa zilia për të cilën ka nxitur hadithi është el gibtah, prandaj ndërmjet tyre ka dallim të madh. Në bazë të asaj që u tha më lart, sqarohet aspekti i bashkërendimit të asaj që duket se ka kundërshtim ndërmjet ajetit dhe hadithit.

Ajo që thuhet për bashkërendimin ndërmjet ajetit dhe hadithit gjithashtu mund të thuhet edhe për hadithin tjetër, në të cilin i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, thotë: “Kjo botë është për katër persona: një rob të cilin e furnizon Allahu me pasuri dhe dituri, e ai nëpërmjet tyre ia ka frikën Zotit, nga ato u ndan të afërmve dhe e di se edhe Allahu ka në to hak, ky është në pozitën më të nderuar. Dhe një rob të cilin Allahu e ka furnizuar me dituri, por jo edhe me pasuri, e ai thotë me sinqeritet: “Sikur të kisha pasuri, do të veproja siç vepron filani.” Sipas kë¬tij qëllimi, edhe ky ka shpërblimin e njëjtë me të parin. Dhe një rob të cilin Allahu e ka fur¬ni¬zuar me pasuri, por jo edhe me dituri, e ky e keqpërdor pasurinë e vet pa dituri. Krahas pasurisë nuk ia ka frikën Allahut, nuk u ndan të afërmve dhe nuk e di se edhe Allahu ka në to hak. Ky është në pozitën më të poshtër. Dhe një rob të cilin Allahu nuk e furnizoi as me dije as me pasuri, e ai thotë: “Sikur të kisha pasuri, do të veproja siç vepron filani.” Sipas qëllimit, edhe ky e ka dënimin e njëjtë me të fundit.” Shënon Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është hasen sahih.

Prandaj, për besimtarin nuk ka të keqe që të ketë zili ndaj besimtarit nëse ky vepron punët e mira, të lakmojë të veprojë sikur vepron ai dhe të punojë në arritjen e kësaj, madje prej besimtarit kërkohet që në çështjet e fesë të shikojë atë që është më lart se ai dhe të angazhohet me përpjekjen e tij duke garuar për këtë, siç thotë Allahu i Lartësuar: “E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën.” (Mutafifin, 26)

Nëse dikush ia kalon në ndonjë të mirë fetare, përpiqet që ta arrijë, brengoset për neglizhencën e tij. Ndërmjet tyre nuk ka zili në atë që u ka dhënë Allahu, por ndërmjet tyre ka garë. Gjithashtu edhe për çështjet e kësaj bote, nuk ka të keqe për besimtarin të kërkojë nga mirësitë e saj, përderisa ajo është e lejuar për të. Allahu di më së miri!

 

 

Përgatiti: Almedin Ejupi

 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit