Shkencëtarët ia kanë dalë mbanë të zbulojnë panoramën e plotë të zonës që sistemi imunitar sulmon, duke shkaktuar diabetin e tipit 1. Studimi, i publikuar në të përditshmen “Diabetes”, zbuloi edhe objektivin e pestë dhe atë më kritikun, që bëhet prè e çrregullimit.
Ekipi i Universitetit të Lincolnit bëri të ditur se zbulimet e fundit mund të ndihmojnë në zhvillimin e rrugëve të reja për të parandaluar dhe trajtuar sëmundjen. Ndaj dhe gjetjet konsiderohen si “tepër të rëndësishme dhe madhështore”.
Sa i përket diabetit të tipit 1, sistemi imunitar shkatërron qelizat beta që prodhojnë insulinën, hormonin e nevojshëm për të mbajtur sasinë e sheqerit në gjak në nivele normale.
Studimet e bëra ndaj antitrupave unikë të pacientëve me diabet të tipit 1, tregonin se ekzistojnë pesë objektiva të qarta që sulmohen nga sistemi imunitar. Megjithatë, kërkime të tjera u nevojitën për përcaktimin e këtyre objektivave. Studime të mëhershme kishin zbuluar 4 prej tyre, ndërsa e fundit rezultonte e pamundur të zbulohej për plot dy dekada.
Michael Christie, doktori që udhëhoqi kërkimet në Universitetin e Lincolnit, tha për BBC-në se “me këtë zbulim të ri, tashmë kemi përfunduar identifikimin e shënjestrave të sistemit imunitar, duke e plotësuar tërësisht panoramën e tyre”.
Objektivat e sulmit janë: Insulina, “Glutamate dekarboksylase”, “IA-2”, “Zinc transporter-8” dhe “tetraspanin-7”, kjo e zbuluar së fundi. Këto, që kryesisht janë emërtime teknike, përfshihen të gjitha në sekretimin dhe ruajtjen e hormonit insulinë.
Dijet mbi 4 shënjestrat e para të sistemit imunitar janë duke u përdorur në një kolegj të Londrës, me synimin për të penguar avancimin e diabetit të tipit 1. Por, doktor Christie thotë se, tashmë që panorama është kompletuar, gjithçka mund të fokusohet te transformimi i kujdesit ndaj pacientëve me këtë lloj diabeti.
“Kur sistemi imunitar vendos që të braktisë diçka, është tepër e vështirë ta pengosh këtë, ndaj dhe diabetet kanë rezultuar si sëmundje tepër të vështira për t’u parandaluar. Për këtë arsye, ne shpresojmë që, pasi kemi identifikuar objektivat kryesorë të sëmundjes, të mund të gjejmë mundësi të reja për parandalimin e saj duke bllokuar përgjigjen e sistemit imunitar ndaj këtyre 5 proteinave, pa e bërë individin të prekshëm nga infeksione të ndryshme”, tha mjeku.
“Me përmirësimet e fundit të dijeve tona ndaj sëmundjes, kam besim të plotë se ne do të mund të zhvillojmë një kurë të re. Kam më shumë besim tani, sesa kam pasur 5 vite më parë”, deklaroi më tej doktor Christie.
Për diabetin dihet që është i dyllojshëm: diabet i tipit 1 dhe i tipit 2. Në të parin, pankreasi i individit nuk prodhon më insulinë, ndërkohë që në të dytin, pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë, ose qelizat e trupit nuk reagojnë ndaj insulinës së prodhuar.
Diabetet e tipit 1 mund të zhvillohen në çfarëdolloj moshe, por zakonisht shfaqet përpara të 40-ave, e veçanërisht në fëmijëri. Me këtë sëmundje janë të prekur rreth 10% të të sëmurëve me diabet. Ndërsa diabeti i tipit 2 shkaktohet më së shumti prej jetesës së varfër, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe sa i përket aktiviteteve sportive. Rreth 90 për qind e të rriturve me diabet kanë pikërisht këtë të tipit 2, teksa ky i fundit zakonisht zhvillohet në mosha më të vonshme sesa ai i pari.