Gazeta më e madhe gjermane, Bild, shkruan se shkencëtarët kanë bërë një zbulim sensacional në fushën e luftës kundër sëmundjes së kancerit. Ata kanë zhvilluar për herë të parë një test gjaku që e zbulon në mënyrë të besueshme kancerin e gjirit.
Sensacion botëror, e quan gazeta, për shkak se shkencëtarët në mbarë botën po punonin për vite me radhë për të arritur këtë qëllim.
Zbulimi është bërë nga studiuesit e Spitalit Universitar të Hajdelbergut. Saktësia e njohjes së kancerit është e ngjashme me mamografinë.
Profesor Sohn, drejtues mjekësor i Klinikës Gjinekologjike në Hajdelberg, thotë se problemi me kancerin e gjirit është se ai diagnostikohet me vonesë, duke u bërë vdekjeprurës.
Por testi zbulon edhe kancerin ovarian, thotë eksperti.
Por çfarë ndodh me kanceret e tjera?
Studiuesit e universitetit gjerman thonë se testi duket se mund të jetë efektiv edhe për lloje të tjera kanceresh. Ata thonë se tani kanë në duar ‘çelësin’. “Brenda tre deri në pesë vite do të kemi në duar testin e gjakut që zbulon çdo kancer,” thonë ata.
Edhe një skuadër me shkencëtarë izraelitë u ka dhënë shpresë të gjithë atyre që vuajnë nga kanceri.
“Ne besojmë se brenda një viti do të arrijmë shërimin e plotë nga kanceri,” tha Dan Aridor për gazetën ‘Jerusalem Post’. “Kura që ofrojmë e nis ndikimin që në ditën e parë, zgjat pak javë dhe nuk ka thuajse asnjë efekt anësor,” tha ai.
Ky do ishte një lajm sensacional për 18 milionë të sëmurë me kancer. Çdo vit rreth 9.6 milionë njerëz vdesin nga kanceri. Por a është e mundur diçka e tillë?
Terapia MuTaTo që ofrojnë shkencëtarët izraelitë ka funksionuar për minjtë. Gazeta gjermane Bild është konsultuar me shoqatën gjermane të luftës ndaj kancerit. Ata nuk duken shpresëplotë se një kurë për kancerin do gjendet kaq shpejt.
“Ka funksionuar tek minjtë, por nuk e dimë nëse funksionon tek njeriu. Një kurë përfundimtare mund të kërkojë shumë vite”.