-1.6 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Zgjedhja e bashkëshortes

Më të lexuarat

Transmetohet nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Femrën e martojnë për katër arsye: pasurinë që ka, pozitën e saj, bukurinë dhe fenë (devotshmërinë) e saj. Zgjidhe atë që është fetare të lumshin duart!” Shënon Buhariu dhe Muslimi.

Koment i hadithit

Zgjedhja e partnerit në martesë është një nga vendimet më të rëndësishme që njeriu bën në jetën e tij. Ndaj nuk duhet të merret kjo e lehtë, e as t’i lihet vetëm shanseve, momenteve apo edhe hormoneve. Ky është një vendim që duhet të merret me shumë seriozitet, duke bërë vazhdimisht dua (lutje Allahut), hetim të kujdesshëm të të gjithë faktorëve dhe rrethanave, si dhe me mbështetjen dhe përfshirjen e familjes.

Hadithi i lartpërmendur tregon preokupimet e njerëzve nga të cilat nisen ata të lidhen me ndonjë femër apo edhe dashurohen. Për ta, nxitëse janë njëra nga këto katër gjëra për të zgjedhur bashkëshorten e ardhme të tyre.

-Disa kërkojnë të martohen me një femër të pasur, për t’i siguruar vetes mirëqenie dhe pasuri.

-Dikush tjetër dëshiron të martohet me një vajzë e cila rrjedh nga një familje me famë apo me prejardhje të respektuar te njerëzit, qoftë të jetë ajo e bija e ndonjë njeriu me pozitë apo është i njohur dhe me këtë të arrijë avancim edhe ky në shoqëri.

-Tjetri kërkon të martohet me femër të bukur, duke mos i dhënë rëndësi gjërave të tjera.

-Ka edhe të atillë që martohen me një femër që është e devotshme dhe e përkushtuar ndaj Allahut të Lartësuar.

Në fund të hadithit Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) na këshillon kriterin vendimtar nga i cili duhet të nisemi.

Dashuri e vërtetë dhe e lumtur për secilin do të ishte ajo që siguron përjetësi. Ndoshta dikush do të martohej për ndonjë qëllim tjetër,  por me martesë çdonjëri e kërkon dashurinë e përhershme, me të cilën do të ndërtonte qetësinë për vete dhe pasardhësit në këtë botë dhe në botën tjetër.

Martesa me një femër duke pasur kriter fenë dhe përkushtimin ndaj Allahut, është dashuri e cila i lidh zemrat për shkak te mendimeve, interesave të përbashkëta, mënyrës së të konceptuarit të jetës ose jetesës.

Kriteret e tjera nga të cilat nisen njerëzit: pasuria, pozita dhe bukuria, nuk janë të qëndrueshme dhe janë kalimtare. Prandaj në hadith, edhe pse nuk refuzohen plotësisht, sqarohet se nuk duhet të jenë esenciale nga të cilat duhet të nisemi.

Dobitë nga hadithit

  1. Njeriu gjatë zgjedhjes së bashkëshortes duhet ta ketë primare devotshmërinë e saj, pasi ajo do të jetë partnerja me të cilën do ta ndërtojë familjen dhe të lind pasardhës.
  2. Hadithi nuk mohon që njeriu ta ketë parasysh edhe arsyet e tjera, por esenciale duhet të jetë feja.

Përgatiti: Alaudin Abazi

19.01.2007

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit