Ilhan Omar nga Minnesota dhe Rashida Tlaib nga Michigan kanë fituar në zgjedhjet e djeshme në SHBA dhe u bënë gratë e para muslimane që janë zgjedhur në Kongresin Amerikan, raporton Anadolu Agency (AA).
Tlaib si kandidate e Partisë Demokratike fitoi në njësinë zgjedhore 13 në Michigan. Ajo është shtetase e SHBA-ve me origjinë palestineze, e cila për 6 vite punon në administratën shtetërore.
Fitorja e saj ishte e pritshme, pasi që nuk pati kundërkandidat republikan, por si kundërshtarë pati dy parti më të vogla.
Në Dhomën e Përfaqësuesve Tlaib do të zë vendin e John Conyers, i cili për shkak të akuzave të një skandali seksual u detyrua të largohet nga skena politike.
Përveç Tlaib, në Dhomën e Përfaqësuesve është zgjedhur edhe një muslimane, Ilhan Omar me origjinë nga Somalia.
Ajo pati një rrugë shumë më të vështirë deri tek fitorja, pasi që në njësinë zgjedhore në Minnesota për kundërshtare pati kandidaten republikane Jennifer Zielinski.
Omar njëkohësisht do të jetë dhe muslimanja e parë me mbulesë në Kongresin Amerikan. Ajo do të zë vendin, të cilin edhe në mandatin e kaluar e mbante po ashtu muslimani Keith Ellison.
Votouesit në SHBA zgjodhën përbërjen e re të Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 nga gjithsej 100 delegatët e Senatit.
Republikanët në mandatin e kaluar kishin shumicën në të dyja Dhomat. Sipas rezultateve paraprake do të mbajnë shumicën vetëm në Senat ndërsa demokratët do të marrin Dhomën e Përfaqësuesve.
Këto janë zgjedhjet e para për Kongresin që nga ardhja e Trumpit në pushtet. Në të ardhmen e presin sfida më të mëdha për zbatimin e politikave të tij pa mbështetjen e Dhomës së Ulët të Kongresit.